Qepë me kripë, sekretet e kurës më të famshme popullore
Nëse keni lindur para vitit 1990, nuk besojmë se ka ndonjë shqiptar që nuk e di kurën më të famshme të nënave tona.

Më e lira sa u përket produkteve dhe më e thjeshta në përgatitje.

Por, mbi të gjitha, kura më e efektshme e provuar direkt sa u përket ndrydhjeve të kyçeve, lëvizjes së shpatullës, kaviljeve, ngërçeve, “këputjes së mishit”, apo enjtjeve etj.

Togfjalëshi “qepë e kripë” dikur në Shqipëri ka qenë më e përdorur se sa fjala ilaçe.

Në fakt, ishte e çuditshme se si nënat e gjyshet tona arrinin të na shëronin si doktoresha të vërteta, nëpërmjet këtyre kompresave “magjike” vetëm prej qepe dhe kripe të trashë deti.

Tashmë, kur tregu është mbushur plot me ilaçe farmaceutike, duket sikur është harruar kjo kurë kaq e famshme.

Por tani që ua kujtuam, merrni nga qepët nga kuzhina dhe nxirrni kripën e zezë, nga ku e keni fshehur.

ÇFARË DUHET

Vetëm një kokërr qepë, më mirë do të ishte e kuqe.

Por bën punë edhe e bardha.

Kini parasysh se qepa nuk duhet qëruar fare dhe duhet shtypur siç është, derisa të marrë formën e një pureje.

Kësaj pureje i hidhet 1 lugë gjelle me kripë të zezë, nga ajo e trasha, dmth e papërpunuar.

Përzihen mirë e mirë së bashku.

Pastaj merret një beze e trashë, mirë do të ishte prej fanellate, ose një napë që e palosni në mënyrë që të bëhet me disa shtresa dhe e mbushni me qepë e kripën, që përgatitët.

Si ta përdorni

E vendosni në zonën ku keni ndonjë nga problemet që thamë më sipër; shpatull, këmbë, kyçe etj, apo nëse jeni vrarë ndokund, ose jeni enjtur nga ndonjë gjë tjetër.

Mbajeni për 24 orë rresht në vendin që ju dhemb.

Nëse dëshironi, mund ta ndërroni edhe brenda 12 orësh napën me qepë dhe kripë, me një tjetër po njësoj.

Kjo kurë popullore ka vërtet efekt qetësues, por edhe mjekues.

Sepse, qepa ka veti që ul enjtjet dhe përmirëson funksionimin e qelizave të gjakut, nxit shpejt rigjenerimin e tyre.

Ndërsa kripa nuk lejon që zona e dëmtuar, e enjtur, apo “e shembur” që të nxihet, plus që që në kombinimin me qepën vret çdo lloj mikrobi e infeksioni të mundshëm, që ka tendencë përhapje.

Një tjetër përdorim është që qepën me kripë mund ta fusni në një napë, apo beze, sikur krijoni një torbë/qese të vogël dmth dhe ta vendosni në zonën e kraharorit nëse keni ftohje, probleme mushkërie apo astmë.

Gjithashtu, mund të përdoret nga jashtë edhe për dhimbjen e dhëmbit, nëse ju është enjtur faqja.

Ose te pjesa e qafës nëse keni probleme me fytin, me bajamet, apo me gjendrat tiroide.

Kot nuk thonin gjyshet, se kur ke qepë me kripë në shtëpi, e mbyll dimrin pa frikë…

“Hakmarrja” e qepës

Aroma e qepëve mund të jetë një problem tek duart, pasi e përgatisni kurën.

Pasi t’i prisni qepët shpëlajini duart me ujë të ftohtë, duke i fërkuar me kripë, shpëlajini sërish dhe lajini edhe një herë normalisht me sapun.
Shtuar më 31/08/2018, ora 14:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori