Rrëfimi i një vrasësi!
Albeu.com
Të gjithë gazetat e ditës u mbushën me rrëfimin para organeve të hetimit të atij që me vrasjen e arkëtares së një banke ngriti në këmbë të gjithë organet e ruajtjes së rendit, për të përmbyllur kësisoj dhjetëra ngjarje që kishin mbetur pa autor gjer atë ditë. Kush e kush në garë për të gjetur epitetin më të rëndë për të dyshuarin për vrasje, gazetat jo vetëm që nuk zbatuan asnjë rregull etike, por shkelën me të dyja këmbët edhe Kushtetutën e vendit, në pjesën e saj për prezumimin e pafajësisë. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ku i pandehuri pranoi në polici të gjitha ngjarjet, përfshirë këtu edhe autorësinë e dy vrasjeve. A na jep të drejtë kjo që edhe pas gjithë kësaj, të mund të etiketojmë një të akuzuar nga organet e hetimit por jo ligjërisht të shpallur fajtor, që ta etiketojmë në të gjitha format?

Ka kohë që krimet dhe autorët e tyre me fotografi dhe emër e mbiemër, dalin në faqe të rëndësishme të shtypit të ditës dhe në edicionet informative, duke krijuar bindjen se krimi është diçka e jona dhe ne nuk mund të bëjmë pa të. Familjarizimi me elementë të tillë kriminalë shndërrohet thuajse në një rrëfim monolog, ku flasin vetëm kriminelët dhe e kundërta e tyre është lënë jashtë skene. Kështu ndodhi edhe me të arrestuarin e fundit, i dyshuar si përfshirë në të paktën 16 krime. Edhe kësaj here, numri u ndryshua sipas medieve të caktuara dhe shikuesi/lexuesi u mjegullua disi se sa ishte realisht numri i krimeve të bëra nga Viktor Gushi. Kjo nuk përbën vetëm se gafën e parë që gazetarët tanë bënë gjatë këtyre ditëve në mbulimin e një padie penale që prodhoi jo pak lajme e jo pak hapje gazetash. Sipas medieve, krimet zotëria i kryente të premteve se e quante ditën e tij me fat. Në fakt, grabitjet e bankave të regjistruara nga policia ishin edhe brenda katër ditëve. Mbase të premtet për disa vijnë më shpejtë se një herë në javë! Kujt t’i besojmë, medias apo policisë? Përveç kësaj, rrëfimi i plotë e plot kontradikta i një njeriu që në thelbin e vet kishte një jetë jo sociale, ku grabitjet dhe kazinotë ishin qëllimi i vetëm, shërbyen si një kurs i mirë për të gjithë ata që e kanë në mendje një gjë të tillë dhe nuk kanë sensor kritike aq të mjaftueshëm për të kundërshtuar me forcë brenda vetes elementë të tillë devijance. Gazetarët, shpesh të ngarkuar për t’i shërbyer publikut, thjesht nuk e kanë në mendje më këtë mision që u ka “ngarkuar” historia. A mos vallë po përgatisim kriminelë të rinj? Nevoja për sa më shumë informim rreth autorit të një ngjarje të bujshme, nuk mund të përkthehet në thyerje të çdo kufiri etik e moral. Përshkrimi në detaje i grabitjeve, kohën e tyre, vendin, minutat, vrasjet në gjakftohtësi, dhe të gjithë elementët e tjerë të një super krimineli, nuk mbetën më në kufijtë e një filmi horror, por shkuan më tej. Tek e fundit, një film mbetet i tillë për sa kohë që në psikologjinë e njerëzve ekziston qoftë edhe spontanisht pavërtetësia e tij, por në edicione të gjata informative, ai shndërrohet në një të vërtetë të frikshme. E keqja pjell të keqen, është në të gjithë moralin e shoqërive njerëzore, ndaj nuk do të ishte e arsyeshme që të flitet kaq gjatë për kriminelët, e kaq pak për njerëzit që kontribuojnë dhe sakrifikojnë drejt së mirës!

Por ngjarja nuk nisi tani, kur në fund të vitit të shkuar një shqiptar nga Kosova u arrestua për vrasjen e një argjendari. Gazetat dhe të gjithë mediat e përmendën jo pak me emër, mbiemër, datëlindje e gjithçka tjetër dhe më vonë kur doli i pafajshëm, askush nuk u kujtua të kërkonte ndjesë për akuzën e ngritur ndaj tij pë vrasje, akuzë që rezultoi të ishte e pavërtetë.

Nga të gjithë ditët e shënuara, do të ishte më mirë të shënjohej edhe një ditë kundër krimit. Ata që shqetësohen për të drejtat e kafshëve, apo njerëzve me dëshira nga më të çuditshme personale, do të ishte mirë të shqetësoheshin edhe për vrasjet makabre të disa të tjerëve. Të paktën, të sensibilizoheshim se jeta njerëzore është më e vyeshme se çdo gjë tjetër në këtë botë!
Shtuar më 02/04/2012, ora 10:01
Tage: Start

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori