10 vite Kardiologji në Spitalin Amerikan
Pëlqej
Investimi i matur, i mirë menduar dhe tepër ambicioz i hapjes së Spitalit Amerikan, spitalit të parë privat në vend, u fokusua fillimisht në kardiologji dhe kardiokirurgji. Përkujdesja dhe vëmendja e Spitalit Amerikan ndaj pacientëve filloi nga zemra.

Sot pas 10 vitesh, në krye të ekipit të kardiologëve, Dr. Bekim Jata, Shef i Departamentit të Kardiologjisë në rrjetin e Spitaleve Amerikane në Tiranë, na tregon më shumë për historikun, zhvillimin, arritjet dhe synimet në të ardhmen të shërbimit të kardiologjisë për pacientët vendas dhe të huaj që i drejtohen Spitalit Amerikan.


Dr. Bekimi, ju keni qenë pjesë e mjekëve të stafit të Spitalit Amerikan që në hapat e parë të këtij institucioni. Cilat ishin sfidat në mjekësi me të cilat u përball hapja e Spitalit Amerikan?

Në vitin kur daton hapja e spitalit të mirëfilltë privat në Shqipëri mund të them që niveli i fushës së kardiologjisë/kardiokirugjisë ka qenë nën nivelin bazik.

Çfare do të thotë niveli bazik?!
Niveli bazik është që nuk bëhej koronarografia rutinë që është baza e diagnostikimit të sëmundjeve më të shpeshta të zemrës ato që kanë të bëjnë me enët e gjakut që furnizojnë zemrën. Që do të thotë për rrjedhojë pa diagnostikim s’ka as trajtim. Pastaj vijmë te sëmundja që ka vdekshmërinë më të lartë (infarkti i miokardit) as që bëhej fjalë për trajtimin e tyre me teknikat që sot falë nesh kanë filluar të rutinizohen edhe në disa spitale të tjera. Këtë e them me bindje të plotë se kur ne e trajtonim infarktin akut me teknika bashkëkohore, spitalet e tjera ishin me trajtimin konvencional, si para 50 vitesh me ilaçe hollues dhe zgjerues të enëve të gjakut. Sot tablloja është komplet tjetër ku më shumë ku më pak gjërat po i afrohen trajtimit bashkëkohor dhe në disa qendra tjera.

10 vite më parë, si ishte shërbimi i mjekësisë shqiptare, specifikisht shërbimi i Kardiologjisë që ju prej vitesh ushtroni?

Siç citova dhe më lart niveli ka qenë tejet bazik, qendra universitare ishte në mjerim mjekësor e spitale të tjera të mirëfillta nuk kishte.

Cilat janë risitë që solli Spitali Amerikan në fushën e Kardiologjisë?

Po ti numëroj rradhazi, e para është që rutinizoi diagnostikimin dhe intervenimin e infarktit të miokardit; rriti shumë numrin e ndërhyrjeve me stentim dhe ndërhyrje me zemër të hapur! Zgjeroi gamën dhe larminë e diagnostikimit dhe intervenimit të aritmive në zemër.
Filloi për herë të parë të kryheshin intervenimet e aortës me të gjitha teknikat bashkëkohore.
Filloi mbylljen e defekteve të lindura në zemër me metodat e mbyllura, pa hapjen e gjoksit.
Më vonë filluam trajtimin e zgjerimit, çarjes apo plasjes së aortës me ndërhyrje pa hapjen e gjoksit, barkut etj etj.


Çfarë e diferencon departamentin e Kardiologjisë në Spitalin Amerikan nga çdo spital tjetër në vend, por edhe në rajon?

Unë bashkarisht me stafin tim të ngushtë, jemi lider në kohë, cilësi dhe gamë intervenimesh!
Gama dhe cilësia që aplikojmë ne, absolutisht është e krahasueshme me qendrat më të mira bashkëkohore që ka sot në botë!

Jemi qendër që diagnostikojmë gjithçka dhe intervenojmë gjithçka ka të bëjë me zemrën. Për këtë flas me bindje, duke qenë se vij nga një nga qendrat me të zhvilluara botërore dhe kam qënë i pranishëm dhe në shumë qendra të tjera elitare botërore. Diferenca mes nesh dhe tyre është 0 me presje.

Si do ta përshkruanit nivelin dhe standartin e departamentit të Kardiologjisë? Si është rritur dhe ka avancuar ky shërbim gjatë këtyre 10 viteve?

Kuptohet se në fillimet e veta, fusha jonë nuk i kishte shumë të lehta, përkundrazi me shumë goditje anësore dhe ballore, por vetëm puna, profesionalizmi dhe dinjiteti na nxori ballëlartë. Dhe pse shpesh herë, në të drejtën tonë jemi detyruar të biem në pozita mbrojtëse për arsye të disa goditjeve dashakeqe që vinin nga katër anët. Mirë apo keq ne nxorrëm një sistem të ngurtësuar të mbyllur në atë guackën e vet jashtë loje. Filluam t’ju tregojmë njerëzve që në mjekësi veprimi i fundit që ndërmerret për ta është K.E.M.P'i. Filluam të japim shembullin që një pjesë e madhe e të sëmurëve mund të jetojnë më gjatë më me konfort jetësor dhe me invalidizim kardiak shumë më të ulët.

Ulëm ndjeshëm numrin e kërkimit të vizave për vizita mjekësore në vendet fqinje apo dhe më tej. Ulëm ndjeshëm turizmin shëndetësor drejt Turqisë që ishte pa viza.

Fatmirësisht në emër të pacientëve, sot këto gjëra duken të pazakonta, por ky ishte realiteti i fillimit të punës në Spitalin Amerikan. Jo rrallëherë na duhej t’i flisnim me patjetër pacientit gjuhë tjetër që të bënte dhe një koronarografi thjesht diagnostikuese sepse mosbesimi ndaj mjekut shqipfolës ishte në nivele ekstremisht të larta. Njerëzit ishin lodhur që çdo përgjigje në lidhje më sëmundjet e zemrës ta gjenin në fjalën ATENOLOL.


Në kardiologji ka shumë raste urgjente. Çfarë ndodh me këta pacientë?

Të gjitha këto raste në çdo orë qofshin në çdo ditë në çdo festë marrin përgjigjen njerëzore/profesionale në kohën record, që nga momenti që vijnë në spitalin tonë.

Spitali Amerikan ka paciente edhe nga jashtë Shqipërisë. Cilat janë pikat kyçe të këtij spitali që do të tërhiqnin pacientë të huaj?

Në rradhë të parë kemi arritur që me profesionalizmin dhe gamën e gjerë të intervenimeve që arrijmë të kryejmë, të huajve t’ju shkurtojmë rradhën dhe kohëpritjen në minimunin e mundshëm. Psh nqs në vendet e tyre përkatëse përballen me një rradhë 1-2 mujore kjo në spitalin tonë përkthehet në 1-2 ditë.

E dyta, jemi shumë konkurrues në çmim cilësi në krahasim me rajonin dhe më tej.

Vitin e 10- të e festoni me një sukses të madh në fushën e investimeve të mjekësisë, Spitalin Amerikan 3 në Tiranë. Kjo do të thotë se tashmë shërbimi i Kardiologjisë ofrohet në tre degët e Spitalit Amerikan 1, 2 dhe 3. Cilat janë avantazhet dhe çfarë pritet të gjejnë pacientët që do të drejtohen në çdonjërën prej degëve të këtij spitali?

Shërbimi në nivelin e poliklinikës, patjetër që do të jetë në të treja qendrat tona spitalore në Tiranë. Por shërbimi i shtrimeve, urgjencës e intervenimeve do të bëhet në qendrën tonë më të re Spitali Amerikan 3, që padyshim është spitali më modern, ndoshta dhe më shumë sesa shumë qendra të tjera në Europë.


Çfarë ju bën më shumë krenarë dhe cilat janë disa nga sukseset apo arritjet në atë çka keni realizuar në punën tuaj si ekip gjatë këtyre viteve?

Personalisht ndihem krenar sepse kam ekipin tim të ngushtë më të mirin në rajon. Absolutisht është ekipi më human, më profesional dhe më i përkushtuar që mbart gjithë rajoni, dhe këtë e them me bindje të plotë. Tjetra është se pacientit për çfarëdolloj shërbimi që do të ketë nevojë, i japim zgjidhje brenda qendrës tonë.

E treta, kam kënaqësinë të them se çfarëdolloj risie botërore, e kemi futur në spitalin tonë në kohë paralel.

Cilat janë synimet e Spitalit Amerikan për të ardhmen?

Synimet tona janë ato çfarë synon dhe mjekësia botërore sot.
1) Përkushtim
2) Cilësi
3) Ulje e mortalitetit
4) Rritja e konfortit të jetës për pacientët dhe të afërmit e tyre.
Çdo falenderim nga pacienti për ne është motivim.
Shtuar më 14/02/2017, ora 11:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori