Verifikimi i fakteve, domosdoshmëri e gazetarisë

Nga Alma Janka

Vitet e fundit, një zhanër i ri i gazetarisë ka nisur të aplikohet në Shqipëri ashtu si edhe në shumë vende të botës që e kanë përqafuar dekada më parë, këtë model të të bërit gazetari’. Bëhet fjalë për verifikimin e fakteve ose fact-check, siç njihet ndërkombëtarisht.

Fact-checking nuk është asgjë tjetër veçse një teknikë e kontrollit të fakteve apo vërtetësisë së tyre, verifikim i shifrave apo deklaratave të dhëna apo të publikuara në media nga personalitete politike ose publike, nga ekspertë dhe jo vetëm.

Fact-checking është procesi nëpërmjet të cilit kërkohet të verifikohet informacioni faktik, në mënyrë që të sigurohet vërtetësia dhe korrektësia e asaj çfarë publikohet, pra e raportimit. Vlen të theksohet se kontrolli i fakteve mund të kryhet përpara publikimit të një teksti/artikulli por edhe pas tij. Kontrolli i fakteve para publikimit synon që të identifikojë gabimet e mundshme përmbajtësore në mënyrë që teksti të mund të korrigjohet/redaktohet para se të shpërndahet ndërsa kontrolli i fakteve pas publikimit, synon verifikimin e fakteve/ shifrave/ deklaratave pas publikimit të tyre. Kjo metodë e verifikimit të fakteve pas publikimit të tyre, nisi të zbatohej për herë të parë në SHBA në fillim të viteve 2000, metodë e cila menjëherë mori një rëndësi të madhe nisi të përhapej e të zbatohej edhe në vende të tjera të botës.

Gjatë viteve të fundit, fact-checking është kthyer në një praktikë të domosdoshme e gazetarisë, si një mjet efikas për të luftuar përhapjen e ‘’fake news’’ ose lajmit të rremë. Në fakt ekspertët sugjerojnë të mos përdoret më termi ‘’fake news’’ (lajm i rremë) duke qenë se është një term aspak i përshtatshëm për të përshkruar fenomenet komplekse të ndotjes së informacionit. Ky term ka filluar gjithashtu të përvetësohet nga politikanët në të gjithë botën për të përshkruar organizatat e lajmeve, me mbulimin e të cilave ata nuk bien dakord. Kështu, ai po bëhet një mekanizëm, përmes të cilit të fuqishmit mund të shtrëngojnë, të kufizojnë, të dëmtojnë dhe të anashkalojnë shtypin e lirë. Për këtë arsye përdoret termi ‘’ndotje e informacionit’’ duke identifikuar tre lloje të tij: çinformimin, dezinformimin dhe keqinformimin.

– çinformimi u referohet rasteve kur jepet informacion i pavërtetë, por pa pasur për qëllim të shkaktojë dëme

– dezinformimi është rasti kur me vetëdije jepet informacion i pavërtetë për të shkaktuar dëme

– keqinformimi ndodh kur jepet informacion i vërtetë për të shkaktuar dëme, duke publikuar shpesh informacione që duhet të mbahen private.

Ndërkohë që po jetojmë në epokën e teknologjisë e cila zhvillohet dhe evoluon gjithnjë e më tepër, verifikimi i fakteve bëhet edhe më i domosdoshëm duke qenë se është shumë herë më e lehtë që një lajm, imazh/foto dhe jo vetëm, të manipulohet dhe për faktin se sot është gjithashtu shumë herë më e lehtë që një lajm i tillë të përhapet e të shpërndahet në kohë reale me një shpejtësi marramendëse, duke patur parasysh përdorimin masiv të rrjeteve sociale.

Domosdoshmëria dhe efikasiteti i fact-checking doli akoma më shumë në pah gjatë pandemisë së COVID-19 kur në mbarë botën pati një fluks të madh lajmesh të rreme/të pavërteta që përcillnin të dhëna aspak të qenësishme dhe që patën impakt jo të vogël tek audienca e cila u gjend e papërgatitur dhe konfuze përballë situatës shëndetësore, mungesës së informacioneve në lidhje me SARS CoV -2 apo fluksit disinformues.

