Çfarë i ndodh trupit kur e humbim vetëm 5% të indit dhjamor
Nuk keni nevojë të dobësoheni shumë që t’i ndjeni ndryshimet pozitive në shëndetin tuaj. Nëse i humbisni vetëm disa kilogramë, do të ndjeni ndryshim të madh.

Me humbjen e vetëm 5% të peshës së përgjithshme trupore, trupi vërenë ndryshime më të mëdha, gjë që automatikisht e përmirëson disponimin dhe e lehtëson jetën e përditshme. Kjo do të thotë se një person prej përafërsisht 80 kg duhet të dobësohet vetëm 4 kg për t’u ndjerë më mirë dhe për t’i reduktuar të gjitha llojet e problemeve shëndetësore.


Se çfarë ndodhë me trupin tonë kur e humbim 5% të indit dhjamor, mësoni më poshtë.

Shtensionimi i nyjave

Vetëm 4.5 kg e peshës së tepërt bën presion prej 18 kg në pjesën e poshtme të shpinës, ijeve, gjunjëve dhe kyçeve të këmbëve, transmeton Koha.net. Ky presion shtesë e shpenzon më shpejtë kërcin dhe nyjat. Mbipesha mund ta shkaktojë edhe inflamimin e nyjave, ndërsa përmes humbjes së peshës mund ta shmangni ngarkesën e nyjave dhe artritin tek të moshuarit.

Parandalimi i diabetit të tipit 2

Nëse jeni me mbipeshë, humbja e peshës është një nga dy mënyrat për ta parandaluar diabetin apo për ta vonuar atë. Mënyra tjetër është ushtrimi i rregullt dhe i moderuar, 5 ditë në javë me nga 30 minuta. Nëse tashmë keni diabet, humbja e peshës mund t’ju ndihmojë të merrni më pak ilaçe, ta mbani nivelin e sheqerit në gjak nën kontroll dhe ta zvogëloni mundësinë e paraqitjes së problemeve të tjera shëndetësore.

Gjumi më i gjatë dhe më cilësor

Humbja e peshës automatikisht e përmirëson cilësinë e gjumit tuaj. Studimet tregojnë se njerëzit që e kanë humbur 5% të indit dhjamor, mesatarisht flenë 21.6 minuta më shumë gjatë natës.

Ulja e kolesterolit të keq (LDL) dhe ngritja e kolesterolit të mirë (HDL)

Ushqimi i shëndetshëm dhe humbja e peshës mund ta zvogëlojnë nivelin e kolesterolit LDL. Është gjithashtu e rëndësishme të rritet niveli i kolesterolit HDL, i cili e "fshin" LDL-në nga gjaku, ndërsa mund ta rrisni me ushtrime dhe konsumimin e ushqimeve të duhura në dietën e përditshme si p.sh. liri i bluar. Rritja e kolesterolit HDL e zvogëlon mundësinë e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës.

Shfaqja më e rrallë e infeksioneve

Qelizat dhjamore, veçanërisht ato rreth barkut, mund të lirojnë kimikate të cilat irritojnë dhe shkaktojnë inflamacion të indeve nëpër të gjithë trupin. Inflamacionet shoqërohen me probleme shëndetësore si artriti, sulmi në zemër dhe në tru.

Reduktimi i triglicerideve në gjak

Trigliceridet janë grimca në trup që i transmetojnë yndyrat për ruajtje dhe energji. Nivelet e larta (më shumë se 200 mg/dl) mund të nënkuptojnë mundësi më të madhe të sulmit në zemër apo në tru, përcjell Koha.net. Me humbjen e peshës mund ta rregulloni nivelin e triglicerideve në gjak dhe ta ruani shëndetin tuaj.

Ulja e shtypjes së lartë të gjakut

Pesha e rritur trupore ndikon në strukturën e mureve të arterieve, të cilat për shkak të peshës së tepërt mbulohen me yndyrë. Kjo ndikon në rritjen e presionit të gjakut. Përmes dobësimit mund ta mënjanoni yndyrën nga muri i arterieve gjë që do të ndikojë pozitivisht në presionin e gjakut. Nëse e zvogëloni konsumin e kripës, e rritni konsumin e perimeve, frutave dhe produkteve të qumështit me pak yndyrë, me siguri do ta zvogëloni edhe shtypjen e lartë të gjakut.

Më pak gjasa të sëmurjes nga kanceri

Mbipesha e rritë mundësinë e sëmurjes nga kanceri i gjirit, zorrës së trashë, veshkave, vezoreve, mitrës dhe prostatës. Nuk ka asnjë dëshmi të qartë se humbja e peshës mbron kundër kësaj sëmundjeje, por në trupin e personit me mbipeshë ndodhin ndryshime të caktuara të cilat mund ta nxisin shfaqjen e kancerit.

Ndalimi i apnesë gjatë kohës së gjumit

Njerëzit me mbipeshë me kalimin e kohës zhvillojnë më tepër inde në pjesën e prapme të fytit. Gjatë gjumit, trupi relaksohet, dhe ky ind shtesë mund të bie dhe ta bllokojë rrugën tuaj të frymëmarrjes. Kjo mund të shkaktojë intervale të ndërprerjeve të frymëmarrjes, gjë që mund ta rrezikojë shëndetin e zemrës dhe të trurit.

Disponim më i mirë

Humbja e peshës definitivisht e rregullon disponimin. Shkencëtarët janë ende duke u përpjekur ta sqarojnë këtë lidhje, por mendojnë se për shkak të humbjes së peshës, në disponim ndikon gjumi më i mirë dhe rritja e vetëbesimit, transmeton Koha.net. Hulumtimet tregojnë se njerëzit mund të dalin nga depresioni nëse e humbin së paku 5% të masës trupore.

Më shumë seks

Njerëzit e trashë nuk kanë dëshirë të madhe për seks. Kjo është për shkak të mungesës së vetëbesimit, disponimit të keq, por edhe çekuilibrit të hormoneve të cilët normalisht e rrisin dëshirën për seks.
Shtuar më 04/06/2018, ora 13:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori