Ja si përgatitet boza dhe cilat janë vlerat ushqyese të saj
Pëlqej
Boza është pije e ëmbël që prodhohet nga mielli i misrit dhe njihet ndër vendet e Ballkanit si një pije me vlera ushqyese. Boza shqiptare është më e verdhë dhe më e ëmbël se llojet e tjera të bozave që prodhohen në Ballkan e në vende të tjera.

Përbërësit:
• 500 g miell misri,
• 5 litra ujë të vakët,
• 20 g tharmë (maja) buke
• 500 g sheqer

Përgatitja:

Në një enë (tenxhere) matet mielli, i qitet uji i vakët dhe lihet të qëndrojë disa orë (më së miri është të përgatitet në mbrëmje).
Pas qëndrimit, tenxherja vihet në zjarr të mesëm dhe zihet rreth dy orë. Përzihet here pas here, më së miri me garuzhdë.

Mielli i zier pastaj hiqet nga zjarri dhe lihet të ftohet.

Ndërkohë përgatitet tharmi, përzihet me dy decilitra ujë të vakët dhe qitet në miellin e zier.

Përzihet mirë dhe lihet ashtu.

Në mëngjes, ditën e dytë, lëngu kullohet nëpër një pëlhurë të bardhë.

Bozës i shtohet sheqer sipas shijes, ftohet mirë dhe shërbehet me pak akull.

Boza e përgatitur kështu është më mirë të shpenzohet për dy-tri ditë, sepse pas kësaj kohe, mund të marrë shije shumë të thartë.

Vlerat (dobitë) nga boza

Boza ka disa dobi për shëndetin, siç janë: normalizimi i tensionit të gjakut, rritja e prodhimit të qumështit tek gratë që sapo kanë lindur dhe kanë fëmijë në gji dhe ndihmon në tretjen e ushqimit në stomak. Boza është një ushqim i vlefshëm për njerëzit që merren me aktivitete fizike, pasi përmban vitamina A, C, E dhe katër lloje B./albeu.com/

Shtuar më 22/10/2016, ora 10:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori