Forcat e Policisë së Kosovës largohen nga shtëpia e Albin Kurtit

Forcat e Shtuara të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës tashmë janë larguar nga shtëpia e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, ku po qëndronin pas informacionet se i pari i ekzekutivit është kërcënuar.

Para shtëpisë së kryeministrit tani po qëndrojnë vetëm dy zyrtarë policorë, të cilët qëndrojnë aty gjithnjë.

Kryeministri Kurti pak më parë është kthyer në shtëpi nën sigurinë e lartë të zyrtarëve policorë të njësive të ndryshme, ndërsa tani në shtëpinë e Kurtit raportohet të jetë qetësi e zakonshme.

Kërcënimi që iu bë kryeministrit Kurti u konfirmua sonte nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, por i njëjti nuk dha detaje shtesë.

“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre. Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse. Në anën tjetër, kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”, tha ai.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Policisë së Kosovës lidhur me këtë rast, por ende nuk ka pranuar përgjigje. Nga Policia nuk dhënë asnjë deklaratë ose njoftim për rastin në fjalë.