Përjashtimi i Berishës, dega e PD-së në Shkodër: Ne jemi me Amerikën

Pasi sqaroi deputetët për vendimin e përjashtimit te ish-kryeministrit Berisha nga grupi parlamentar, Lulzim Basha ka nisur të informojë strukturat mbi vendimmarrjen që për nga pesha e saj e ka cilësuar me te fortën brenda Partisë Demokratike.

Paraditen e të shtunës, Basha takoi krerët e degëve të PD në rrethe, dhe i informoi për vendimin duke kërkuar qe t’i sqarohet demokratëve se vendimi nuk është mohim i Sali Berishës dhe historisë se tij brenda PD.

Kryetari i Partisë Demokratike të Shkodrës Xhevdet Amuli pas takimit me Lulzim Bashën u shpreh për Abcnews.al se dega që ai drejton është me PD-në dhe Amerikën dhe se brenda forcës kryesore opozitare nuk ka asnjë përçarje, pasi kanë vetëm një armik; Edi Ramën.

“Kjo është diçka më shumë se qëndrimi i Bashës. Ne jemi pro amerikan. Ne jemi të tërë me Amerikën, edhe Sali Berisha vetë është me Amerikën. Nuk ka asnjë arsye që partia të ketë çarje. Ne Berishën e kemi pasur lider shpirtëror, nuk ka arsye që të ketë përçarje.

Ne jemi me PD-në, PD është familje e madhe. Edhe Berisha është me PD-në. Ne të gjithë bashkë jemi me PD-në dhe me SHBA-në. Ky është verdikti i Amerikës. Nuk kemi me asnjë përçarje dhe fraksion, ne luftën e kemi me PS-në dhe Edi Ramën dhe jo brenda llojit” tha ai.

Edhe kreu i PD-së së Durrësit Ferdinand Xhaferaj u shpreh se vendimi i Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar ishte më i vështiri i marrë ndonjëherë. Ai theksoi se fakti që ishte një vendim i marrë në minutat e fundit të afatit limit do të thotë se Basha ka shfrytëzuar çdo mundësi për zgjidhjen e ngërçit para se të shkonte deri aty.

Xhaferaj tha se nëse nuk do të merrej ky vendim, PD do të përballej me kosto afatgjatë, gjë e cila do të ndikonte edhe shqiptarët për shkak të mënyrës se si po qeveris Rama./ Abcnews.al


Shtuar 11.09.2021 19:36