Gjërat që na dhanë shpresë edhe në një vit të tmerrshëm

Nga Martin Wolf “Financial Times”

Pak njerëz do të ndjejnë keqardhje për mbarimin e këtij vitit. Sepse ai solli një sulm brutal ndaj një fqinji paqësor nga një despot i poshtër. U shoqërua me rritje të inflacionit dhe rënie të të ardhurave reale në një krizë globale të “kostove të jetesës”.

Po ashtu në këtë vit pati një rritje të normave të interesit, një dollar të fortë dhe vështirësi shumë të mëdha në pagimin e borxheve. Sipas FMN-së, 60 për qind e vendeve me të ardhura të ulëta janë në vështirësi për të shlyer borxhin e saj ose shumë të rrezikuar për të qenë të tillë në të ardhmen.

Po ashtu ky vit solli një rënie të çmimeve të aseteve dhe një rritje të paqëndrueshmërisë në tregje. Pati lëvizje të rëndësishme drejt shkëputjes ekonomike midis SHBA-së dhe Kinës dhe formimit të blloqeve konkurruese të përqendruara tek 2 superfuqitë, me Rusinë të pozicionuar në kampin e Kinës.

Dështoi konferenca e COP27 për të ulur akoma më shumë kurbën e emetimeve të gazeve serë. Ky vit nuk solli ndonjë rimëkëmbje të plotë nga rezultatet e tmerrshme të pandemisë së Covid-19, veçanërisht në mesin e njerëzve më të varfër në botë. Një zhvillim ky shumë negativ, raporton albeu.com.

Ndoshta më e keqja duhet ende që të vijë. Sidomos Vladimir Putin bart shumë të panjohura për shkak të asaj që mund të bëjë. I tillë është edhe lideri kinez Xi Jinping, siç e kemi parë mbi politikën e tij ndaj Covid. Kush e di se çfarë kaosi financiar mund të shkaktojnë republikanët mbi tavanin e borxhit të SHBA në vitin 2023?

A do ta vazhdojë BE-ja ndihmën ndaj Ukrainës ndërsa rriten normat e interesit, ekonomitë bien në recesion dhe rritet shqetësimi për nivelin e borxhit? E megjithatë nuk është gjithçka e zymtë. Sepse edhe këtë vit, drita shkëlqeu në mesin e errësirës. Ndaj le ta vlerësojmë këtë gjë para se të hyjmë në vitin e ri.

Perëndimi është rikthyer fuqishëm në skenën ndërkombëtare. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka bashkuar ata që ndajnë midis tyre vlerat demokratike. Për aleancën e NATO-s, ishte një periudhë rilindje. Për Gjermaninë, ishte një Zeitenwende, një pikë kthese historike.

Për Finlandën dhe Suedinë, ishte koha e refuzimit të neutralitetit. Afërsia e Donald Trump për Putinin nuk arriti të minojë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën. Volodymyr Zelenskyy e fitoi betejën propagandistike. Ai është lideri heroik i Ukrainës – dhe i Perëndimit – aq shumë i nevojshëm në këto momente.

Putin nuk është i vetmi lider autoritar që duket më i dobët sot se një vit më parë. Po të tillë duken edhe Xi dhe Trump. Politika “Zero-Covid” e të parit ka përfunduar në poshtërim. Pretendimi i versionit të sotëm të despotizmit të lashtë kinez, për të sunduar më me kompetencë sesa demokracia e rrëmujshme është përgënjeshtruar me bujë.

Despotët e Iranit janë nën sulm nga të rinjtë e vendit të tyre. Kandidatët e Trump u refuzuan dukshëm në zgjedhjet e mesit të mandatit. Është e vërtetë, ai ka ende shumë mbështetës. Elita republikane mbetet e lëkundur. Por Kongresi po e heton atë tani për tentativën e kryengritjes.

Ndërkohë, edhe në Britaninë e goditur nga kriza është vërtetuar vlera e demokracisë. Të shtyrë nga frika e humbjes në zgjedhje, konservatorët hoqën dorë nga Boris Johnson, që u pasua nga një Liz Truss jashtëzakonisht e paaftë që u dorëzua pas vetëm 44 ditësh.

Askush nuk vdiq. Demokracia nuk është e përsosur, veçanërisht kur merr formën e referendumeve mbi tema që nuk mund të pritet që njerëzit t’i kuptojnë plotësisht. Por këta të fundit mësojnë. Një sondazh i fundit i YouGov, tregon se 51 për qind janë penduar për Brexit dhe vetëm 34 për qind e mbështesin ende atë,raporton albeu.com.

Ky ndryshim do t’i lejojë një qeverie të ardhshme që ta futë sërish në BE Mbretërinë e Bashkuar. Shumë vonë, por me vendosmëri, Rezerva Federale në SHBA ka lëvizur për të vënë nën kontroll presionet e brendshme inflacioniste në SHBA, ku ato ishin më të forta. Pjesërisht si rezultat i saj, pritjet inflacioniste mbeten nën kontroll. Por sfidat më të mëdha pritet ende të vijnë. Gjithsesi gjatë vitit 2023 ka shanse të mira që inflacioni të vihet nën kontroll në SHBA dhe gjetkë.

Ndaj mund të ketë një rikthim tek rritja ekonomike. Rritja e normave nominale dhe reale të interesit i ka tronditur tregjet. Raporti çmim/fitim i rregulluar ciklikisht nga “S&P 500” ka rënë nga 39 në dhjetor 2021, kulmi i dytë më i lartë në histori, në një nivel më të ulët së fundmi prej 27. Gjithsesi, kjo është ende shumë mbi mesataren afatgjatë prej 17.

Por është një lëvizje drejt realitetit. Po ashtu, tregjet janë bërë dukshëm më të luhatshme dhe çmimet e disa aktivitete spekulative kanë pësuar rënie të ndjeshme. Kështu vlera e Bitcoin ka rënë ndjeshëm nga kulmi prej 69.000 dollarësh vitin e kaluar në 17.000 dollarë aktualisht.

Kjo dëshmon se ajo nuk është as njësi llogaritëse dhe as një rezervë vlere. Dhe nuk ka qenë kurrë një mjet i dobishëm pagese. Të njëjtin fat me Bitcoin pati edhe FTX e Sam Bankman-Fried. Normat e interesit mund të mos qëndrojnë të larta në terma realë ose nominalë. Por kërcimet e tyre u kanë kujtuar investitorëve rrezikun që nderet.

Por globalizimi nuk ka vdekur. Në fakt, jashtë SHBA-së, ku ankesat për tregtinë e padrejtë janë shndërruar gati në një epidemi, shumica e vendeve e kuptojnë se kanë nevojë për tregti shumë dinamike që të zhvillohen. Në mënyrë inkurajuese, FMN parashikon që vëllimi i tregtisë botërore të mallrave dhe shërbimeve të rritet me 4.3 për qind këtë vit.

Është interesant fakti që kjo është më e shpejtë se sa rritja prej 2.9 për qind në tregtinë e mallrave. Tregtia e shërbimeve po dikton kursin. Kjo vjen pas rritjes prej 10.1 për qind në vëllimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve dhe 10.8 për qind rritje të tregtisë së mallrave në vitin 2021.

Ndërkohë, prodhimi i brendshëm bruto global parashikohet të rritet vetëm 3.2 për qind në 2022, pas 6 për qind në vitin 2021. Pra, bota nuk po de-globalizohet: thjeshtë tregtia nuk po zgjerohet aq shpejt sa më parë. Dhe ky është pjesërisht një zhvillim i natyrshëm. Globalizimi nuk mund të rritej aq shpejt sa më parë.

Por ai është ende funksional. Edhe ekonomia botërore po vazhdon të rritet. Paraardhësit tanë do ta cilësonin si të jashtëzakonshme këtë ecuri. Ndërkohë edhe pse në një mënyrë të çrregullt dhe të pakoordinuar bota po e lë më në fund pas Covid-19.

Kjo është ndihmuar shumë nga vaksinat, edhe pse ato nuk janë aq të shpërndara sa do të duhej në mbarë botën. Variantet më të këqija janë të mundshme, dhe po ashtu edhe pandemitë e reja. Por kjo që po shohim është një përparim domethënës. Është e lehtë të kaplohesh nga paniku si pasojë e rreziqeve, padrejtësive, konflikteve dhe dështimeve të botës sonë. Sigurisht, shumë prej tyre ekzistojnë ende.

Por jo gjithçka që ndodhi këtë vit ishte një fatkeqësi. Për ata nga ne që besojnë tek demokracia, sundimin e ligjit, përparimi i vazhdueshëm ekonomik, integrimin ekonomik global, tregjet e shëndosha financiare dhe stabilitetin monetar, vitit 2022 nuk ishte tërësisht i keq. Megjithatë le të shpresojmë që viti 2023 të jetë më i mirë. Duhet të jetë.

/albeu.com

 


Shtuar 22.12.2022 08:41