FIFA “i përplas derën” Italisë, shuhet ëndrra për të luajtur në Katar 2022

Ata pak tifozë të Italisë që shpresonin të shihnin Italinë duke fluturuar drejt Katarit në nëntor duhej të dorëzoheshin herët pasi anëtarja ekzekutive e FIFA-s, Evelina Christillin ka thënë se ideja për të parë Azzurrët në Kupën e Botës është ‘utopi’.

Kishte raporte se FIFA do të merrte masa pasi Irani ndaloi gratë të hynin në stadium për ndeshjen e tyre kualifikuese për Kupën e Botës kundër Libanit.

Kjo bërë që tifozët italian të ëndërronin një vend në “Katar 2022”, në ‘kurriz’ të përjashtimit të Iranit.

Megjithatë, shpejt ka ardhur reagimi nga FIFA, duke e cilësuar si utopi idenë për të parë Italinë në Kupën e Botës këtë vit.

Është anëtarja ekzekutive e FIFA-s, Evelina Christillin, e cila ka konfirmuar që nuk ka gjasa që një gjë e tillë të ndodh.

“Ne kurrë nuk kemi diskutuar përjashtimin e tyre nga Kupa e Botës. Edhe sikur të ishin përjashtuar, do të ishte një tjetër kombëtare aziatike që do të promovohej në vend të tyre”, ka thënë Christillin.

Ndryshe, Italia si fituese e Euro 2020 pritej të kishte një vend në Kupën e Botës, por fillimisht dështuan ta mbyllin grupin në vendin e parë, pastaj u eliminuan trupërisht nga Maqedonia e Veriut në “Play-Off”. /Telegrafi/


Shtuar 1.04.2022 21:37