Akuza për blerje votash, SPAK mbyll hetimet, çon për gjykim drejtorin e ujësjellësit në Shkodër dhe 3 punonjësit e Bashkisë

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim 4 persona në Shkodër, të cilët akuzohen për blerje votash gjatë zgjedhjeve vendore të 14 majit.

“Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 125 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 16.08.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

Ergys Ivziku, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/25 e 22 i Kodit Penal;

Arvit Bushati, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/25 e 22 i Kodit Penal;

Petrit Dyli, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/25 e 22 i Kodit Penal;

Mhill Volaj, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/25 e 22 i Kodit Penal.

Nga analiza e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak, rezulton se të pandehurit Ergys Ivziku, Arvit Bushati, Petrit Dyli dhe Mhill Volaj, banorë të qytetit të Shkodrës, në kuadër të formës së thjeshtë të bashkëpunimit, kanë kryer veprime konkrete të cilat kanë mbetur në fazën e tentativës (për shkaqe të pavarura nga autorët), me qëllim dhurimin e të mirave materiale në këmbim të votës për një kandidat të caktuar politik, pjesëmarrës ne zgjedhjet lokale të muajit Maj 2023.”

Pak orë para zgjedhjeve të 14 majit, tre punonjës të Bashkisë Shkodër u arrestuan nën akuzën e krimit elektoral.

Ata u ndaluan nga policia pas akuzave se përmes pakove ushqimove kërkonin votat e qytetarëve. Sipas uniformave blu të Shkodrës, dy punonjësit e Drejtorisë Arsimore të Bashkisë, shtetasit Petrit Dyli, 49 vjeç, me detyrë teknik i Shërbimeve dhe Mhill Volaj, 63 vjeç, me detyrë Specialist i Financës u ndaluan në unazën perëndimore të qytetit pasi në një furgon, po transportonin 50 pako ushqimore.

Ata janë arrestuar menjëherë nga policia dhe janë dërguar në komisariat. Pas pak minutash, në drejtorinë e policisë së Shkodrës, është paraqitur edhe drejtori i Drejtorisë Ekonomike – Arsimore në bashki Ergys Ivziku për të dëshmuar dhe për t’u interesuar për dy punonjësit e tij, por pas deklarimeve, edhe ai është arrestuar me akuzën se është përfshirë në këtë krim elektoral.

Pasi kanë vijuar hetimet, uniformat blu të Shkodrës, kanë njoftuar se kanë arritur të mësojnë edhe porositësin e pakove ushqimore, që është Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Bashkinë e Shkodrës, Arvit Bushati, 33 vjeç, u shpall në kërkim. Sipas policisë, të 4 personat, në bashkëpunim me njeri – tjetrin po i shpërndanin ushqimet në familjet shkodrane, në këmbim të votës për kandidatin e koalicionit Berisha-Meta për Shkodrën, Bardh Spahia./Albeu.com.


Shtuar 17.08.2023 10:12