Milot Rashica përfundon në radarët e Napolit

Klubet evropiane vazhdojnë të ndjekin me kujdes situatën e Milot Rashicës.

Njëri prej klubeve të njohura që do yllin kosovar është edhe Napoli.

Mediat italiane shkruajnë se klubi napolitan e ka në shënjestër futbollistin e Werder Bremenit.

“Radio Marte” raporton se 23-vjeçari mund ta vazhdojë karrierën në Itali dhe e ardhmja e tij mund të jetë e lidhur me stadiumin “San Paolo”.

Gjithashtu, përfaqësuesin kosovar e pëlqen edhe Lazio në Itali.

Në Angli, ish-futbollistin e Vushtrrisë e duan Liverpooli, Aston Villa e Wolverhamptoni.

Kurse, në Gjermani atë e pëlqejnë Leipzigu dhe Borussia Dortmundi.

Rashica ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022.

Klauzola e shkëputjes së kontratës së tij është 38 milionë euro.

Por, nëse Bremeni bie nga Bundesliga, kjo shumë do të ulet dukshëm.

Aktualisht, futbollisti ofensiv është i dëmtuar, por Werderi shpreson që ta ketë atë në dispozicion në ndeshjen e fundjavës me Paderbornin.

Rashica ka realizuar 10 gola këtë sezon, por fatkeqësisht nuk e ka gjetur golin në Bundesligë në vitin 2020.


Shtuar 10.06.2020 13:28