Pse trishtohemi në ditët me shi? Zbuloni çfarë ndodh me trurin tuaj
Feston 14 marsin, shikon lulet që kanë çelur, kurorët e dendura të pemëve të zënë diellin kur kalon në trotuar, poleni mund të të bëjë të teshtish 20 herë pa ndaluar, për të mos folur pastaj për hundën që të ha vazhdimisht dhe sytë që të djegin, por sidoqoftë është pranverë dhe ti je i lumtur, aq i lumtur sa motivohesh të risistemosh garderobën dhe të hedhësh tutje rrobat e dimrit që nuk të pëlqejnë. Derisa vijnë “plakat”, të cilat s’kanë ndërmend të largohen të paktën derisa të vijë qershori.

Pranvera nuk është stina më e përsosur vetëm sepse nuk është as vapë, as nxehtë. Është periudha kur trupi rigjenerohet (“ndërron gjaku”) dhe të gjithë ndihen më të motivuar për t’ia nisur nga e para.

Mirëpo, veçanërisht kur moti ka gjendje kaq të skajshme sa në qytetet e Shqipërisë së mesme, shumë njerëz ankohen se kanë luhatje humori. Dhe kjo, nuk është fare kot.

Ka arsye të njohura nga psikologët, se përse motivacioni ynë për të bërë gjërat që kemi në rend të ditës, bie gjatë ditëve me shi.

Së pari, sepse shiu errëson qiellin. Kur është errësirë, truri e percepton si një kohë pushimi për trupin, ndërsa ty të duhet të shkosh në punë e të vazhdosh jetën si zakonisht. Pikërisht për këtë, ndodh që në ditët me shi ndihesh i pafuqishëm dhe i përgjumur.

Sigurisht, bashkë me shiun vjen edhe i ftohti, i cili nuk jep ndonjë ndihmë të madhe për të na bërë të ndihemi më mirë. Temperaturat e ulëta ulin aftësinë e shqisave për të reaguar dhe kontraktojnë muskujt, ndaj edhe kur bie shi dhe bën ftohtë, të shkosh në palestër ngjan aq e pamundur fizikisht. Për këtë, është mirë që, sapo zgjohesh, të çkontraktosh muskujt me tërheqje.

Një shkak që ndihesh i pamotivuar mund të jetë edhe sepse, në ditë me shi, njerëzit janë përgjithësisht më të uritur. Mungesa e dritës ul nivelet e serotoninës (hormoni i lumturisë), çfarë nxit nevojën e trupit për karbohidrate dhe sheqerna, të cilat rrisin nivelet e serotoninës. Mirëpo shumë prej nesh përfundojnë duke konsumuar makarona dhe ëmbëlsira më tepër sesa duhet, çfarë na bën të ndihemi të rënduar dhe akoma më të pafuqishëm. Të hash të bën të lumtur. Të hash shumë, jo.

Dhembja e kyçeve është gjithashtu një fenomen i shpjegueshëm me motin e keq. Me uljen e presionit atmosferik, lëngjet e trupit shkojnë nga enët e gjakut drejt nyjet, çka shkakton më shumë presion në kyçet.

Dhe së fundi por sepse është më e rëndësishme, të qëndruarit jashtë shtëpie rrit kreativitetin dhe motivimin, siç tregoi një studim i Universitetit të Michigan-it në 2004-ën. Të detyrohesh të rrish brenda katër mureve vetëm sepse bie shi, është një padrejtësi e vërtetë e natyrës mirëpo s’kemi ç’bëjmë, sepse dielli lind vetëm pas shiut.

Shtuar më 20/02/2020, ora 08:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori