Arsyet se pse duhet të konsumojmë boronica
Boronicat janë ndër frutat që kanë përmbajtje të ndryshme të vitaminave C, E dhe A dhe vitamina B komplekse, gjithashtu ato përmbajnë minerale si; bakër, selen, zink, hekur, magnez, mangan dhe kalium.

Gjatë gjashtë viteve të fundit është rritur konsumi i përgjithshëm i boronicave në të gjithë vendet e botës. Mund të thuhet se njerëzit janë duke u bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm për përparësitë e tyre.

Më së miri është të hahen boronicat e kultivuara organikisht për shkak se të tjerat mund të përmbajnë nivele të larta të pesticideve të cilat i pengojnë shumë funksione trupore. Boronicat janë në listën e ushqimeve me përqindjen më të lartë të pesticideve, gjë që është arsyeja se pse është më e rëndësishme të hani boronica të kultivuara organikisht. Disa nga efektet e shëndetshme të boronicave janë;

Përmbajnë më shumë antioksidantë se çdo pemë, perime dhe erëza të tjera

Antioksidantët janë komponime që i neutralizojnë radikalet e lira (molekulat e paqëndrueshme), të cilat prodhohen në trup pas ekspozimit ndaj faktorëve të dëmshëm. Antioksidantët, të cilët i gjejmë në ushqime, i mbrojnë qelizat nga efektet e dëmshme të radikaleve të lira të cilat mund t’i dëmtojnë qelizat dhe janë të lidhura me sëmundjet e zemrës dhe mëlçisë, kancerin dhe sistemin e dobësuar imunitar.

Përmirësojnë kujtesën

Aktiviteti antioksidues i boronicave mund ta përmirësojë kujtesën dhe të kontribuojë dukshëm në parandalimin e problemeve me kujtesën. Një studim ka gjetur se konsumi i rregullt i lëngut të boronicës mund ta përmirësojë kujtesën tek njerëzit e moshuar.

Mbrojnë nga kanceri

Studimet kanë treguar se boronicat mund ta zvogëlojnë rrezikun nga kanceri i gjirit dhe kanceri i zorrës së trashë, dhe se mund të ndihmojnë në ngadalësimin e përhapjes së qelizave të kancerit. Një studim ka gjetur se gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit, të cilat çdo ditë konsumojnë 2 racione të boronicave, kanë gjasa më të larta të shërimit të suksesshëm, në krahasim me bashkëmoshataret e tyre me të njëjtën fazë të kancerit që nuk konsumojnë boronica.

Përmirësojnë shëndetin e zemrës

Një numër i madh i hulumtimeve ka treguar se boronicat e përmirësojnë shëndetin e zemrës dhe sistemit kardiovaskular. Femrat të cilat në javë kishin ngrënë të paktën 3 racione të boronicave ose dredhëzave, kishin një rrezik më të ulët të sulmit në zemër. Boronicat dhe dredhëzat përmbajnë nivele të larta të përbërësve të cilët mund ta përmirësojnë shëndetin kardiovaskular.

Mbrojnë nga diabeti

Antocianina, një lloj i antioksidantit që gjendet në sasi të madhe në boronica dhe që ua jep atyre një ngjyrë të kaltër dalluese, mund të ndihmojë në parandalimin e diabetit të tipit 2. Personat të cilët në javë i hanë të paktën 2 racione të boronicave kanë një rrezik 23% më të ulët të zhvillimit të diabetit. Boronicat kanë një indeks të ulët glikemik, prandaj diabetikët mund t’i përfshijnë në planin e tyre dietal. /albeu.com/

Shtuar më 16/11/2015, ora 12:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori