Nënshkruhet marrëveshja, qeveria e Kosovës do të punësojë persona me aftësi të kufizuara

Mbështetja e personave me aftësi të kufizuar ka qenë sot në fokus të takimit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati zhvilluan me përfaqësues të organizatave jo qeveritare.

Ndër të tjera u nënshkruan edhe marrëveshje të bashkëpunimit për zbatimin e masës 1.6 – Mbështetja e Personave me Aftësi të Kufizuara të Pakos së Ringjalljes Ekonomike në mes të Qeverisë dhe OJQ-ve.

Ekonomike në mes të Qeverisë dhe OJQ-ve. Kështu bënë të ditur Zyra e kryeministrit përmes një njoftimi për media.

“Kjo masë, që e kemi dizajnuar së bashku, synon të arrijë dy objektiva: e para, nxënien e shkathtësive nga personat me aftësi të kufizuara dhe e dyta, punësimin e qëndrueshëm të tyre. Nxënia e shkathtësive është e destinuar që të rezultojë me punësim. E për të nxitur dhe mundësuar punësim të garantuar dhe të qëndrueshëm, ne zotohemi që bizneseve që lidhin kontratë të rregullt pune me personat që kanë ndjekur trajnimet, t’ua subvencionojmë pagën e punëtorit deri në 270 euro në muaj, për 6 muaj me radhë. Pra 270 euro për gjashtë muaj me radhë, që i bie më shumë se sa niveli bruto i pagës minimale, të cilën e kemi kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvendin e Republikës”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ministri Murati tha se ndonëse masat e pakos kanë qëllim të krijojnë prosperitet për të gjithë, ato shpeshherë janë edhe të targetuara. Ai gjithashtu theksoi se masa 1.6 ka një mekanizëm të veçantë zbatimi ku organizatat kanë rol thelbësor në monitorim duke identifikuar sfidat dhe arritjet përgjatë vijueshmërisë së masës.

Kryeministri Kurti, ministri Murati dhe përfaqësuesit nga organizatat jo-qeveritare u pajtuan që kjo masë të trajtohet si një pilotim në mënyrë që të nxirren mësimet e nevojshme me synimin që të kthehet në një masë afatgjatë.