Protesta e opozitës, disa rrugë të bllokuara, 1500 efektivë në terren, blindohet kryeministria

Ditën e sotme, 11 shkurt, opozita do të zhvillojë një protestë kombëtare e cila është parashikuar të fillojë në orën 12:00 përballë kryeministrisë.

Për liderët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, ky është një mobilizim si asnjëherë më parë dhe Tirana duhet të derdhet në shesh kurse Shqipëria duhet të vërshojë drejt Tiranës.

Mësohet se nuk do të ketë protestë vetëm para godinës së Kryeministrisë, por edhe para bashkisë së Tiranës si një nga institucionet e akuzuara nga opozita për korrupsion.

Në kuadër të kësaj proteste disa nga rrugët e kryeqytetit do të bllokohen. Gjithashtu 1500 efektivë të policisë së shtetit do të jenë në terren.

Sakaq godia e kryeministrisë është blinduar prej mbrëmjes së djeshme. Gjithashtu mësohet se është blinduar edhe kryesia e Kuvendit.

Nga ora 06:00 e mëngjesit (11 shkurt) nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 11.02.2023 deri në përfundim të tubimit.

Protesta nuk ka një limit kohor se kur do të mbarojë pasi PD e Berishës thotë se do e përcaktojnë vetë qytetarët. Protestuesit fillimisht do të mblidhen tek selia e Partisë Demokratike, në sheshi ‘Skëndërbej’ dhe atë Nënë Tereza dhe më pas do të zhvendosen para kryeministrisë. Sipas organizatorëve, në shesh do të jenë rreth 100 mijë qytetarë.

Kjo protestë u njoftua nga Berisha pasi në akt-akuzën amerikane për agjentin e FBI, Charles McGonigal përmendej se ai ka zhvilluar takim me kryeministrin Edi Rama. Opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se ka paguar McGonigal për të shkatërruar PD, por nga ana tjetër kreu i qeverisë thotë se ka zhvilluar takim me agjentin në cilësinë e zyrtarit të FBI dhe se nuk ka asnjë lidhje me hetimin në SHBA.

Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal  po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës, dhe mosdeklarim të tij, për të cilin ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.


Shtuar 11.02.2023 07:36