Që prej fillimit të pandemisë COVID 19, një sërë informacionesh të pavërteta që lidheshin me aspektin shëndetësor, me mashtrime të konsumatorit, me krimin kibernetik dhe fushata të qëllimshme dizinformuese, i vunë qytetarët përballë një rreziku potencial përsa i përket mirëqënies së tyre, shëndetit të tyre por edhe përsa i përket besimit tek autoritetet shëndetësore. Në këtë kohë do të përdorej edhe termi “infodemia masive’’. Për këtë arsye, kontrolluesit e fakteve u angazhuan edhe më fort në luftën kundër dizinformimit por edhe duke kontribuar në edukimin mediatik në veçanti te brezat e rinj.

Kështu për shembull BIRN, një media investigative në Shqipëri do t’i kushtonte një artikull mjaft interesant faktit se si u bënë virale lajmet e rreme për pandeminë COVID-19 në vendin tonë në tetor të 2020. https://www.reporter.al/2020/10/22/si-u-bene-virale-lajmet-e-rreme-per-pandemine-e-covid-19-ne-shqiperi/

Në të evidentohen një sërë lajmesh të rreme dhe dizinformuese që morën një shpërndarje shumë të madhe në vend dhe BIRN solli nëpërmjet hulumtimeve dhe verifikimeve të ndryshme, emra të veçantë individësh apo edhe subjektesh që duke pretenduar se ishin ekspertë të fushave të ndryshme dhe përhapën lajme tërësisht të pavërteta, informacione aspak të mbështetura në argumenta shkencorë. Të tilla lajme u publikuan dhe u shpërndanë nga portale që gjithashtu ishin të konsideruara të pabesueshme. Të gjitha këto problematika shkaktuan konfuzion tek publiku dhe jo pak lajme të tilla u morën si të mirëqëna.

Një tjetër praktikë e mirë e fact-check ishte edhe hulumtimi bërë po nga organizata mediatike BIRN rreth tregut të zi në vend të shitjes së oksigjenit, një proces që ‘’lulëzoi’’ gjatë pandemisë së COVID 19 duke shkaktuar jo pak problematika. Lexo për më tepër:

https://www.reporter.al/2021/03/17/tregu-i-zi-i-shitjes-se-oksigjenit-lulezon-mes-pandemise-se-covid-19/

BIRN saktëson në artikull se tregëtimi i pajisjeve dhe bombulave të oksigjenit rregullohet në mënyrë strikte me ligj dhe ato nuk tregtohen zakonisht në rrjetet sociale, megjithatë një gjë e tillë sipas kompanitë e licencuara ekzistonte rëndom dhe dhjetëra mijëra pajisje dhe bombula të pacertifikuara qarkullonin në tregun e zi.

Një sërë spekulimesh u regjistruan me aparatet e oksigjenit, kjo edhe nëpërmjet informacioneve të shpërndara në rrjetet sociale.

Verifikimi dhe kontrolli i fakteve do të vijonte në një sërë aspektesh përsa i përket deklaratave të dhëna nga politikanë dhe jo vetëm gjatë pandemisë së COVID -19. Edhe Faktoje.al, një media fact-check nëpërmjet shërbimit fact-check solli për audiencën në mars të 2020 nëpërmjet fakteve dhe verifikimeve në terren, të vërtetën ndryshe nga ç’kishte deklaruar më herët ministrja e Shëndetësisë përsa i përket masave të marra në pikat kufitare në kuadër të fushatës kundër koronavirusit. https://www.youtube.com/watch?v=vEeM9XM93oI

Fact-checking ndihmon pikërisht në të dalluarit të së vërtetës nga e pavërteta, një mënyrë kjo për të qartësuar dhe saktësuar opinionin publik e për t’i ofruar këtij të fundit një informacion më të besueshëm.

Duke qenë se rrjetet sociale janë ato përmes së cilave përhapen më së shumti lajmet e rreme dhe jo vetëm, Facebook si një ndër platformat e përdorura masivisht, ka lançuar një program «për verifikimin e fakteve dhe për luftën kundër dezinformimit», program i cili përfshin 70 organizata të licensuara të fact-checking-ut në të gjithë botën. a mbarë bota. Ky program bën të mundur që artikujt e identifikuar si të rremë të klasifikohen sa më poshtë në renditjen e lajmeve.

Fluksi informativ, zhvillimi i teknologjisë apo edhe disinformimi i shtuar, kanë bërë që edhe platformat fact-check të shtohen me qëllim kontrollin, verifikimin dhe vërtetësinë e fakteve. Mediat saktësojnë se dy vite para BREXIT dhe hyrjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në 2014, numëroheshin 44 platforma të tilla në botë ndërsa në vitin 2016 numri i tyre u rrit në 113 në vitin 2016 dhe në fund të 2021 numëroheshin 349 të tilla.

Fact-checking duhet të jetë gjithmonë një pikënisje jo vetëm për çdo fact-checkers por edhe për çdo gazetar/gazetare që kërkon të prodhojë një histori të mirë, një artikull të mirë e me të dhëna të besueshme dhe të sakta.  Mbi këtë parim duhet të nisen të gjithë gazetaret/ët në misionin e tyre informues duke kontrolluar më parë, e më pas duke publikuar raportimin respektiv.

Praktika të cilësuara efektive në vend, në rastin e shqyrtimit të fakteve janë regjistruar jo pak.

Një shërbim tipik fact-check sjellë nga Faktoje.al ishte edhe rasti i përballjes mes zv/kryetarit të Bashkisë Tiranë Arbi Mazniku dhe përfaqësuesve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në 2019 përsa i përket çështjes së kalimit të Kopshtit Botanik në varësi të bashkisë Tiranë. Gazetarët ballafaquan deklaratat e dhëna nga Mazniku me profesorët e Shkencave të Natyrës por edhe me drejtues të Kopshtit Botanik. Një sërë të pavërtetash dolën në pah nga hulumtimi fact-check duke hedhur poshtë deklaratat e dhëna nga përfaqësuesit e bashkisë së kryeqytetit.

https://www.youtube.com/watch?v=T_8Wh1CcAXE

Janë verifikuesit e fakteve (fact-checker-sat) ata që shkojnë përtej një raportimi të thjeshtë gazetaresk, duke përcjellë informacione të kontrolluara paraprakisht, të verifikuara dhe të besueshme për audiencën.

Një rast i tillë do të ishte edhe verifikimi i një postimi/deklaratë bërë nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në shtator 2019 rreth një vlerësimi që sipas tij iu dha nga OKB-ja  kryeqytetit shqiptar si një nga qytetet me performancën më të mirë ekonomike. Kjo deklaratë nxiti gazetarët e Faktoje.al që të verifikonin se për çfarë vlerësimi bëhej fjalë dhe pas komunikimit me autoritetet përkatëse ndërkombëtare u saktësua se një gjë e tillë nuk ishte aspak e vërtetë. Lexo më poshtë:

https://faktoje.al/kryebashkiaku-veliaj-solli-nga-viena-trofeun-qe-nuk-ekziston/?fbclid=IwAR1XW101Gyza1UcUGeASnlKfEpFy_tQTl8WGyL7MNv2q3HSTyUPoOsksk50

Një fact-checkers i mirë apo disa të tillë, një gazetar/e i/e mirë që e nis punën bazuar në parimet bazë të gazetarisë, do të bëjnë të mundur që media të rifitojë besimin e humbur disi për shkak të disinformimit dhe pavërtetësisë së lajmeve.

