Rusia ka një histori të gjatë mizorish, por deri ku do të arrijë Putin në Ukrainë?

The Guardian

Forcat ruse janë përballur me rezistencë më të fortë dhe më efektive nga sa kishte parashikuar Kremlini, por lind pyetja: çfarë vjen pas kësaj. Ushtria ruse ka një histori të gjatë mizorish  me shkelje serioze të ligjeve të luftës, duke përfshirë shënjestrimin e civilëve dhe nënshtrimin e tyre pa dallime.

Gjatë 2015 dhe 2016, bombardimet ruse shkatërruan kryesisht pjesët e kontrolluara nga opozita të Aleppos lindore, qyteti më i madh i vendit për nga popullsia. Pas një rezistencë të gjatë, forcat opozitare u dorëzuan.

Forcat ruse përsëritën të njëjtat taktika më vonë, në Ghouta Lindore dhe Idlib, me rezultate po aq shkatërruese. Ata bombarduan qëllimisht spitalet, tregjet, shkollat ​​dhe ndërtesat e banimit, në disa raste në mënyrë të përsëritur, raporton abcnews.al

Qëllimi ishte që të vështirësohej jeta për civilët aq shumë sa ata të largoheshin, duke e bërë më të lehtë për trupat tokësore siriane hyrjen në vend. Megjithatë, në Aleppo dhe Idlib, forcat ruse operuan kryesisht nga qielli. Me forcat tokësore ruse të angazhuara në Ukrainë, ndoshta analogjia më e afërt me situatën e sotme është lufta e dytë në Çeçeni midis viteve 1999 dhe 2000, kur forcat ruse shkatërruan plotësisht kryeqytetin, Grozny.

Në vitin 2003, Organizata e Kombeve të Bashkuara e cilësoi Grozny “qytetin më të shkatërruar në Tokë”. Forcat ruse kryen gjithashtu masakra, torturuan dhe zhdukën me forcë mijëra prej tyre.

Tashmë duket sikur forcat ruse në Ukrainë po ndjekin të njejtën metodë pa dallim, por këto janë vetëm ditët  e para. Forcat ruse në lindje kanë përdorur municione thërrmuese, të cilat rrezikojnë civilët. Edhe pse as Rusia dhe as Ukraina nuk i janë bashkuar traktatit që ndalon municionet thërrmuese, këto sulme shkelin ligjin e luftës.

Përveç kësaj, rusët kanë përdorur raketa balistike në zonat e populluara.

Pra, çfarë duhet të bëjmë për të ndaluar përshkallëzimin e situatës, në mënyrë që të mos rrezikohen civilët e pambrojtur?

Disa kanë menduar se publikimi i videove në rrjetet sociale  mund të shërbejë si pengesë duke dokumentuar çdo krim lufte. Por  për sulmet në Siri u publikuan gjithashtu video dhe u shpërndanë në mediat sociale por pa asnjë efekt.

Në rastin e Idlibit, presioni ndërkombëtar funksionoi për të ndaluar bombardimet e synuara të strukturave civile. Presioni ushtarak nga sulmet me dron turq mbi forcat siriane, presioni diplomatik nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, dhe denoncimet e përsëritura nga anëtarët e këshillit të sigurimit të OKB-së arritën të ndalonin sulmet ruse në mars 2020.

Por aksionet politike janë më të larta në Ukrainë, ku trashëgimia e Putinit  është ajo që po rrezikohet tani, dhe presioni më i madh është sigurisht tani mbi Kremlinin. Ngritja e një padie për krimet e luftës mbetet një mundësi.

 

Për shkak se Siria nuk iu drejtua kurrë gjykatës penale ndërkombëtare (ICC), gjykata nuk ka pasur juridiksion mbi krimet e rënda të kryera atje. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së krijoi një organ me bazë në Gjenevë për të mbledhur dhe ruajtur provat e krimeve të rënda.

Por edhe pse Human Rights Watch u përpoq të gjente prova për krimet e luftës në Idlib, asnjë zyrtar rus nuk është akuzuar.

Nuk është tepër vonë për ta bërë tani.

Për më tepër, ICC ka juridiksion mbi krimet e rënda të kryera në Ukrainë sipas provave të paraqitura nga qeveria ukrainase. Tashmë prokurori i ICC ka shpallur një hetim dhe 39 anëtarë të gjykatës e kanë mbështetur.

Në fund të fundit, të vetmit që mund ti japin fund luftës janë populli rus.

Mijëra rusë kanë protestuar kundër luftës, pavarësisht thirrjeve se kushdo që proteston do të ndiqet penalisht. Më shumë se një milion njerëz kanë nënshkruar një peticion kundër luftës përfshirë artistë, muzikantë, akademikë, shkrimtarë, raporton abcnews.al

Asambleja e përgjithshme të OKB-së dhe këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut janë në proces të miratimit të një mekanizmi të posaçëm për të monitoruar, raportuar dhe mbledhur prova të krimeve të luftës në Ukrainë.

Këto organe të OKB-së duhet të krijojnë një mekanizëm të ngjashëm edhe për represionin në Rusi. Në të njëjtën mënyrë, ndërsa qeveritë e botës i vendosin sanksione Rusisë dhe personave që kanë mbështetur Putin, sanksionet nuk duhet të prekin qytetarët.

Bashkëpunimi me popullin rus ndërsa ata përpiqen ti japin fund taktikave brutale të Putinit mund të jetë mjeti më i mirë që kemi për të parandaluar që Kievi dhe Kharkiv të bëhen Alepo dhe Grozni i ardhshëm./abcnews.al


Shtuar 4.03.2022 10:41