Mos konsumoni alkol nëse po ushqeni fëmijën me gji!
Ekspozimi i fëmijës ndaj alkoolit nëpërmjet qumështit të gjirit mund të ndikojë tek shëndeti mendor i fëmijës, duke ulur aftësitë e tij njohëse.

Në këtë përfundim ka arritur një studim i kryer nga Universiteti Macquarie në Australi, i cili është publikuar këtë të hënë në revistën “Pediatrics”.

“Ky është studimi i parë ku është ekzaminuar lidhja mes ekspozimit ndaj alkoolit nëpërmjet qumështit të gjirit dhe aftësive njohëse tek fëmijët”, thonë shkencëtarët nga Universiteti Macquarie.

Autorët i morën të dhënat nga një studim afatgjatë, ku janë përfshirë më shumë se 5000 foshnje nga Australia. Që nga viti 2004 ata u monitoruan çdo dy vjet deri në moshën 11 vjeç.

Nënat e tyre ishin pyetur për konsumimin e alkoolit nga një pyetësor i bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ata u pyetën gjithashtu për pirjen e duhanit gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji. Fëmijët kryen disa teste të memories, të të folurit, arsyetimit dhe aftësive njohëse, shkruan Shendeti +.

Fëmijët, nënat e të cilëve kishin konsumuar alkool gjatë kohës që i kanë ushqyer me gji, morën më pak pikë në testet e kryera.

Shtuar më 31/08/2018, ora 15:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori