Berisha: Rama do përfundojë si McGonigal, do ia heqim titullin e nderit që ia dha Rexh Byberi

Nga Tropoja, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se 14 maji është një ditë e një misioni të madh, një ditë për përmbysjen e monizmit dhe ndarjen nga ky regjim.

Berisha theksoi se “në këto zgjedhje është jetike që secili ta bëjë natën ditë, të punojë me gjithë mundësitë e tij, të trokasë në çdo derë dhe zemër për të shpjeguar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.”

Ai shtoi se kreu i qeverisë, Edi Rama do të përfundojë si ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal.

Berisha: Mediat i kontrollon barbarisht Edi Rama, shqiptarët përjetojnë një diktaturë të mashtrimit mediatik. Por atë që nuk mund të bëjë Edi Rama, që nuk e ndalon askush, janë takimet me njëri-tjetrin. Ndaj dhe ne do të tejkalojmë me përpjekjen tona të gjithë terrorin mediatik që ushtrohet përmes mashtrimeve, relativizmit, falsitetit.

Edi Rama ka prodhuar kompani që janë të specializuara për të prodhuar shpifje dhe lajme të rreme nga mëngjesi deri në darkë sepse dëshiron të shpëtojë nga faktet e vjedhjes dhe tradhtisë së tij. Rexhë, po vazhdove, nuk ndalesh në gabimin tënd. Mirë është që para se të ikësh, tradhtarit të kombit amerikan, t’ia heqësh atë qytetari nderi, se ajo është qytetari turpi.

Të garantoj se miku yt, Edi Rama do ketë fatin e tij. Ai do përfundojë siç përfundoi McGonigal dhe të tjerë që janë implikuar, ndaj të paktën mos e lër atë titull aty se është i turpshëm. Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak do i hiqet titulli si tradhtar i kombit amerikan. 14 maji do jetë dita e ndryshimit, dita e fitores./Albeu.com/


Shtuar 4.04.2023 12:32