Bëri namin në Tik Tok, KPK rinis hetimet për gjyqtaren Enkeleda Kapedani

Janë rihapur hetimet nga KPK për gjyqtaren Enkeleda Kapedani, gjyqtarja e Elbasanit e cila bëri xhiron e rrjetit me videot e saj në Tik Tok.

Seanca e fundit u zhvillua më 15 nëntor. Vetë Kapedani ka zgjedhur të mos mbrohet me avokat, duke u paraqitur e vetme para trupës së Vettingut. Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i lexoi gjetjet e procesit të vetingut gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, duke theksuar se nuk janë hasur probleme me pasurinë e saj. Ajo rezulton se ka një shtëpi të blerë me kredi, ndërkohë që iu kërkua llogari për përdorimin e një makine që gjyqtarja tha se e ka deklaruar. Blerja e një mjeti tip kamion nga bashkëjetuesi në vlerën e 9.5 milionë lekë dhe shitur 32 mijë euro ishte një nga gjetjet e KPK-së.

Kapedanit iu kërkua shpjegime edhe për shuarjen e dënimit të Viktor Ymerit, për të cilin gjyqtarja solli prova se nuk ishte ajo që kishte ndryshuar dënimin e përjetshëm, por një trupë e vjetër gjyqësore. KPK e pyeti edhe nëse ishte shkelje etike publikimi i disa videove në Tik-Tok dhe Kapedani u shpreh se çështja e etikës i takon KLGJ-së dhe jo vettingut e për rrjedhojë nuk e komentoi fare.

Më herët ILDPK-ja ka deklaruar se Kapedani nuk ka burime të ligjshme për pasurinë e saj dhe se nuk ka bërë deklarime të sakta.  Kapedani u pezullua nga detyra pas videove që i dolën në media, ku shfaqej duke bërë sfilandë në zyrat e gjykatës dhe duke dëgjuar muzikë “gangsta”. Gjyqtarja është justifikuar për sfilatat e saj në rrjetet sociale, duke thënë se videot dhe foto ia ka bërë vetes për të hequr stresin dhe lodhjen që kishte nga puna.