Leuçemia, shenjat paralajmëruese dhe shkaqet
Leukemia është një kancer i qelizave të gjakut, e cila e merr zanafillën e saj në palcën e kockës e cila gjendet brenda kockave të njeriut. Duhet të kemi parasysh se është pikërisht palca jonë e kockave vendi ku prodhohen qelizat përbërëse të gjakut tek njeriu.

Qelizat e gjakut ndahen në: leukocitet (rruazat e bardha të gjakut) të cilat shërbejnë për të mbrojtur organizmin tonë nga infeksionet, eritrocitet (rruazat e kuqe të gjakut) të cilat mbartin dhe dërgojnë në çdo qelizë të trupit tonë oksigjenin dhe largojnë dioksidin e karbonit dhe trombocitet që bëjnë të mundur që gjaku ynë të mpikset, shkruan Shendeti+.

Në palcën e kockës gjenden qelizat totipotenciale që quhen edhe qelizat staminale nga e cila marrin origjinën të gjitha qelizat e gjakut.

Leukemia ndodh pikërisht kur një qelize staminale hematopoietike pëson “transformim” malinj si pasojë e mutacioneve gjenetike të ndryshme që ndodhin në AND-në e saj, duke u kthyer në një qelizë primitive, të padiferencuar me një jetëgjatësi jonormale.

Pra, palca e kockës fillon të prodhojë qeliza jonormale të cilat quhen qeliza leukemike, të cilat nuk funksionojnë normalisht dhe që kanë një rritje e zhvillim më të shpejtë se ai i qelizave normale dhe nuk i binden sinjaleve të frenimit të rritjes. Kjo sjell që në mënyrë graduale këto qeliza të përfshijnë thuajse krejt palcën kockore, duke penguar e frenuar qelizat normale të palcës. Kjo sjell probleme të mëdha e mjaft pasoja të rëndësishme për shëndetin e jetën e individit, pasi shoqërohet me anemi, hemorragji dhe infeksione të ndryshme.

Qelizat leukemike mund të infiltrojnë organe dhe zona të ndryshme të organizmit tonë duke përfshirë mëlçinë, shpretkën, limfonodujt, trurin, veshkat dhe gonadet. Leukemitë ndahen në dy grupe të mëdha duke u mbështetur nga lloji i qelizave që janë prekur: leukemitë me qeliza të linjës mieloide dhe në leukemitë me qeliza të linjës limfoide. Leukemitë mund të klasifikohen edhe duke u nisur nga shpejtësia me të cilën ato evoluojnë dhe janë akute dhe kronike.

Në vendin tonë incidenca e Leukemive varion në 3 deri 5 raste të reja në 100 mijë banorë. Pra përafërsisht në vendin tonë kemi afro 400 raste të reja me leukemi në vit, ndërkohë që nga të dhënat statistikore në UK ka afro 9.540 raste të reja në vit dhe në Evropë janë afro 82.300 raste të reja të raportuara në vitin 2012.

Çfarë e shkakton leukeminë?

Ekspertët mbarëbotërorë ende nuk e dinë saktësisht se çfarë e shkakton leukeminë, por mendohet së është një kombinim faktorësh gjenetike dhe ambientalë. Ka mjaft faktorë që mund të rrisin riskun për të zhvilluar leukemi, si p.sh.: faktori gjenetik, psh.: Sindromi Down shoqërohet me një risk të lartë për leukemi. Po ashtu faktorët ambientalë, kimiopreparatet, rrezatimi, kimikatet e ndryshme në punë, benzeni, pesticidet, e rrisin riskun për leukemi. Është parë se duhanpirja shton riskun për të zhvilluar leukemi akute mieloblastike. Por nuk përjashtohen edhe rastet me histori familjare për leukemi. Megjithatë duhet të kemi parasysh se ka shumë individë që kanë këto faktorë të riskut dhe nuk zhvillojnë leukemi, sikundër ka edhe pacientë me leukemi që nuk kanë pasur këto faktorë risku.

Cilat janë grupmoshat më të prekura?

Leukemia është shumë e lidhur me moshën me incidencë më të lartë në meshkujt e femrat e moshuara. Afro 50% e leukemive diagnostikohen në pacientë me moshë mbi 70 vjeç. Incidencë specifike lidhur me moshën ulet gradualisht në moshën 0-4 vjeç, duke qëndruar thuajse e pandryshuar deri në moshën e adoleshencës dhe të adultit të ri. Incidenca fillon të rritet menjëherë, duke filluar nga mosha 40-49 vjeç e lart dhe arrin pikun në moshat 80-89 vjeç te meshkujt dhe +90 vjeç te femrat.

Cilat janë shenjat që shfaq leukemia?

Këto mund të shfaqen disa ditë deri në disa javë para se të vendoset diagnoza e leukemisë. Dhe një hematopoiezë e ç’rregulluar sjell shenjat që hasen më zakonisht dhe që janë anemia, infeksionet e përsëritura dhe hemorragjia apo tendenca e shtuar për gjakosje. Ka edhe shenja të tjera të cilat nuk janë specifike për leukemitë, si psh.: zbehja, lodhja, të nderit i sëmurë, rënia në peshë, takikardia dhe dhimbjet në gjoks, të cilat vijnë zakonisht nga anemia dhe gjendja hipermetabolike që paraqet pacienti.

Pacienti mund të paraqitet me temperaturë, të cilës jo gjithnjë i gjendet shkaku edhe pse granulocitopenia është shkaku i shumë infeksioneve që mund të jenë edhe fatale për jetën e pacientit. Pacienti mund të prezantohet me njolla hemorragjike në lëkurë (petekie, ekimoza), por edhe me epistaksis, gjak nga mishrat e dhëmbëve apo me ç’rregullime të ciklit menstrual. Ndërkohë hemorragjia gastrointestinale apo ajo e traktit urinar është e pazakontë.

Infiltrimi i palcës kockore me qelizat leukemike sjell dhimbje të fortë, atë të kockave, sidomos të fëmijët dhe veçanërisht tek ata me Leukoze akute limfoblastike. Po ashtu pacientët mund të prezantohen edhe me dhimbje të kokës, të vjella si pasojë e meningitit leukemik të shkaktuar nga infiltrimi i sistemit nervor eëndror me qelizat leukemike. Infiltrimet ekstramedulare me qeliza leukemike mund të sjellin zmadhim të limfonodujve, zmadhim me shpretkës dhe të mëlçisë e madje edhe infiltrim të lëkurës, duke dhene leukemia cutis. Hipertrofia gingivale është po ashtu një shfaqje e infiltrimeve ekstramedulare dhe është tipike e leukemisë akute mieloblastike./albeu.com/
Shtuar më 08/02/2017, ora 17:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori