Raporti i auditimit të KLSH gjatë pandemisë: Mësimi online nuk u monitorua, u bë në baza vetëdeklarimi

Mësimi online në universitete gjatë kohës së pandemisë ka shfaqur problematika të ndryshme por ndër më kryesore duket se është monitorimi i ecurisë së tij si dhe mundësimi i një sistemi funksional për ankimimet mbi çështjet që nuk funksiononin.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zhvilluar një auditim performance mbi këtë çështje duke nënvizuar se pari se mësimi në distancë nuk përcaktohet në kuadrin ligjor vendas në kushte emergjence duke e eliminuar këtë të drejtë.

“Mosnjohja e dokumenteve të rëndësishëm të BE–së lidhur me “e- learning”, përfaqëson një arsye të mos njohjes rekomandimeve dhe praktikave të BE–së, që duhet të frymëzojnë e nxisin progresin në arsimin shqiptar në të gjitha nivelet, përfshirë Arsimin e lartë.

Mosparashikimi nëpërmjet një përcaktimi të qartë ligjor, i mësimit online, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, si formë mësimi që kompensonte mësimin në auditor, është bërë në shkelje të detyrimit të sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 170, paragrafi 3, ku thuhet: “Ligji duhet të përcaktojë parimet, fushat dhe mënyrën e kompensimit të humbjeve që vijnë si rezultat i kufizimit të të drejtave dhe lirive gjatë marrjes së masave të jashtëzakonshme” thuhet në dokumentin e KLSH.

Ndërkohë auditimi ka dalë në përfundimin se mungesa e këshillave studentorë në ndonjë universitet, apo inaktiviteti i tyre në universitete–të tjerë, ka lënë studentët pa një përfaqësim të zëshëm të shqetësimeve dhe problemeve me të cilat janë ndeshur gjatë periudhës së pandemisë, duke mos përçuar në forumet e IA –ve, mendime dhe propozime për të gjitha problemet me interes të përgjithshëm të institucioneve të arsimit të lartë, si për planet dhe programet e studimeve, rregulloret për veprimtaritë mësimore, të drejtën për të studiuar, cilësinë e shërbimeve, përcaktimin e tarifave të shkollimit dhe kontributeve të tjera financiare për studentët, veçanërisht në kushtet e vështirësive të krijuara nga pandemia, me të cilat është ndeshur kjo kategori.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nënvizuar gjithashtu se në asnjë rast nuk është hartuar dhe miratuar rrjedha e dokumentuar e aktiviteteve (nga fillimi deri në përfundim të tyre) sa i takon procesit mësimor online (distancë) dhe auditor në periudhën e pandemisë 2020-2021, që synon të ripërshkruaj të gjitha veprimtaritë individuale dhe vendimmarrjen lidhur me to (gjurma e auditimit).

Konkretisht, monitorimi i orëve të mësimit, u bazua tek vetdeklarimi i secilit pedagog pas zhvillimit të procesit mësimor, që raportohej çdo javë pranë Drejtorisë së Kurrikulave të IAL-eve, informacion të cilin e kanë përcjellë në Ministrinë e Arsimit./Monitor