Rama dje te “Shefqet Ndroqi”, Berisha: Faktoi se sterilizimi është biznesi i tij dhe Beqës, mbrojti aferën korruptive

Kryeministri i vendit, Edi Rama ditën e djeshme së bashku me minsitren Ogerta Manastirliu vizituan spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Aryseja e vizitës ishte inspektimi i centralit të  sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë.

Edhe pse biznesmeni Ilir Rrapaj dhe  ish-zëvendësministri Shëndetësisë Klodian Rjepaj janë në burg lidhur me koncesionin e sterilizimit, Rama tha se koncensioni ka garantuar standard të ri sigurie për ndërhyrjet kirurgjikale.

Ish-kryeministri Berisha, në një deklaratë për mediet ditën e sotme, mendon se inspektimi i Ramës ditën e djeshme te “Shefqet Ndroqi” fakton se biznesi i sterilizimit është i kreut të qeverisë dhe ish-minsitrit Ilir Beqaj.

Berisha: Edi Rama sapo zbriti dje nga autobusi  i BE-së apo aeroplani rus, nuk u mor vesh se cilin preferonte, faktoi në mënyrë përfundimtare se ai dhe Beqja i tij janë pronarët realë, të vjedhjes së dytë shekullit, apo inceneratorit të shëndetësisë, kurse Rrapaj dhe stërrapaj janë thjeshtë pronarët në letër, apo Zotot dhe Mërtirët e aferës. Edi Rama provoi dje se ai me Beqjen e tij janë pronarët realë të vjedhjes së dytë të shekullit, sepse ai pas amnistimit të Beqjes nga skapi i partisë, në një akt të pastër kriminal, rendi dje të mbrojë me inskenime dhe dëshmitarë të rremë, dhe statistika false, veprën e tij të rëndë penale, sterilizimin që ju ka kushtuar shqiptarëve gjer sot 79 mln euro dhe që ka rritur me 80 herë çmimin e sterilizimit për njësi në vend dhe e ka bërë këtë proces 4 herë më të kushtueshëm se sa në Gjermani. Edi Rama dëshmoi dje se sterilizimi është vjedhja e dytë e tij e shekullit dhe është biznes i tij dhe Beqjes, kurse muratori i tyre Rrapaj me investalin e tij me kapital 1 mijë euro është thjeshtë Zoto i radhës.

Sipas Berishës, vizita e kreut të qeverisë në spital ishte edhe një mesazh i qartë ndaj Gjykatës, e cila ka kërkuar anulimin e kontratës.

Berisha: Edi Rama mori dje publikisht një akt flagrant të hapur presioni ndaj gjykatës, e cila me shumë të drejtë pasi ka njohur dosjen ka kërkuar anulimin e kontratës si akt fund e krye korruptiv, si vepër e mirëfilltë penale.

Edi Rama dje me sulmin ndaj gjykatës kishte si mesazh të prerë; mjerë ai që guxon të prekë pronën time, për të cilën ai vetë është i aftë të bëjë çdo gjë që ta amnistojë, siç amnistoi ortakun e tij Ilir Beqja.

Kujtojmë se me urdhët të SPAK janë arrestuar biznesmeni Ilir Rrapaj dhe  ish-zëvendësministri Shëndetësisë Klodian Rjepaj, më 17 gusht, pas kërkesës së SPAK.

Nën akuzën e prokurorëve të Strukturës së Posaҫme Anti-Korrupsion (SPAK) u arrestua ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, për shpërdorim detyre, falsifikim dhe mashtrim në koncesionin e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë në spitalet publike të Shqipërisë

Po ashtu u arrestua edhe Ilir Rrapaj, pronar i kompanisë “Sani Service” që fitoi tenderin për koncesionin e sterilizimit.

Ky koncesion i formës Partneritet Publik-Privat (PPP) u dha në vitin 2015 nga Ministria e Shëndetësisë, dy vjet pas marrjes së mandatit të parë qeverisës nga kryeministri Rama.

Kompania koncesionare ”Sani Service” ka marrë përsipër të kryejë sterilizimin e instrumenteve kirurgjikalë.

Burime zyrtare njoftojnë se një qendër moderne sterilizimi brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, e financuar nga qeveria, nuk ka funksionuar asnjëherë në këto 8 vite që nga fillimi i aktivitetit të kompanisë koncesionare e deri tani.

SPAK-u ka nxjerrë edhe 8 urdhëra të tjera arresti për zyrtarë të atëhershëm të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë si edhe për anëtarë të komisionit të atëhershëm për miratimin e tenderave në ministrinë në fjalë.

Në njoftimin zyrtar të publikuar të enjten nga SPAK vihet në dukje që arrestimet “janë ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”.

/Albeu.com.


Shtuar 30.08.2023 12:36