Josa: Tirana u mundua të na befasoi, nuk mendoj për titullin kampion

Laçi fluturon me Mirel Josën dhe pas Kukësit, “ha kokën” e Tiranës, duke u afruar më shumë me kreun dhe duke dalë hapur si pretendent për titull, megjithatë trajneri i kurbinasve ul me këmbë në tokë të tijtë dhe thekson se mendon më shumë për vazhdimësinë.

“Edhe ne iu ruajtëm Tiranës, pasi e dimë forcën e saj, që për më tepër sot na befasoi, duke luajtur me tre në mbrojtje. Në pjesën e dytë ne u përshtatëm më mirë karshi erës që e kishim kundër, luajtëm më mirë me topin dhe gjetëm edhe golin. Edhe Tirana bëri mirë, sidomos me hapjen në krahun e djathtë.

Unë nuk mendoj për titullin kampion, por i gëzohem faktit që kam një skuadër të përqendruar dhe dua ta ruajmë sa më shumë këtë cilësi. Për titull garojnë shumë skuadra dhe ne duhet të jemi me këmbë në tokë.

Vlerat e Mazrekajt dihen, por sot nuk ishte në formë të mirë dhe e nisi nga stoli. Sakrifikoi në fund për të luajtur disa minuta, por nuk po ndihej mirë dhe e hoqëm sërish në shtesë, për të mos rrezikuar. Megjithatë ne kemi shumë futbollistë dhe në fushë luajnë ata që janë në formën më të mirë.

Edhe unë dua të dalim kampion, si shumë trajnerë të tjerë me skuadrat e tyre, por unë dua të mbaj skuadrën me këmbë në tokë dhe të përqendruar. Unë kam gjetur një skuadër si rrallë në vend tjetër, me shumë cilësi dhe iniciativë, por duhet të ruajmë këto cilësi edhe në vazhdimësi, ndaj nuk dua të mendoj për titullin”, u shpreh Josa për “Super Sport”.


Shtuar 14.12.2021 17:13