Kampionati Europian i Golfit, Shqipëria kualifikohet mes 8 ekipeve më të mirë

U zhvillua në Pilos të Greqisë kampionati Europian i Golfit ku morën pjesë 11 shtete nga të cilat dhe Kombëtarja Shqiptare e Golfit e përfaqësuar me lojtarët, Erjon Tola, Hazis Allkja, Ejtan Memeti dhe Dritan Nelaj.

Kampionati u zhvillua në 4 ditë garë të fortë, ku Shqipëria arriti të hynte edhe në çerekfinale.

Për sekretarin e përgjithshëm të federatës shqiptare të golfit Marin Harxhi rezultati i marrë nga golfistët shqiptarë është shpresëdhënës për rezultate edhe më të mira në të ardhmen.

“Deri tani performanca ka qenë jashtëzakonisht e mirë. Në ditën e parë ne jemi renditur të katërt, gjë që na jep shpresë për të ardhmen. Kemi akoma turne të jashtëzakonshëm”,-tha Marin Harxhi, sekretar i përgjithshëm i federatës shqiptare të golfit.

Ndërkohë, kapiteni i ekipit të Shqipëri, Erjon Tola u shpreh se pavarësisht motit të nxehtë, rezultati i marrë nga sportistët shqiptarë rrit shanset që vitin e ardhshëm të synohen objektiva edhe më madhorë.

“Normal që kushtet e motit janë shumë sfiduese për ne, sepse janë kushte shumë të ngrohta diku te 30 gradë dhe dielli është shumë i fortë, por gjithsesi jam shumë i lumtur për perfofrmancën e ekipit tonë që arrin të mbajë një pozicion mes shteteve më të mira europiane”,-tha Erjon Tola, kapiten i ekipit shqiptar të golfit.

Kjo është hera e parë që nga themelimi i federatës shqiptare të golfit në vitin 2011 që Shqipëria hyn në 8 ekipet më të mira Europiane, duke bërë një paraqitje mbresëlënëse dhe shumë dinjitoze.

Nën drejtimin e presidentit të ri të Federatës së Golfit, Armand Metani, kombëtarja shqiptare ka hyrë tashmë në një dimension të ri ku po u jepet përparësi të rinjve shqiptarë anë e mbanë globit të luajnë për fanellën kuq e zi dhe ta nderojnë atë në çdo kompeticion ndërkombëtar.


Shtuar 8.08.2023 17:31