Suksesi i Ukrainës rrezikon të përçajë miqtë e saj

Nga Edward Lucas “Center for European Policy Analysis

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Mund të ndodhë brenda ditëve, javëve ose muajve. Fakti është se kundërofensiva e Ukrainës po afrohet. Spekulimet mbi kohëzgjatjen dhe drejtimin e tij janë të kota. Çelësi i suksesit është kapja në befasi e pushtuesve rusë. Por suksesi është jetik për arsye diplomatike po aq sa edhe ushtarake.

Në ditët e para të pushtimit të Ukrainës në shkallë të plotë nga e Rusisë, shumica e ekspertëve në Berlin, Bruksel, Paris dhe gjetkë, parashikuan se operacioni i Moskës në vitin 2022 do të ishte një përsëritje e atij të vitit 2014: një përparim i shpejtë rus, një tërheqje e Ukrainës dhe një zgjidhje diplomatike e ndërmjetësuar.

Por ukrainasit treguan se parashikime të tilla ishin të gabuara. Rezistenca e tyre ndërtoi një konsensus të gjerë pas sanksioneve, dërgesave të armëve, mbështetjes financiare dhe gatishmërisë për të përballuar kostot e luftës, dhe kryesisht çmimet më të larta të energjisë.

Kundërshtimi ndaj politikës pro-ukrainase në shumicën e vendeve u izolua në periferinë e skenës politike. Ky konsensus mbështetet tek dy besime: se lufta është e fitueshme dhe se Ukraina po e fiton atë. Por këto perceptime mund të ndryshojnë lehtësisht.

Në rast se ofensiva e Ukrainës ngec ose prodhon vetëm disa përfitime modeste, shumë njerëz në “Perëndimin e vjetër” – vende si Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja – do të dridhen para perspektivës së një viti tjetër luftimesh. Ata do të pyesin veten nëse po vjen koha për një lloj marrëveshjeje të tipit “tokë në këmbim të paqes”, ndoshta e ndërmjetësuar nga Kina.

Por ide të tilla janë delirante. Ukrainasit nuk do të ndalojnë së luftuari derisa Rusia të ndalojë së sulmuari. Miqtë e tyre të ngushtë në Poloni, shtetet baltike dhe gjetkë do të vazhdojnë t’i mbështesin ata. Mbështetja e tyre për kauzën ukrainase, nuk mbështetet tek perceptimet e suksesit – dëshira për të mbështetur një fitues – por tek një perceptim i zymtë i kërcënimeve reale.

Nëse imperializmi rus nuk shkatërrohet nga disfata në Ukrainë, është vetëm çështje kohe përpara se Kremlini të ri-fuqizohet, të rimëkëmbet dhe të kthehet në sulm. Objektivi i tij mund të jetë sërish Ukraina ose ndonjë vend tjetër fqinj.

Zbehja e mbështetjes për Ukrainën nga “Perëndimi i vjetër” dhe me vullnet të dobët nuk paralajmëron paqe, por më shumë luftë. Ajo që shumë njerëz në Perëndim nuk arrijnë ta kuptojnë, është se duan apo jo, ne jemi duke u përballur me një dekadë ose më shumë me një Rusi agresive dhe të rrezikshme.

Duke humbur shumë mundësi në parandalimin e revanshizmit të 30 viteve të fundit, tani jemi të mbërthyer në një luftë të ashpër me të. Ndaj të urosh largimin nga kjo përballje, vetëm sa e vështirëson problemin që kemi përballë. Rreziku më i madh nuk është mungesa e një suksesit të dukshëm.

Unë shqetësohem më shumë për problemet me të cilat do të përballemi në rast se do të jetë e suksesshme ofensiva e re e Ukrainës. Për shembull imagjinoni ndërprerjen e “urave tokësore” për në Krime dhe që pushtimi i Rusisë të nisë të bëhet i paqëndrueshëm.

Kremlini do të kërcënojë me përshkallëzimin e luftës – ose me armë të shkatërrimit në masë, ose me sabotim dhe mjete të tjera. Pozitat e Vladimir Putinit do të lëkunden ndjeshëm. Dhe kjo do të nxisë një tjetër periudhë të menduari deluzional, ku fitorja e Ukrainës do të këmbehet me perceptimin e stabilitetit.

Ndaj shumëkush në Perëndim mendon që nuk duhet rrezikuar që në Moskë të ngjitet në pushtet një fashist i hapur. Nuk duhet rrezikuar që Rusia të shpërbëhet. As apokalipsi bërthamor. Ndaj duhet që tu thuhet ukrainasve të heqin dorë nga lufta sa janë ende në kohë.

Nëse nuk e pranojnë këtë këshillë, rrezikojnë të humbasin mbështetjen jetike ushtarake dhe financiare nga Perëndimi. Kremlini e di se si ta luajë këtë lojë. Unë u vendosa si korrespondent në shtetet baltike në fillim të viteve 1990, dhe shihja i tmerruar teksa reformistët e supozuar në Moskë kërkonin që Perëndimi të bënte lëshime për të mbajtur jashtë pushtetit ata të “të vijës së ashpër”.

Në fakt këta të fundit – ekstremistë të së djathtës ekstreme dhe zëdhënës ushtarakë – ishin  kryesisht krijesa të Kremlinit. Në ato kohë kërkesat përqendroheshin në dhënien e parave dhe mbështetjes politike të regjimit të falimentuar të Boris Yelstin, dhe kritikimin e shteteve baltike për politikat e tyre gjuhësore ndaj pakicës ruse.

Versioni modern do të ketë të bëjë me heqjen e sanksioneve dhe frenimin e lëvizjeve “provokuese”, si për shembull vendosja e forcave të huaja në Ukrainën e pasluftës për të ofruar siguri të vërtetë. Qesharake? Shpresoj që po. Por mos vini bast për këtë. /albeu.com


Shtuar 4.04.2023 09:19