Zaptoi plazhin në Ksamil, shpallet në kërkim pronari i një lokali pa leje

Pronari i një lokali në plazhin “Laguna” në Ksamil është shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohet për ndërtim pa leje dhe pushtim të tokës për të ndërtuar objektin.

60-vjeçari, Resul Piro akuzohet se ka ndërtuar dhe ka vendosur pa leje 120 çadra dhe 240 shezlongë në një sipërfaqe që është pronë e shtetit dhe në një tjetër që është pronë e tij.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë 3 punonjës të IMT në Bashkinë Sarandë për shpërdorim detyre. Ata dyshohen se kanë lejuar lokalin pa leje. Autoritet kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 120 çadra dhe 240 shezlonge.

Njoftimi i Policisë

Gjatë kontrolleve të territorit në vijën bregdetare në jug të vendit, IKMT në bashkëpunim me Policinë e Sarandës konstatuan një lokal plazhi pa leje.

U referuan materialet procedurale në Prokurori dhe u shpall në kërkim R.P., për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës” për objektin dhe punimet përreth, në zonën e njohur si “Laguna”.

Ai dyshohet se ka kryer punime pa lejen e autoriteteve përkatëse. Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë edhe 3 punonjës të IMT së Bashkisë Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Ata dyshohet se duke mos vepruar, kanë lejuar ndërtimin pa leje të objektit në bregdet. Autoritetet kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 120 çadra dhe 240 shezlonge./albeu.com/


Shtuar 19.07.2023 22:58