Fruthi është një infeksion viral i sistemit respirator, një
sëmundje shumë ngjitëse që përhapet nga kontakti me pështymën e infektuar.
Një person i infektuar mund të përhapë viruset në ajër nëpërmjet kollës apo teshtimave.
Virusi i
fruthit mund të jetojë në sipërfaqe për disa orë, kështu që mund të futet në rrugët e frymëmarjes nëpërmjet ajrit, duke infektuar dhe persona të tjerë.
Kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse dyshoni të keni disa shenja të
fruthit, apo nëse nuk jeni të vaksinuar ndaj
fruthit dhe keni rënë në kontakt me një person të sëmurë. Në këtë rast ju duhet të bëni vaksinën e
fruthit brenda 72 orëve, për të parandaluar infeksionin. Këshillohuni me mjekun tuaj për këtë.
Cilat janë simptomat e
fruthit?
Shenjat e përgjithshme të këtij infeksioni përfshijnë:
• Kollë
• Temperaturë
• Skuqje të syve
• Dhimbje muskulare
• Dhimbje fyti
• Disa njolla te bardha në gojë
• Rrufë
Ndër shenjat më karakteristike të kësaj
sëmundje është një skuqje (rash) e lëkurës që përhapet në të gjithë trupin. Kjo skuqje shfaqet që në ditët e para të infeksionit, fillimisht në fytyrë dhe kokë e më pas përhapet dhe në trup.
Kush është më i rrezikuar nga
fruthi?
Numri i të sëmurëve me fruth ka patur rënie në dekadat e fundit, por sëmundja nuk është eliminuar plotësisht, për shkak të hendeqeve të krijuara nga mosvaksinimi.
Fruthi prek kryesisht
fëmijët e pavaksinuar. Disa prindër kanë zgjedhur të mos i vaksinojnë
fëmijët e tyre, apo të shtyjnë vaksinimin nga frika e efekteve anësore. Studimet e shumta tregojnë që vaksinat janë shumë të sigurta dhe shumica e fëmijëve dhe të rriturve të vaksinuar nuk kanë shfaqur efekte anësore.
Cilat janë ndërlikimet e
fruthit?
Fruthi mund të bëhet një
sëmundje serioze për të gjithë grup-moshat. Megjithatë,
fëmijët më të vegjël se 5 vjeç dhe të rriturit mbi 20 vjeç mund të shfaqin ndërlikime më të rënda të kësaj
sëmundje.
Ndërlikim i zakonshëm i
fruthit është infeksioni i veshit. Ky ndërlikim prek 1 në 10 fëmijë me fruth dhe mund të shkaktojë humbje të përhershme të dëgjimit.
Disa persona mund të shfaqin ndërlikime të rënda të
fruthit si: pneumonia (infeksion i mushkërisë) apo encefaliti (infeksioni i trurit). Këto ndërlikime kërkojnë trajtim të specializuar në spital dhe mund të shkaktojnë vdekjen, pavarësisht trajtimit intensiv.
• 1 në 20 fëmijë me fruth shfaq pneumoni dhe ky është shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga
fruthi te
fëmijët.
• 1 në 1000 fëmijë zhvillon encefalit, që mund të shkaktojë konvulsione dhe mund të cojë në vdekje apo paaftësi intelektuale të mëvonshme.
• Ndodhin 1-2 vdekje, për çdo 1000 të sëmurë me fruth.
•
Fruthi tek gratë shtatzëna shkakton lindje parakohe, bebe me peshë të vogël në lindje apo defekte të lindura të fetusit.
Si mund ta parandalojmë fruthin?
Vaksinimi është mënyra e vetme për të parandaluar shpërthimin e
fruthit.
Vaksina MMR (Fruth-Rubeole-Parotit) është një vaksinë që e mbron fëmijën tuaj nga tre
sëmundje njëherësh.
Fëmijët e marrin vaksinën e parë të
fruthit në moshën 1 vjeç, dhe dozën e dytë të saj në moshën 5 vjeç. Të rriturit të cilët nuk janë vaksinuar asnjëherë ndaj
fruthit, apo kanë marrë vetëm një doze vaksinë gjatë jetës, mund ta bëjnë këtë vaksinë pranë qendrave shëndetësore përkatëse.
Këshilla:
Të evitohen përqendrimet në urgjencën pediatrike të QSUT. Jemi në sezon virozash dhe çdo ekspozim i panevojshëm rrit mundësinë edhe për t’u infektuar nga
fruthi.
Për çdo shqetësim drejtohuni në qendrat shëndetësore prane zones suaj dhe kontaktoni mjekun pediatër ose mjekun tuaj të familjes.
Shtuar më 18/01/2018,
ora 17:31