Ukraina thotë se ka zmbrapsur mbi 70 sulme ruse

Ukraina tha se forcat e saj kanë zmbrapsur dhjetëra sulme të forcave ruse në lindje, teksa luftimet intensive po vazhdojnë përreth qytetit të shkatërruar të Bahmutit.

“Pavarësisht humbjeve të mëdha të pajisjeve dhe ushtarëve, armiku nuk po heq dorë nga lufta e agresionit. Po vazhdon të përqendrojë përpjekjet kryesore në kryerjen e operacioneve të ofensivës në zonat e Limanit, Bahmutit, Avdivit dhe Marinit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 12 prill.

Forcat ukrainase kanë zmbrapsur 72 sulme gjatë ditës së kaluar, u tha në deklaratë.

Serhiy Cherevatyi, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, tha se situata në Bahmut është nën kontroll, duke shtuar se Kievi nuk do të lejojë që trupat e tij të rrethohen. Beteja disamujore për Bahmutin, që gjendet në rajonin lindor të Donjeckut, është shndërruar në një prej betejave më të përgjakshme të pushtimit rus të Ukrainës.

Në Uashington, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Shtetet e Bashkuara do të hetojnë dokumentet e klasifikuara që kanë dalë në publik, derisa të gjendet burimi.

“Ne do të vazhdojmë të hetojmë dhe nuk do të lëmë gur pa lëvizur derisa të gjendet burimi”, tha Austin për gazetarët.

Dokumentet, që përfshijnë edhe informacione lidhur me përdorimin e municioneve nga Ukraina për Sistemin raketor të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS) dhe armëve të tjera të avancuara, rrodhën në publik javën e kaluar.

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns, i ka quajtur rrjedhjet e informacioneve si gjë “shumë të pafat” duke mos ofruar detaje për atë që i cilësoi si hetime “shumë intensive” që po kryhen nga Pentagoni dhe Departamenti amerikan i Drejtësisë./rel/