Avioni i nisur nga Greqia alarmon Anglinë, 16 pasagjerë me COVID-19

Gjashtëmbëdhjetë pasagjerë në fluturimin TOM6215 nga ishulli Grek Zante drejt Cardiff tani janë testuar pozitivë me Covid-19. Për këtë arsye, autoritetet në Uells, kanë kërkuar vetë-izolimin e të gjithë pasagjerëve dhe ekuipazhit, rreth 200 persona, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e Covid-19.

“Investigimi ynë tregon se mungesa e distancimit social, në veçanti nga një grup 20-30 vjeçarësh, ka sjellë përhapjen e virusit në grupe të tjera njerëzish“, thuhet në njoftimin e autoritetit shëndetësor në Kardif. Sipas autoriteteve, shtatë persona nga tre grupe të ndryshme, mendohet të jenë përhapësit e virusit, citon BBC.

Një prej pasagjereve, i tha BBC Radio 4, se fluturimi ishte i mbushur me “Covidiots”, një term që i referohet personave që nuk respektojnë masat e distancimit social dhe nuk mbajnë maskë në ambiente ku një gjë e tillë është e detyrueshme. Ajo gjithashtu pretendoi se shumë pasagjerë i hiqnin maskat dhe lëviznin në avion, për të biseduar me pasagjerë të tjerë.

Greqia është në listën e vendeve nga ku mund të udhëtosh drejt Mbretërisë së Bashkuar, pa patur nevojë të karantinohesh. Ndërsa, udhëtarët nga një numër i madh vendesh, përfshirë edhe Shqipërinë, janë të detyruar të karantinohen për 14 ditë, pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar. Ata duhet të plotësojnë një formular i cili përmban adresën ku do të qëndrojnë gjatë 14 ditëve të karantinës.


Shtuar 31.08.2020 16:21