Në Kosovë ka një numër të madh të rasteve me tuberkuloz
Në Kosovë gjatë këtij viti janë regjistruar rreth 1000 raste me tuberkuloz. Ndërsa rreth një e treta e popullatës në botë është e infektuar nga tuberkulozi, thotë pulmologu Gazmend Zhurri.

”Sa i përket tuberkulozit, gjendja nuk është e mirë. Krahasuar me numrin e të prekurve me këtë sëmundje me vitin 1999 kemi rënie të numrit ndër vite, por rreth 950 pacientë të rinj preken me këtë sëmundje gjatë vitit”.

”Pacientët trajtohen sipas strategjisë që aplikohet në tërë botën, dhe ilaçet janë falas. Fondi global ndihmon shumë për këtë sëmundje, dhe është përkrahësi kryesor në trajnimin e mjekëve infermierëve”.

”Në QKUK, në klinikën e mushkërive janë 68 shtretër gjithsej dhe rreth 40 për qind janë pacientë me tuberkuloz. Një pjesë e tyre është me tuberkuloz aktiv, disa nga ta me ndryshime të vjetra dhe janë në ritrajtim,” bën të ditur Zhurri.

Projekti i Fondit Global në Kosovë, paraqet mbështetjen kryesore në luftën kundër tuberkulozit. Shuma e Fondit Global që i dedikohet Kosovës, ishte 5 milionë dollarë për 5 vjet.

Skënder Syla, udhëheqës i zyrës së OBSH-së në Kosovë, ka bërë të ditur se viteve të fundit janë shfaqur edhe forma shumë rezistente gjatë trajtimit ndaj tuberkulozit.

Ai deklaron se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në drejtim të kontrollit të tuberkulozit. Tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse, e cila nga personi i sëmurë tek ai i shëndoshë përhapet përmes ajrit, pështymës, teshtitjes dhe kollitjes.

Shenjat e para të tuberkulozit janë plogështia, zbehja, humbja e oreksit si dhe temperatura e lartë.

Edhe Musa Hoxha, pulmolog, vlerëson se gjendja aktuale me numrin e të prekurve me tuberkuloz nuk është e kënaqshme.

”Në bazë të rasteve që kemi me forma të rënda të tuberkulozit, janë indikator epidemiologjik e që nënkupton se kjo sëmundje nuk ka rënie. Gjendja është jo e mirë edhe pse kushtet për trajtim janë përmirësuar, është bërë renovimi i klinikës, ilaçe antituberkulare ka, dhe barnat pa pagesë janë për të gjithë pacientët”, shprehet Hoxha.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, sa i përket analizimit të gjendjes shëndetësore, ky institut ka kapacitete ekzistuese që ta monitorojë tuberkulozin. /albeu.com/
Shtuar më 20/12/2013, ora 12:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori