Është shumë e shpejtë për t’u përgatitur dhe shumë e mirë. Mund ta përdorni sipas dëshirës, por ideale është me peshk ose me fruta deti, sallatë me oriz, etj.
Koha e përgatitjes - 5/10 minuta
Për rreth 300 g majonezë, duhen:
• 2 të verdha veze në temperature ambienti
• 1 lugë e madhe mustardë “Dijon” - mundësisht, me shije të fortë
• kripë e
piper i bluar në çast
• 250 ml vaj kikiriku ose 160 ml vaj kikiriku + 90 ml vaj ulliri • 2 lugë gjelle uthull vere e bardhë ose 2 lugë lëng limoni
Përgatitja:
Në një tas qelqi, hedhim të verdhat e vezëve, mustardën, pak kripë e
piper dhe i përziejmë me rrahësen e vezëve me dorë për 30 sekonda. Shtojmë dalëngadalë
vajin, me një curril shumë të hollë, duke e vazhduar përzierjen pa ndërprerje. Sapo të shohim që majoneza po trashet, e hedhim
vajin me curril më të trashë, pa ndaluar përzierjen. Kur ta kemi hedhur të gjithë
vajin dhe ai të jetë thithur tërësisht, e përziejmë për 30 sekonda me shpejtësi derisa majoneza të bëhet e trashë dhe me shkëlqim. Shtojmë tani uthullën ose limonin dhe e rregullojmë sipas shijes për kripë e
piper.
Shefi këshillon që, nëse duam të kemi një majonezë më të lehtë në të ngrënë, mund ta përziejmë në fund fare me 50- 100 g kos të bardhë shumë të trashë ose djathë të freskët, si për shembull Philadelphia ose 2 lugë pana kuzhine të rrahur më parë.
Shtuar më 23/07/2019,
ora 17:07