“Ja çfarë duhet të hani për një jetë të gjatë”
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Dietologia Blerina Bombaj, në një intervistë për Edison Ypin, në ypi.al ka zbuluar disa nga sekretet e një diete të shëndetshme për një jetë sa më të gjatë.

Bombaj tregon se cilat ushqime duhet të konsumojmë dhe cilat jo.

Më poshtë është intervista dhënë për Edison Ypin.

Pse “jemi çfarë hamë”, dhe nuk jemi çfarë bëjmë, çfarë themi, çfarë shkruajmë, çfarë shohim, çfarë dëgjojmë, çfarë urrejmë, çfarë dashurojmë?

Sepse “e ngrëna” i përfshin të gjitha. Mos të harrojmë se ushqimi e bëri njeriun njeri. Instikti ynë bazë është kërkimi për ushqim, dhe evoluimi i tij ka ecur dorë për dore me evoluimin e njeriut, nga aty ku ngjante me një majmun dhe hante vetëm skarcitete, gjah, dhe bimë të egra, në këtë qenie kaq të sofistikuar siç është sot ku ushqehet gjithashtu në mënyrë shumë të sofistikuar. Ajo çka ne bëjmë ka impakt në natyrën ku rritet ushqimi, ajo që themi ndikon në vendimet që merren, ajo që shkruajmë trashëgon kodet e recetave të jetës, ajo çka shohim na zgjon dëshirat e shijimit, ajo çfarë urrejmë është uria dhe ajo çka dashurojmë shijohet me një ushqim të mirë!

Ngrënia e rregullt, jetën e përmirëson, e zgjat, apo çfarë i bën?

Ngrënia e rregullt, që do të thotë koshiencë, vetëpërmbajtje dhe disiplinë, rrit cilësinë e jetës dhe pa dyshim që ndikon në jetë më të gjatë dhe më produktive. Më pak ilaçe, më pak komplekse, më shumë energji, më shumë gjallëri. Është një arritje e madhe të kontrollosh nepsin, të përballosh lojërat e djallëzuara të neurokimikateve që favorizojnë dhjamin. Njoh shumë njerëz që menaxhojnë miliona euro por nuk menaxhojnë dot ushqimin dhe nepsin.

Shumë dyqane, shumë asortimente, dhjetra lloje djathrash, sallamrash, çfarë dëshmon kjo tablo, sasi, cilësi, bollëk, mirëqënie?

Zakonisht sasia dhe cilësia shkojnë në proporcion të zhdrejtë. E ke parasysh, edhe kur gatuajmë një “gjellë”, nëse do të bëhet në një tenxhere të madhe nuk do të dalë kurrë njësoj e shijshme si në një tenxhere të vogël. Bollëku i sotëm nuk është mirëqënie, është babëzi e industrive ushqimore për të fituar. Sot bota njeh dy realitete, atë të tejngopjes me ushqime të zhveshura nga industritë, dhe atë të urisë. Të të them vetëm një fakt, nëse ne nuk do të kishim maninë për të ngrënë kaq shumë mish të kuq, do të mundej fare lehtë të shuhej uria në botë.

Shprehja “Nuk po dimë çfarë po hamë”, është fakt apo perceptim i nazelinjve?

Fatkeqsisht është fakt. Këtë shprehje e dëgjon edhe në komunitetin shkencor të dietologjisë, edhe nga vetë ata që po bëjnë kërkime mbi ushqimin dhe nxjerrin udhëzime për popullatën. Nuk dimë çfarë hamë dhe nuk dimë çfarë do të pasojë sepse ushqimi është transformuar në shumë pak vite.

Mendo, nga periudha e gjahtarëve deri në agrikulturë janë dashur 80.000 vite tranzicion, nga agrikultura në prodhim të organizuar rreth 12 mijë vite dhe në vetëm pak dekada ne kemi transformuar ushqimin në një produkt tejet të përpunuar.

Duke pasur parasysh se gjenet tona nuk kanë ndryshuar më shumë se 3-5% nga epoka e gjahtarëve, mendo se në çfarë ekuilibër të rrezikshëm ndodhemi. Ne nuk dimë nëse ushqimi që kemi në tryezë është i vendit apo jo, i freskët apo i ndenjur, a ka pesticide, antibiotike apo hormone, a ka myk, a ka konservantë, ngjyrosës, aromatizues apo stabilizues, a është gjenetikisht i modifikuar, i sterilizuar, i kaluar në të nxehtë apo të ftohtë, i distiluar me kimikate apo i përzier me to?

Çfarë rëndësie kanë për ushqim të shëndetshëm, cilësia e produkteve, zbatimi me përpikmëri i recetës, gatimi i mirë?

Cilësia dhe siguria janë dy kriteret bazë, e para të vret avash avash e tjetra mund të të vrasë edhe me goditje fatale. Flas për bakteret që rëndom mund të gjenden në ushqime si pasojë e mungesës së higjenës dhe ruajtjes. Pasi sigurojmë cilësinë dhe sigurinë, zbatimi i recetave dhe gatimi vjen si dirigjimi i një orkestre ku të gjithë muzikantët janë zgjedhur të talentuar, ama dirigjenti fiton famën.

Në ç’marrëdhënie janë me çrregullimet e shëndetit, oreksi, ngrënia, tretja, uria, etja?

Janë në marrëdhënie shumë të ngushtë; oreksi na kontrollon peshën, ngrënia e ngadaltë dhe me mendje na mundëson të përfitojmë ato që nevojitemi nga ushqimi, tretja është pothuaj gjithë imuniteti ynë, uria na mundëson jetën dhe etja gjithashtu.

Çfarë ndryshimi ka një kokërr fik këputur nga dega në një fshat të Gramshit nga një kokërr fik blerë në treg?

Një kokërr fik i këputur nga dega ka aromat më të forta të frutit të cilat veniten me kohën e qëndrimit në raft. Por kur e këput vetë, krijon edhe një kujtim nga Gramshi, është sikur të marrësh një copëz të ajrit dhe diellit të tij. Që nëse nuk qëllon ndonjë shije impresionuese ka shumë mundësi që edhe Gramshi të mos të të lërë mbresa.

Recetat e ushqimit janë të gjitha njëlloj, apo recetat për fukarenj dhe recetat për zengjinë janë të ndryshme?

Recetat e ushqimit janë nga më të pafundmet, gjithkush zgjedh ato që i përshtaten shijes por edhe mundësive. Edhe në botën e ushqimit ka një modë në sajë të së cilës disa ushqime mund të kenë edhe çmime stratosferike. Por ka edhe ushqime që vërtet prodhohen me një kosto shumë të lartë, ndër to edhe shumë produkte me vlera të larta ushqyese. Rëndësi ka që një ushqyerje të shëndetshme mund ta praktikojnë të gjithë, të tjerat janë për hobby.

A është njeriu i ngopur më inteligjent se njeriu i uritur?

Haha, pa diskutim që njeriu i uritur është më inteligjent. Instikti i kërkimit të ushqimit dhe vetë të ndenjurit pa ngrënë, zgjojnë mekanizma të atillë në trurin tonë, që e aftësojnë atë të krijojë zgjatime neuronesh dhe të jetë me vigjilent dhe i shkathët, thjesht për të mbijetuar. Por nuk di të them se cili prej të dyve mund të kishte më shumë gjasa të ishte një njeri i mirë./Albeu.com/
Shtuar më 14/02/2017, ora 18:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 

"Lumturi dhe krenari, mes arbëreshevë që ruajtën gjuhën dhe kulturën për më shumë se 5 shekuj dhe me fëmijë Të mrekulluëshëm!" {Lorik Cana}