Samiti i Brdo-Brionit thirrje BE-së: Qëndroni krah Ballkanit Perëndimor për krizën ekonomike dhe energjetike

Në Bërdo të Sllovenisë u mbajt Samiti i Procesit të Bërdo Brionit, ku liderët e vendeve të Ballkanit, diskutuan për situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor dhe nga aty iu bë thirrje Bashkimit Evropian, që të përshpejtojë procesin e zgjerimit. Samiti i njohur si “Procesi i Bërdo Brionit”,  është një nismë slloveno-kroate e ndërmarrë në vitin 2010 nga Borut Pahor, asokohe kryeministër i Sllovenisë, me qëllim forcimin e besimit të ndërsjelltë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin rajonal, integrimin më të shpejtë të këtij rajoni në BE.

Pas takimit të së hënës (12.09), presidenti slloven Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat për në Bashkim Evropian. Sipas Pahor, pjesëmarrësit e Samitit, ranë dakord për 6 konkluzione:

“1.Ritheksojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Zgjerimi është më shumë se gjeopolitikë.

2. Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim.

3. Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinën deri në fund të vitit 2022.

4. Ne bëjmë thirrje për heqjen e regjimit të vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022.

5. I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekomomike dhe energjetike.

6. Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer mosmarrëvehjet dhe çështjet e hapura në rajon”, tha presidenti Pahor. Pas interesimit të gazetarëve, Pahor tha se në samit është diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Dialogu ka qenë temë diskutimi, por askush nuk iu ka bërë thirrje Serbisë e Kosovës që të njohin njëra-tjetra. Të dy vendeve u është bërë thirrje që të vazhdojnë dialogun dhe përmes tij të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura”, tha Pahor. Ai shtoi se takimi u mbyll me sukses për dy arsye: “Diskutimet kanë qenë mjaft të mira dhe kemi dashur të insistojmë që të jemi më të bashkuar. Megjithatë ka disa gjëra që na ndajnë, por duhet ta kuptojmë se ku janë këto dallime”, deklaroi Pahor.

Pjesëmarrës në procesin e Samitit të Brdo Brionit ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës tripalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Që nga viti 2013 në samitet e mëhershme të procesit të Bërdo Brioni-it, që mbahen çdo vit, ka pasur të ftuar special duke përfshirë ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, ish-presidentin e Austrisë Heinz Fischer, presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, presidentin aktual të SHBA-së, atëherë nënpresident, Joseph Biden dhe përfaqësues të institucioneve evropiane./DW