Ngrohja globale, “brutale” ndaj grave

Gratë do t’i vuajnë më së shumti valët e të nxehtit, pasi ngrohja e planetit do ta rrisë rrezikun për punën dhe të ardhurat e tyre, kanë paralajmëruar hulumtuesit.

Sipas një raporti të përpiluar nga Adrienne Arsht, i nxehti nuk ndikon njëjtë te të dyja gjinitë dhe është më i rrezikshëm për gratë – qofshin ato në shtëpi, apo në vend të punës.

Kjo organizatë joqeveritare me seli në SHBA, e cila i ka analizuar të dhënat në Indi, Nigeri dhe Shtetet e Bashkuara, ka thënë se i nxehti ekstrem mund t’i vrasë 204.000 gra në vit në tri kontinentet.

“I nxehti ekstrem është thellësisht brutal për gratë në gjithë botën”, ka thënë Kathy Baughman McLeod, drejtoreshë e Arsht-Rock.

Edhe në raport është thënë se i nxehti përbën barrë dyfish më të rëndë për gratë.

“Gratë, jo vetëm që janë fizikisht më të ndjeshme për t’u sëmurë nga nxehtësia, por prej tyre pritet edhe që të kujdesen për secilin që sëmuret nga i nxehti, qoftë ajo punë me pagë apo jo”, ka thënë McLeod për agjencinë e lajmeve Reuters.

Valët e të nxehtit janë duke thyer rekorde në gjithë botën dhe lirimi i vazhdueshëm i emetimeve të karbonit në atmosferë – kryesisht nga përdorimi i thëngjillit, naftës dhe gazit – do t’i çojë temperaturat globale në territor të panjohur në vjetët në vijim, kanë thënë shkencëtarët.

E gjithë kjo situatë do t’i detyrojë gratë të punojnë më gjatë – qofshin ato në ambiente të jashtme në sektorin e bujqësisë, apo duke i kryer punët e shtëpisë, sikurse gatimi dhe pastrimi i shtëpisë, për pak para apo aspak, është thënë në raport.

“Gratë e varfra po zhyten edhe më tepër në varfëri. Dhe, gratë që i kanë ikur asaj situate, janë duke rrezikuar që të rikthehen prapë”, ka thënë McLeod.

Mungesa e kondicionerëve i godet gratë më së shumti
Mesatarja e ditëve me mot ekstrem pritet që të dyfishohet deri më 2050 në Indi, Nigeri dhe Shtetet e Bashkuara dhe besohet gratë nga komunitetet më të varfra dhe më të margjinalizuara do të goditen më së shumti, është thënë në raport.

Sipas hulumtimeve, humbja e produktivitetit nga moti i nxehtë – që nëse materializohet arrin në 120 miliardë dollarë çdo vit – do të vërehet më së shumti te punët e shtëpisë dhe është e lidhur me mungesë të qasjes në pajisje ftohëse.

Rreth 1.2 miliard njerëz në zona të varfra rurale dhe urbane besohet se do të jetojnë pa qasje në pajisje freskuese deri më 2030, dhe 323 milionë prej tyre do të jenë në Indi, ka thënë organizata e përkrahur nga Kombet e Bashkuara, Energji të Qëndrueshme për të Gjithë.

Lista e pajisjeve të nevojshme ftohëse përfshin kondicionerët shtëpiakë e deri të zinxhirët e ftohjes në ferma.

Sipas gjetjeve të raportit, gratë shpenzojnë dy herë më shumë kohë sesa burrat në punët e shtëpisë, në kujdesin ndaj fëmijëve dhe familjarëve të moshuar – dhe ato që nuk do të kenë qasje në pajisje ftohëse, do të përballen me rënie të madhe të produktivitetit.

Në kombet si Nigeria, ku i nxehti e rrit rrezikun për sëmundjet si malaria, nënat përballen me presion të dyfishtë, sepse ato duhet të kujdesen edhe për veten edhe për familjarët e sëmurë, duke e rritur kështu numrin e orëve të punës, pa pagesë.

Mjekët në Nigeri, të cilët përballen me ndërprerje të shpeshta të rrymës, janë duke bërë thirrje për spitale të ventiluara më mirë dhe kanë thënë se gratë shtatzëna duhet të marrin pushime, të paktën tri orë, nëse punojnë në ambiente të jashtme.

“Gratë shtatzëna rrezikojnë më shumë që të përballen me vdekje të lidhura me të nxehtin, pasi rritja e temperaturës ndikon në rritje të fetusit dhe e komplikon në përgjithësi shëndetin e nënës”, ka thënë Samuel Adebayo, gjinekolog në Lagos.

Nigeria regjistron 20 për qind të vdekjeve të nënave në botë – 58.000 gra në vit – është thënë në raportin e Arsht-Rock, duke i cituar të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në Britani, ku gratë me ngjyrë kanë katër herë më shumë gjasa që të vdesin gjatë procesit të lindjes, ndryshimet klimatike vetëm do t’i përkeqësojnë sfidat me të cilat ato përballen, ka thënë Selvaseelan Selvarajah, mjek në rajonin lindor të Londrës.

Përderisa të pasurit mund ta përballojnë blerjen e kondicionerëve, dhe kostot tjera të energjisë, të varfrit nuk munden, ka thënë Selvarajah.

“Në zonat e varfra, edhe nëse shteti ua dhuron një kondicioner, ju duhet të paguani më pas qindra funta në muaj për rrymën, andaj ka gjasa që pajisja nuk do të lëshohet”, ka thënë ai.

Puna e padukshme e rrit edhe më shumë rrezikun për gratë
Savitri Devi, 40-vjeçare, e ka kaluar verën në fushat e rajonit indian Uttar Pradesh këtë vit, ndonëse temperaturat kanë arritur deri në 44 gradë celsius, pavarësisht se shumë njerëz kanë vdekur si pasojë e të nxehtit në atë shtet, në muajin qershor.

Gratë në Indi e humbin një të pestën e pagës për shkak të të nxehtit. I nxehti ekstrem është duke i zhytur gratë edhe më shumë në varfëri, sidomos në sektorin e bujqësisë, ku 70 për qind e punëtorëve janë gra, është thënë në raport.

“Sigurisht se kam vuajtur duke punuar në diell. Jam sëmurë dhe paga ime është zvogëluar për çdo orë që nuk kemi mundur të punojmë, si pasojë e të nxehtit. Por, çfarë të bëj? Më duhet të punoj për para”, ka thënë Devi, e cila i fiton 3.05 dollarë për tetë orë pune në ditë.

Ekspertët e punës besojnë se rritja e shkallës së nxehtësisë e ka bërë më të vështirë jetën, sidomos për të varfrit që jetojnë në zona rurale.

Përveç ndikimit që ka i nxehti në të mbjella, një situatë e tillë nxit ikjen e burrave nga fshatrat, në kërkim të punëve alternative dhe kështu gratë përfundojnë duke u kujdesur edhe për fermat, edhe për familjet.

Benoy Peter, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Migrim dhe Zhvillim Gjithëpërfshirës, organizatë joqeveritare me bazë në Kerala, ka thënë se në Indi puna më e madhe në sektorin e bujqësisë kryhet nga gratë, por ajo mbetet në hije.

“Gratë i kryejnë punët nëpër ferma, kujdesen për personat e moshuar dhe për fëmijët. Por, nëse ato sëmuren, nuk është askush afër tyre që t’i çojë të mjeku”, ka thënë ai.

McLeod nga Arsht-Rock ka thënë se njerëzit kanë nisur t’i kuptojnë efektet e të nxehtit – nga perspektiva financiare dhe shëndetësore – dhe e kanë theksuar nevojën e marrjes së veprimeve urgjente për këtë çështje.

“Kjo krizë, marrë parasysh emetimet tona… vetëm është duke u përkeqësuar”, ka thënë ajo.

“Askush nuk duhet të vdesë nga i nxehti. Të gjitha këto vdekje janë të parandalueshme. Vetëm shpresojmë që njerëzit t’iu kushtojnë rëndësi”./REL


Shtuar 1.08.2023 09:22