E kishte lënë amanet, Nexhmije Pagarusha përcillet për në banesën e fundit (FOTO LAJM)

Këngëtarja e njohur Nexmije Pagarusha është përcjellë për në vendin ku do prehet përjetësisht siç e kishte lënë edhe amanet.

Banesa e saj e re tashmë ndodhet në Pagarushë të Malishevës.

Ajo ndërroi jetë të premten në moshën 86-vjeçare ndërsa nderimet dhe homazhet iu bënë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, të dielën dhe më pas një akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e saj. Në këtë ceremoni, morën pjesë politikanë e artistë nga vendi dhe rajoni, miq, të afërm dhe qytetarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore të Nexhmije Pagarushës, ka thënë se muzika dhe arti kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar, shkruan REL.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij tha se” kudo që jetojnë shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri, janë zemërthyer dhe të pikëlluar.

Kujtimi për Bilbilin e Kosovës kurrë nuk do të zbehet dhe këngët e saj do të jetojnë përgjithmonë me ne”.

Pas kësaj ceremonie, kortezhi ka parakaluar nëpër sheshet kryesore të Prishtinës, në të cilin morën pjesë shumë qytetarë. Presidenti i Kosovës kishte shpallur të dielën (9 shkurt) ditë zie.


Shtuar 9.02.2020 17:39