Basha kryetar i PD pas 29 korrikut? Bardhi: S’ka vendim të Këshillit Kombëtar për zgjedhje, kushdo është i lirë ta shpallë veten mbret

Teksa pritet që më 29 korrik të mbahen zgjedhjet për kreun e ri të PD-së, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi ka lënë të kuptohet se nuk do ta njohë Lulzim Bashën si kryetar nëse ky fiton.

Në një intervistë për News24 ai tha se kushdo është i lirë të shpallet mbret apo kryetar partie, por nuk mund të jetë i tillë pa një vendim të Këshillit Kombëtar për mbajtjen e zgjedhjeve.

Kujtojmëv se kundërshtari i Bashës është Gjergj Haniv dhe të dy do të “luftojnë” më 29 korrik për postin e kreut të Partisë Demokratike.

Si do dilet nga konflikti në PD?
Përveç dy palëve, ka edhe një të tretë që është e fokusuar te misioni që ka çdo opozitar në vend për të denoncuar qeverinë. Brenda një jave kemi tre çështje shumë shqetësuese, ngjarjen e Krujës, shkërmoqjen e shtetit për Ahmetajn dhe në komisione po diskutohet legalizimi i kanabisit. Opozita do të duhet të jetë e fokusuar në këto çështje.

Për Krujën ikën Rraja dhe Çuçi, për Ahmetajn po shkohet drejt arrestimit, për kanabisin është ende në shqyrtim në komisione…

Nuk kishte reagim të institucioneve në Krujë. Banorët po protestojnë prej një muaji dhe kishte mungesë veprimi nga institucionet. Ngjarja e Krujës ndodhi në 6 korrik. U paraqitën personat e dhunuar në komisariat dhe nuk pati asnjë reagim. Ishte publikimi i atyre pamjeve shokuese për qytetarët që solli reagimin e institucioneve. Shkarkimin e Çuçit, Rama nuk e ka vendosur si standard por e kishte plan prej kohësh.

Në 29 korrik do mbahen zgjedhjet. Kryesia ka vendosur që procesi të ecë përpara. Në 30 korrik do ta njihni kryetarin e ri?

Pa një vendim të vlefshëm të Këshillit Kombëtar të PD-së në 29 korrik nuk ka zgjedhje për kryetarin e PD. Unë i qëndroj këtij standardi.

Do konsiderohen nul?

Nuk ka zgjedhje. Zgjedhje ka bërë edhe Berisha që e quan veten kryetar të PD-së. Pa një vendim të vlefshëm të Këshillit Kombëtar nuk ka zgjedhje për kryetar të PD-së. Çdokush është i lirë që të shpallë veten mbret, apo kryetar. Është në zgjedhjen e tij të lirë. Po flas për statut, rregulla dhe procese legjitime brenda një force si PD-ja.

6 deputetë morën një nismë për të kontaktuar anëtarët e PD-së. Në çfarë faze është? Kur do ta thërrisni Këshillin Kombëtar legjitim?

Nuk kam informacion deri në çfarë faze janë kolegët.

Ka disa deputetë që nuk po qëndrojnë as me Berishën as me Bashën. Cili do të jetë fati i këtij grupi?

PD ka vuajtur se është identifikuar me kultin e individit. Ne nuk jemi në PD për asnjë emër të përveçëm. Ne nuk kemi pasur një qëndrim për Berishën kur shkel statutin dhe qëndrim të ndryshëm për Bashën kur shkel statutin. Ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë interesit të anëtarëve të PD-së dhe ata kërkojnë që opozita të jetë në misionin e saj të të bërit opozitë. Kush do të luftojë për karrige është i lirë ta bëjë.


Shtuar 11.07.2023 15:49