“Muaj të vështirë e presin Europën”, Brukseli ngre alarmin pas takimit të Ministrave të Energjisë së BE

Teksa konflikti në Ukrainë është në muajin e tretë, Brukseli tha se po përgatitet për muajt e vështirë që po vijnë në sektorin e energjisë.

Komentet u bënë pas një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë së bllokut të hënën, për të diskutuar strategjinë, pasi Rusia vendosi të ndërpresë gazin për Poloninë dhe Bullgarinë javën e kaluar.

Tani, BE po punon për të siguruar që rezerva e gazit për kontinentin  të jetë plot deri në vjeshtë. Aktualisht është në 32% dhe sipas Komisionerit për Energjinë të bllokut, Kadri Simson, çdo shtet anëtar mund të jetë viktima e radhës e ndërprerjes së energjisë nga Moska.

Brukseli po punon paralelisht për një paketë të gjashtë sanksionesh kundër Rusisë, e cila do të fokusohet në një embargo graduale të naftës. Gjermania, më parë një nga kundërshtarët kryesorë, tani po pajtohet me të.

“Pas dy muajsh punë, mund të them se Gjermania nuk është kundër ndalimit të naftës ndaj Rusisë”, tha Robert Habeck, Ministri gjerman i Klimës dhe Ekonomisë të hënën. “Sigurisht, është një barrë e rëndë për t’u mbajtur, por ne jemi gati ta bëjmë këtë…Duhet të përgatisim qendrat, duhet të përgatisim tubacionet. Pra, koha është e çmuar, por vendet e tjera kanë probleme më të mëdha.”

Propozimi mund të shpallet nga Komisioni Evropian sa më shpejt të martën.