Kujdes! Barnat kundër gripit nxisin përhapjen e virusit
Në këtë kohë ku i gjithë vendi është në alarm për shkak të përhapjes së gripit në masë të madhe, shumë prej nesh mund ta shohim shpëtimin nga ilaçet. Por si duket nuk është aspak një ide e mirë .

Shumica e barnave kundër gripit, përmbajnë një përbërës për reduktimin e etheve, si acetaminofeni apo ibuprofeni.

Por shtypja e etheve, sipas një studimi të ri, rrit në të vërtetë numrin e rasteve të gripit sezonal me të paktën 5 përqind në SHBA, dhe mund të shkaktojë më shumë se 1.000 vdekje shtesë nga gripi çdo vit në shkallë kombëtare.

Mbrojtja e etheve

Ethet veprojnë si një lloj mekanizmi mbrojtës për trupin tonë. Temperatura normale e njeriut, krijon një ambient komod të përsosur për shumë mikrobe, duke përfshirë edhe familjen e viruseve të gripit, për të jetuar dhe shumuar. Megjithatë teksa temperatura e trupit tonë rritet me ethet, viruset shumohen në një mënyrë më pak efikase. Më pak viruse në trup, do të thotë një rrezik më i ulët i transmetimit të patogjenit tek njerëzit e tjerë, shkruan Bota.al.

Reduktimi i etheve ka efektin e kundërt, duke e lejuar virusin të shumohet lirshëm dhe ndoshta për një periudhë më të gjatë, çka rrit rrezikun e infektimit të të tjerëve. Por kjo është vetëm gjysma e historisë:përderisa personi i infektuar ndihet ndoshta më mirë (ose të paktën më i lehtësuar), ai ka më shumë gjasa të shkojë në punë ose në shkollë, duke rënë në kontakt me shumë më tepër njerëz.

Transmetimi i gripit

Hulumtuesit mblodhën informacione në lidhje me transmetimin e gripit si tek njerëzit ashtu edhe tek qelbësat, të cilat janë modeli i përzgjedhur i kafshës për të studiuar se si virusi mund të veprojë tek ne. Duke përdorur analizat statistikore të të dhënave, ata konstatuan se përdorimi i gjerë i ilaçeve për reduktimin e etheve, rriste në fakt me 5 përqind numrin e rasteve me gripin sezonal në Shtetet e Bashkuara.

Sipas një studimi të vitit 2009, pandemia famëkeqe e gripit katastrofik të vitit 1918, mund të jetë përkeqësuar nga përdorimi i gjerë i aspirinës, një shtypës i etheve. Gjetjet e fundit, të publikuara në revistën “Proceedings” të Shoqërisë Mbretërore Britanike, vijnë në mesin e sezonit të gripit, dhe gjatë një vale të re rastesh me virusin H7N9 në Kinë, një nga shtamet më të reja dhe më vdekjeprurëse. /albeu.com/

Shtuar më 04/01/2017, ora 14:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori