Buka e misrit, vlerat ushqyese të kësaj tradite shqiptare
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Buka e misrit është një nga gatimet më të hershme në traditën shqiptare, sa që shpesh konsiderohet si buka e të parëve. Prindërit tanë akoma lënë kokën pas bukës së misrit, një ushqim tejet i shëndetshëm, pa shumë andralla dhe i shijshëm që padyshim u sjell ndërmend kohë të vështira, por edhe të lumtura aty mbledhur në familjet e mëdha. Përmbajtja kryesore e kësaj buke është padyshim mielli i misrit.

Ky drith si shumë të tjerë është i pasur me përbërës të dobishëm për organizmin e njeriut. Mielli i misrit është një burim fibrash që jo vetëm rregullon lëvizjet e zorrëve por edhe përthith kolesterolin dhe ul nivelin e sheqerit në gjak. Sipas të dhënave, 28 gramë bukë misri përmban 1.8 gramë fibër.

Duke qenë se fibra nuk tretet, por thjesht kalon përtej sistemit tretës është praktikisht pa kalori. Përbërësit e çmuar të bukës së misrit Buka e misrit është një thesar sa i përket vlerave të çmuara.

Ajo përmban kalcium, hekur, magnez, fosfor, kalium, acid folik, vitamina, A, B-6 dhe B12. Disa bukë që shiten në markete për fat të keq përmbajnë sodë, sheqer dhe yndyrna, por varianti i bukës që bëhet në shtëpi është më i mirë padyshim.

E në fakt mënyra më e mirë për të mbajtur nën kontroll përbërësit e bukës së misrit, është ta bësh bukën vetë ose të kesh kujdes listën e përbërësve në bukën që shitet në dyqan.

Gjithsesi buka e misrit ka një shije aq të mirë sa edhe fëmijët më nazelinj e duan shumë. Studimet shkencore Përtej vlerave të bukës së misrit, studime të fundit tregojnë që buka e misrit përmban të dhjetë amino acidet e nevojshme që kur futen në organizëm rregullojnë funksionet e organeve, proceset e qelizave dhe rritjen e qelizave të trupit.

Ekspertët tregojnë që antioksidantët në bukën e misrit mbrojnë qelizat nga dëmet e shkaktuara nga oksidimi.

Në përgjithësi, ushqimet e verdha dhe ngjyrë portokalli janë të pasur me beta karoten, një substancë e nevojshme që kthehet në vitaminë A dhe redukton rreziqet e tumoreve, sëmundjeve të zemrës dhe plakjen. Niveli i karotenit natyral në miellin e bluar të misrit është jashtëzakonisht i lartë madje ia kalon edhe perimeve kampion si spinaqi apo karrotat.

Misri është drithë apo perime? Drithë është ai produkt që mbillet në tokë nëpërmjet farave të thata. Misri i fushave që mbillet me fara të thata konsiderohet drithë. Misri i ëmbël që vilet përpara se të piqet njihet si perime. Misri i ëmbël është më i ëmbël se të tjerët dhe zakonisht konsumohet nga njerëzit dhe përdoret në gatime. Misri për silazh përdoret për të ushqyer kafshët dhe prodhuar produkte industriale.

Misri dekorativ është lloji i tretë për nga përdorimi masiv. Ky misër vjen në disa ngjyra dhe zakonisht përdoret për të prodhuar kokoshka. Misri Misri ka 10 herë më shumë vitaminë A se çdo drithë tjetër.

Ai është gjithashtu i pasur me vitaminë C, magnez, vitamina B dhe kalium. Në përbërjen e tij gjenden dy antioksidantë të vlefshëm për shëndetin e syrit dhe të lëkurës. Misri i plotë konsiderohet si një dozë e mirë energjie për shkak të fibrave dhe karbohidrateve komplekse.

Misri është pa gluten, dhe mund të përdoret shumë mire nga njerëzit që duan një dietë pa gluten. /Agroweb/
Shtuar më 09/03/2017, ora 12:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori