Të droguar në timon e vaditës kanabisi, 7 të arrestuar në Tiranë

Policia ka arrestuar 7 persona në Tiranë për vepra të ndryshme penale, duke filluar nga thyerja e mmsës së sigurisë “arrest shtëpiak”, te shkaktimi i aksidenteve me vdekje dhe të droguar në timon.

Gjithashtu në pranga ka rënë një i 36-vjeçar që ishte i dënuar me 6 muaj burg pasi kishte kundërshtuar punonjësit e policisë, e një tjetër ishte kapur duke vaditur kanabisin.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin L. Gj.(M.), 39 vjeç, banues në Krujë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 ndaluan shtetasin Munip Durollari, 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me  6 muaj burgim, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, kryer në bashkëpunim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin N. L., 55 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi u konstatua në lagjen “Karameras”, Fushë Krujë, duke vaditur 38 bimë të dyshuara narkotike kanabis.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit:

– A. Sh., 53 vjeç, banues në fshatin Bulticë, Tiranë, pasi duke drejtuar në gjendje të dehur, automjetin tip “Audi”, në Vaqarr, ka humbur kontrollin dhe automjeti është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin L. T., 23 vjeç, i cili si pasojë e aksidentit ka humbur jetën;

– A. L., 43 vjeç dhe E. E., 31 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur;

– A. H., 27 vjeç, banues në Gurë e Madhe, Tiranë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi;

– Sh. M., 25 vjeç, banues në Bathore, pasi duke drejtuar automjetin, në efektin  e lendëve narkotike, në Kamëz, ka goditur një automjet të parkuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Judiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 19.07.2023 12:58