Edhe pse fact-checking ka koston e vet, pasi në shumicën e rasteve kërkon kohë, rezultati final është ai që i nevojitet publikut duke i ‘’servirur’’ këtij të fundit lajmin e besueshëm tek i cili detajohen qartë edhe burimet e verifikimit, të cilat gjithashtu duhet të jenë të besueshme. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, në një prej raporteve të saj, atë të ‘’The Rise of Fact-Checking Sites in Europe“, saktëson; “shërbimet e pavarura e verifikimit të informacionit janë një institucion i ri demokratik me qëllim të lavdërueshëm për të promovuar të vërtetën në diskursin politik”.

Hulumtimet sugjerojnë se verifikimi i fakteve me të vërtetë korrigjon dhe përmirëson perceptimet midis qytetarëve por nga ana tjetër dekurajon politikanët në përhapjen e pretendimeve/deklaratave të rreme ose manipuluese.

Në këtë kuadër “ilaçi ‘’më i mirë kundër disinformimit është edukimi mediatik. Për këtë arsye është e nevojshme një nivel më i lartë bashkëpunues midis medias dhe aktorëve të tjerë që ndikojnë në tregun mediatik, duhet respektohet maksimalisht kodi i etikës profesionale dhe parimeve të gazetarisë si dhe të mos lejohen publikimet që kanë për qëllim vetëm shtimin e klikimeve dhe nuk kanë asnjë lloj niveli përmbajtësor.

Shërbimi fact-check apo ai i verifikimit të fakteve prej kohësh është një praktikë e përdorur edhe në Shqipëri, ku politika është shpesh bazë për shpërndarje të lajmeve të rreme. Një praktikë e tillë ka gjetur zbatim në vend, ku fact-checker-sat përpiqen të demaskojnë të pavërtetat dhe të sjellin lajmin e vërtetë për publikun. Ndonëse një praktikë e re në Shqipëri, fact-checking duket se gjen terren jo vetëm për organizata të ndryshme zbatuese të këtij shërbimi, por për këtë koncept thuajse të ri në vendin tonë, po punohet edhe në nivele të tjera të shoqërisë, me qëllim ndërgjegjësimin e secilit në këtë mori’ informacionesh që “gëlon” kudo e ngado dhe për t’i bërë ata më selektivë në atë se çfarë duhet të marrin për të mirëqenë apo për të vërtetë dhe asaj çfarë nuk duhet ta asimilojnë si të tillë.

Në vendin tonë ndonëse në nivele jo aq të larta sa vite më parë, vihet re një propagandë intensive për të disinformuar publikun apo qytetarët dhe për të krijuar tek ata një ndjenjë dyshimi dhe pasigurie nga i gjithë spektri politik shqiptar. Për këtë arsye së fundi është shtuar edhe puna e fact-checkersave apo gazetarëve/eve që përpiqen të sjellin të vërtetën.

Me mjaft interes do të ndiqeshin në vend edhe lajmet e ndryshme që postoheshin nga media të shumta rreth çështjes së inceneratorëve dhe për të cilën debatet dhe problematikat ishin po aq dinamike. Një investigim i BIRN do të sillte në vëmendjen e të gjithëve fakte dhe dëshmi ndryshe sa i përket shpalljes së emergjencës mjedisore në Shqipëri në 2014-ën, situatë e cila do të gjeneronte më pas, edhe sipas kreut të qeverisë Rama, gurthemelin e procedurave që çuan  edhe në lidhjen e kontratave të partneritetit publik privat për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit. Sipas ekspertëve mjedisorë të konsultuar nga BIRN, shpallja e emergjencës mjedisore kombëtare në shkurt 2014 nga Komiteti për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, jo vetëm nuk kishte bazë ligjore, por edhe nuk mbështetej në të dhëna shkencore. Për më tepër lexo: https://www.reporter.al/2022/03/02/zanafilla-e-inceneratoreve-emergjenca-mjedisore-u-shpall-pa-baze-ligjore/

Gjatë ditëve të fundit një sërë mediash online apo portalesh nuk u menduan dy herë për të postuar një artikull duke cituar sipas tyre, ministren e Bujqësisë Frida Krifca duke folur në parlament e duke vendosur tituj të tillë si më poshtë:

‘’Frida Krifca ‘lajthit’ përballë Kuvendit: Fermerët do marrin program falas online për të mësuar si të punojnë tokën’’: “Stalla dixhitale”, ministrja e Bujqësisë zotohet në Kuvend; Fermerët do klikojnë online falas për të mësuar si mbillet toka’’: “Leksione falas online, për të mësuar fshatarët si të punojnë tokën”, e të tjerë të ngjashëm. U postuan fillimisht dy apo tre lajme të tilla dhe media të tjera ‘’vërshuan’ të postonin duke bërë thuajse copy-paste të njëjtin lajm me të tillë tituj ‘’bombastikë’’, ironizues e tallës hera-herës ndaj drejtueses së institucionit, pa marë mundimin më të vogël të verifikonin se çfarë kishte deklaruar ministrja në të vërtetë. Rrjetet sociale ‘’gëlonin’ më pas me këtë lajm që ‘’mori dhenë’’ ndërkohë që edhe një pjesë e audiencës, komentues e ithtarë të bindjeve të ndryshme partiake e patën shumë të lehtë të paragjykonin kontekstin e paraqitur dhe jo atë të vërtetin. Mjaftonte të dëgjoje për pak minuta fjalën e ministers në parlament për të kuptuar që lajmi i postuar nuk kishte asnjë lidhje me titullin e ndonjëherë edhe me kontentin.

“Kemi ndërtuar një sistem me të dhëna kadastrale të cilësisë së tokës, program që do tu mundësojë fermerëve akses online të të dhënave dhe tipeve të tokës, kulturave dhe përshtatshmërisë së tyre me cilësinë e tokës. … Do të ofrojmë informacion për fermerët dhe sipërmarrësit që duan të investojnë në bujqësi dhe kulturave më të përshtatshme që mund të kultivohen në këto toka…”-ishin fjalwt e ministres nw parlament, duke treguar edhe njw herw domosdoshmwrinw e shwrbimit fact-check.

Janë të pakta organizatat apo mediat fact-check në Shqipëri e megjithatë aplikimi dhe zbatimi i këtij shërbimi që më parë nuk ekzistonte në vendin tonë, i ka sjellë një frymë të re gazetarisë shqiptare. Publikimi i një sërë artikujsh që tregonin të vërtetën ndryshe nga ç’ishte deklaruar nga politika shqiptare dhe jo vetëm, në jo pak raste ka bërë diferencën.

Të gjitha këto nxjerrin në pah masat e vazhdueshme që duhen të merren për të kontrolluar vërtetësinë e materialeve që publikohen në media, vërtetësinë e teksteve, imazheve dhe videove që gjithashtu mund të fabrikohen lehtësisht.  Lipset gjithmonë që të mos anashkalohet rëndësia e një gazetarie të besueshme, një gazetarie profesionale dhe të përgjegjshme.

Pët të kuptuar edhe një herë rëndësinë e një shërbimi fact-check, mjafton të lexojmë atë që tha Hendrik Sittig, drejtues i Programit Mediatik të KAS për Evropën Juglindore në një takim të zhvilluar në fillim të këtij viti në Shqipëri;

‘’Kontrolli i fakteve mund të shfaqet si një sfidë e re, por në fakt, ai ka qenë një nga detyrat kryesore të gazetarit për dekada: Mbledhja e informacionit dhe verifikimi i tij përpara publikimit. Ky proces është pjesë e përgjegjësisë natyrore të çdo media dhe gazetari. Lexuesit, dëgjuesit dhe shikuesit e tyre duhet të jenë në gjendje të mbështeten në faktin se ata marrin informacion të verifikuar dhe të vërtetë”.

Financuar nga Bashkimi Europian
 
Projekti rajonal  PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.’ zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian nga organizatat partnere SEENPMInstituti Shqiptar i MediasMediacentar Sarajevo, Kosovo 2.0Instituti Malazez i MediasInstituti Maqedonas për MedianShkolla e Gazetarisë e Novi SadInsittuti i Paqes dhe Bianet.
Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.


Shtuar 20.07.2022 12:42