Onkologjiku me pajisje të reja
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e përurimit të kabinetit të kapave në Shërbimin e Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës “Nënë Tereza”.



“Ne kemi deklaruar që dy janë grupet e sëmundjeve, me të cilat do të duhet të merremi në mënyrë themelore, sëmundjet tumorale dhe sëmundjet kardio-vaskulare. Dhe në fakt, për të gjitha sëmundjet, por edhe për këto, kemi bërë besoj që në këto gjashtë muaj të parë, hapa konkretë të rëndësishëm, qoftë me rritjen e ndjeshme të fondeve në dispozicion të listës së barnave për shërbimin onkologjik, madje me përfshirjen e disa barnave edhe në listën e rimbursimit,” – tha midis të tjerash Ministri Beqaj për mediat e pranishme.

Një risi tjetër që sjell përdorimi i këtyre pajisjeve, të cilat u mundësuan nga një program bashkëpunimi të ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë për përmirësimin e kujdesit spitalor shëndetësor për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve tumorale, është edhe planifikimi dhe organizimi më i saktë i cikleve të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale, duke shmangur rradhët e pritjes të pacientëve.

“Në analizën e punës,” – tha më tej z. Beqaj, “konstatuam që teknikat që përdornim për të hartuar dozat e mjekimeve, ishin teknika që kishin shumë hapësirë për mospërdorim efiçent të barnave. Siç ju e patë sot, ne montuam një instrument që quhet Kapë, i cili arrin të bëjë përzierjen e duhur të çdo doze mjekimi, duke pasur në rradhë të parë, siguri në dozën që përcaktojmë, duke patur mundësi që shfrytëzimi i barnave të jetë maksimal, por duke u ofruar padyshim profesionistëve të shëndetësisë që punojnë aty më shumë siguri në kushtet e tyre të punës. Një gjë të ngjashme, jemi duke bërë bashkë me drejtorinë edhe në dy shërbime të tjera po në QSUT, që lidhen po me sëmundjet tumorale, por që janë tek Hematologjia dhe tek Pediatria. Me të tre këto investime, në pamje të parë janë të vogla, unë besoj se efiçenca e shfrytëzimit me efikasitet të barnave disponibël është e rendit të paktën 1 milion dollarë.”

Pyetjes së një prej gazetarëve të pranishëm se kur do pajisen spitalet me ilaçe, Ministri Beqaj i’u përgjigj duke thënë se ky spital ka vijuar të pajiset me barna.


Këto pajisje mjekësore, të cilat instalohen për herë të parë në QSUT shërbejnë për përpunimin dhe dozimin e barnave specifikisht për çdo pacient, zakonisht citostatikëve, me qëllim krijimin e paketave të gatshme të kemioterapisë që shërbejnë për mjekimin e saktë dhe kosto-efiçent të sëmundjeve tumorale, duke ofruar siguri të një shkalle më të lartë si për pacientin, ashtu edhe për punonjësit e shërbimit, me shmangien tërësore të toksicitetit që vjen si pasojë e përgatitjes së këtyre barnave kemiterapeutike përpara se të shkojnë tek pacienti.
Shtuar më 29/03/2014, ora 16:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori