Kujtimet e ish-kryehetuesit të diktaturës: Si ruheshin Enveri dhe Mehmeti, masat që kishin marrë në rast të ndonjë sulmi

Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Vila kryeministrore, vendi i tragjedisë më makabre në “parajsën” e Bllokut të Udhëheqjes

Vila “misterioze” dhe e “frikshme” e kryeministrit, e ndërtuar për të rritur autoritetin e pasardhësit të udhëheqësit, i cili e vlerësonte si shokun e tij besnik, do të bëhej vendi i krimit të vrasjes së fshehtë për ta eliminuar e zhdukur dhe për t‘i hapur rrugën një trashëgimtari tjetër të zgjedhur nga familja e udhëheqësit. Në popull dhe në media është folur dhe aluduar shumë për vilën e re, banesën ku jetoi vitet e fundit dhe përfundoi në mënyrë tragjike jetën Mehmet Shehu. Edhe kur shkoi Enver Hoxha për urim për të birin, ai përdori pretekstin e shtëpisë së re.

Cila ishte kjo shtëpi e re? Shtëpia e re në fakt ishte zgjerim i shtëpisë së vjetër të ndërtuar në vitet tridhjetë, bashkë me vilat e tjera të elitës qeveritare të asaj kohe. Në katin e parë të kësaj shtese ishte një dhomë e mobiluar me kolltukë. Në këtë dhomë ishte një televizor me ngjyra për të gjithë banorët e shtëpisë. Asnjë dhomë tjetër nuk ishte pajisur me televizorë. Karshi dhomës së televizorit ishte dhoma e ngrënies, e cila shërbente për të gjithë familjen. Kjo ishte një dhomë e thjeshtë. Ngjitur me të ndodhej një kuzhinë, e cila ishte e pajisur me orenditë e nevojshme për gatim, si sobë me korrent, frigorifer e pajisje të tjera të zakonshme. Në pjesën e korridorit ndodhej një banjë, tualet, e më tej një derë jo e madhe nga ku dilej mbrapa shtëpisë, ku ishte dhe garazhi i makinave. Po në këtë korridor fillonte dhe një tunel i nëndheshëm, që dilte në garazhin e makinave të Mehmetit. Tuneli ishte afërsisht 150 metra i gjatë, i ndërtuar në bazë të konceptit të strategjisë së fortifikimit të Bllokut të Udhëheqjes. Nuk ka pasur asnjë tunel tjetër, siç është thënë e diskutuar në media. Në të majtë të hyrjes së shtëpisë së re ishte studioja e tij e punës pas orarit zyrtar në kryeministri, ose salla ku Mehmeti zhvillonte edhe në ndonjë rast të veçantë mbledhje si kryeministër. Kjo ishte një dhomë e madhe me oxhak, kishte një tavolinë të gjatë në mes, e pajisur me kolltukë e karrige, po të prodhimit të fabrikës „Misto Mame“. Në katin e dytë të kësaj shtëpie flinte Mehmeti dhe ngjitur me të ndodhej dhoma ku flinte Fiqireti. Lart në katin e tretë të po kësaj ndërtese ishte vendosur studioja e Bashkimit. Edhe ajo ishte e pajisur me orendi të mira. Atje ishte vendosur edhe biblioteka me libra kryesisht të letërsisë artistike, të cilët ai i kishte në përdorim për t‘u aftësuar në ambiciet që deklaronte se i kishte vënë vetes për t’u bërë shkrimtar.

Blloku i blinduar, ruajtja dhe sigurimi i udhëheqjes. Tri rrethimet e Gardës së Republikës

Garda e Republikës kishte detyrë kryesore ruajtjen fizike të shtëpive të banimit, shoqërimin e funksionarëve të lartë të Partisë së Punës në vilat e tyre në Bllokun e Udhëheqjes në Tiranë e në vilat e pushimit në Durrës e në Vlorë, në Shtëpitë e Pritjes në gjithë qytetet kryesore të rretheve, si njësitë administrative të pushtetit lokal. Të gjitha kanë qenë pronë shtetërore dhe administroheshin nga Drejtoria e Shërbimit të Udhëheqjes. Vetëm Haxhi Lleshi, ish-anëtar i Komitetit Qendror dhe Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor e kishte blerë vilën dhe e kishte në pronësi të tij. Për garantimin e veprimtarisë normale të përditshme, sigurisë së jetës e të banimit të udhëheqjes funksiononte një sistem i tërë i sofistikuar mbrojtjeje fizike me ushtarakë dhe të pajisur me armatim, teknikë luftarake, aparatura e mjete elektronike nga më modernet e kohës.

Ruajtja fizike e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror Enver Hoxha realizohej nga “Grupi i shoqërimit”, i cili ishte një organizëm ushtarak dhe agjenturor. Në krye të këtij organizmi ishte besuar për më shumë se 30 vjet Sulo Gradeci.

Një organizëm tjetër i rëndësishëm ishte edhe organizmi pothuajse i njëjtë i “Grupit të shoqërimit” për kryetarin e Këshillit të Ministrave Mehmet Shehu. Por rëndësia e këtij grupi nuk ishte si ajo për Komandantin. “Për sigurimin e Bllokut në Tiranë përdorej ky sistem mbrojtjeje: rrethimi i parë ishte me vilat, shtëpitë e anëtarëve të Byrosë Politike, udhëheqjes më të lartë të kohës, dhe pallatet ku kryesisht banonin njerëz shumë të besuar që mbanin funksione të larta të rëndësishme partiake e shtetërore, dhe pjesa tjetër që banonin aty ishin oficerë të Drejtorisë së Dytë, apo ndryshe të Sigurimit të Udhëheqjes, të cilët shërbimin e kryenin me uniformë civile. Këta ishin shoqërues të personaliteteve të larta kur ata lëviznin jashtë Tiranës.

Rrethimi i dytë përbëhej nga ushtarë dhe oficerë të cilët ishin të armatosur. Mbas këtyre ishte edhe një rrethim i tretë që përbëhej nga oficerë të përgatitur që kryenin shërbimin me uniformë civile. Këta vëzhgonin të gjitha hyrjet e daljet e njerëzve në periferinë e Bllokut të Udhëheqjes. Një pjesë prej tyre zinin pozicione në lartësitë dominuese, si në tarracat e çatitë e pallateve të larta që shikonin nga Blloku. Të tria këto struktura të shërbimit koordinonin dhe bashkëvepronin me njëra-tjetrën si natën ashtu edhe ditën”.

Byroja Politike dhe Ministria e Punëve të Brendshme kishin normuar organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni me rëndësi të posaçme me rregulla rigoroze të shërbimit të bazuara në kritere shumë të rrepta me përgjegjësi ligjore dhe disiplinore ushtarake. Garda e Republikës ishte në vartësinë e plotë të Komandantit të Përgjithshëm. Për organizimin, funksionimin, kontrollin e garantimin e veprimtarisë së saj të përditshme, me miratimin direkt të Komandantit, ishin emëruar njerëzit e njohur personalisht, direkt prej tij, nga më të besuarit, që ishin ushtarakë të strukturave të Sigurimit të Shtetit.

Vilat moderne me dyer sekrete dhe vendstrehime mbrojtëse kundër luftës atomike

Vilat moderne të udhëheqjes përgjithësisht ishin ndërtuar pothuajse në kohën e ndërtimit të qendrës administrative të Tiranës, kur ajo u miratua me norma kushtetuese si kryeqytet i Shqipërisë, me idenë e banimit të zyrtarëve kryesorë të qeverisë e të parlamentit. Rëndësia e tyre u shtua akoma më shumë pas Luftës së Dytë Botërore, pas Çlirimit të vendit; aty u vendosën zyrtarët e lartë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, të Këshillit të Ministrave dhe të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Regjimi i rreptë i ruajtjes së rezidencave të udhëheqjes sipas modelit sovjetik impononte nga ana optike forcën e pushtetit dhe njëkohësisht frikën misterioze për shkak të ngjarjeve të mistershme që mbaheshin tabu dhe ndalohej çdo interpretim në opinionin shoqëror. Këto ndikonin në mitizimin e personazheve më të rëndësishme të pushtetit dhe të jetës së familjeve të tyre. Vilat e njohura me emrin e udhëheqësve që banonin atje tërhiqnin vëmendjen e njerëzve për arkitekturën që i përshtatej edhe rangut në hierarkinë e lartë partiake e shtetërore. Në brendësinë e tyre ato ishin edhe më të mistershme me sistemin e sofistikuar të ruajtjes fizike, në kohë paqeje dhe lufte.

Për këtë qëllim ishte ndërtuar mbrojtja me vendstrehimet e fortifikimit xhenier, duke garantuar siguri maksimale edhe në rast të një lufte atomike. Në mbrojtje të udhëheqjes ishte në gatishmëri Garda me batalionin e tankeve, transportuesit e blinduar, një brigadë tankesh e dislokuar pranë Pallatit të Brigadave, e cila realizonte në çdo situatë mbrojtjen e menjëhershme të Bllokut të Udhëheqjes. Masat e rrepta të parashikuara në urdhrat dhe rregulloret e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore parashikonin lëvizjen dhe transportin e udhëheqjes me makina ose me transportues të blinduar.

Për të siguruar të “mëdhenjtë”, pranë tyre ndodheshin dhe grupet e shërbimit, të cilët mbanin lidhje të ngushta me Gardën me ndërlidhje të tipit radio-telefon-vizual. Shërbimet për dy të mëdhenjtë, Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, komandoheshin nga Sulo Gradeci e Ali Çeno. Po kështu, për të siguruar jetën e tyre, brenda shtëpive të tyre si dhe në zyrat e punës kishte nga një derë sekrete, që lidhej me vendstrehimet mbrojtëse në rast të ndonjë goditjeje të befasishme që mund të vinte. Këto vendstrehime ruheshin në daljet e tyre, që zakonisht ishin në lulishte, në oborret e vilave, me ushtarë të armatosur. Për t’i kontrolluar këto vendstrehime kishte të drejtë vetëm komandanti i Gardës e asnjë tjetër. Po kështu, në ndonjë rast agresioni, kur udhëheqja e partisë dhe e shtetit nuk mund të rrinte dot në Bllok, ishin marrë masa për vendstrehime të tjera jashtë Tiranës, që ishin tepër moderne, ku mund të rrihej shumë gjatë, me të gjitha kushtet e nevojshme.

Standardet e larta të jetesës, për kushtet e asaj kohe të socializmit, garantoheshin edhe në situatat e luftës që mund t’i imponohej Shqipërisë. Për këtë qëllim u ndërtuan në vilat e banimit në Tiranë, si dhe në vende strategjike./BalkanWeb/