“Situata në Veri skenar i BIA-së dhe FSB-së”, politikani serb: Vuçiç po provokon luftë në Kosovë

Që prej 26 majit situata në veri të Kosovës është tensionuar, pasi qytetarët serbë nisën protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

30 ushtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it janë plagosur gjatë përplasjes me grupe protestuesish serbë. Të lënduar në veri të Kosovës ka edhe nga radhët e protestuesve, por akoma nuk dihet numri i saktë.

Në lidhje me situatën, Isidor Stefanoviç nga Nisma Liberale Demokratike në Vrajë ka akuzuar shërbimin sekret serb dhe rus se qëndrojnë prapa trazirave në Veri të Kosovës.

“E gjitha është skenar i BIA-së dhe FSB-së ruse” ka thënë Stefanoviç. Stefanoviç thotë se Vuçiç po provokon luftë në Kosovë.

“Këta ( serbët e dhunshëm në veri) janë po të njëjtit që ushtruan dhunë kundër popullit në Beograd. Vuçiç po provokon luftë në Kosovë” ka shtuar Stefanoviç.