Numri i engjëjve
Engjëjt janë aq të shumtë, saqë numrin e tyre nuk e di askush pos All-llahut xh.sh. “Na kemi bërë rojtarë të zjarrit (engjëjt) dhe kemi caktuar numrin e tyre, vetëm për t’i provuar jobesimtarët; për t’u bindur njerëzit, të cilëve u është dhënë Libri; që t’u shtohet (forcohet) besimi atyre që besojnë, e mos të dyshojnë, ata, të cilëve u është dhënë Libri, - dhe ata, në zemrat e të cilëve ka sëmundje dhe ata që janë jobesimtarë të thonë” Çka ka dashur Zoti (të tregojë) me këtë shembull?” Kështu, All-llahu e lë në huti (dhe në humbje) atë që do, dhe e udhëzon në rrugë të drejtë atë që do. Askush tjetër përveç Tij nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd. Kjo është vetëm këshillë për njerëzit.” (El-Muddeththir: 31).

Tirmidhiu, Ibni Maxhe dhe Bezzari shënojnë hadithin nga Ebu Dherri, i cili transmeton nga Pejgamberi s.a.v.s., ku thuhet: “Kërcëllyen qiejt..., e si mos të kërcëllejnë kur në to nuk ka vend as sa katër gishtërinj, e që në te të mos bën sexhde ndonjë engjëll.”

E, në hadithin mbi Mi’raxhin Pejgamberi i All-llahut thotë: “Pastaj qem të ngritur gjer tek Bejt el-Ma’ëmur, e unë e pyeta Xhibrilin për këtë. Ai u përgjigj: “Ky është Bejt el-Ma’ëmuri, në të për çdo ditë falen 70. 000 engjëj.”

Besimi në engjëj individualisht dhe përgjithësisht

Jemi të obliguar t’u besojmë egjëjve, emrat e të cilëve janë përmendur individualisht në Kur’an dhe në Sunnet. Më të zgjedhurit ndër ta janë tre engjëj: Xhibrili, Mikaili dhe Israfili. Xhibrili është i obliguar ta bartë Shpalljen, e cila është jetë e zemrave dhe të shpirtrave. Xhibrili dhe Mikaili përmenden në këto ajete kur’anore:

“Thuaj: “Kush është armik i Xhibrilit? (duke qenë i lavdërueshëm); Ai e ka zbritur Kur’anin në zemrën tënde me lejen e All-llahut - për të vërtetuar librat e shenjta - dhe është udhërrëfyes e sihariq për besimtarët. Kush është armik i All-llahut, dhe i engjëjve të Tij, dhe i Pejgamberëve të Tij, dhe i Xhibrilit e Mikailit (ai është kafir) - e All-llahu është me të vërtetë armik i atyre që nuk donë të besojnë.” (El-Bekare: 97-98).

All-llahu xh.sh. e lavdëron Xhibrilin në Kur’an në mënyrën më të bukur dhe e përshkruan atë me cilësi më të bukura:

“Dhe betohem në yjet - që perëndojnë, të cilët lëvizin dhe zhduken nga shikimi (horizonti), dhe në natën kur errësohet, dhe agimin kur gëdhin (zbardhëllon drita), Kur’ani është me të vertetë të dëftuarit e të Dërguarit fisnik (Xhibrilit), të fuqishëm, të çmuar nga Zoti i Arshit, të cilin e dëgjojnë (engjëjt) dhe është i besuar (i madh).” (Et-Tekvir: 15-21).

“E mësoi atë një (engjëll) me fuqi të madhe, me inteligjencë të lartë, i cili u paraqit në figurën e vet.” (En-Nexhm: 5-6).

Mikaili është engjëlli i obliguar për shiun i cili është burim i jetës së tokës, i bimëve dhe i kafshëve.

Israfili është engjëlli i obliguar t’i fryen Surit, zëri i të cilit është burim i jetës i të gjitha krijesave pas vdekjes së tyre.

Në Kur’an përmendet edhe engjëlli Malik, rojtar i Xhehennemit. All-llahu xh.sh. thotë:

“Ata (atëherë) do të thërrasin: “O Malik (engjëlli i mbikëqyrjes së zjarrit)! Le të bëjë Zoti yt që të vdesim!” - e ai do të thotë: “Ju, do të qëndroni përherë aty!” (Ez-Zuhruf: 77).

Ai përmendet edhe në një hadith autentik.

Jemi të obliguar të besojmë në engjëjt e përmendur individualisht dhe në engjëjt e tjerë, emrat e të cilëve janë përmendur në hadithet sahih, së bashku me detyrat e tyre me të cilat janë të ngarkuar. E, për sa u përket engjëjve, të cilët nuk janë përmendur individualisht, jemi të obliguar të besojmë në ekzistimin e tyre sipas llojeve, ashtu siç i përshkruan Kur’ani dhe Hadithi, me të gjitha punët e tyre që janë përmendur. Prandaj edhe besojmë në Kiramen Kitaben, të cilët All-llahu xh.sh. i ka obliguar të na ruajnë:

“Dhe mbi ju, me të vërtetë, vigjilojnë rojtarët, që janë të çmuar tek Ne, që i shkruajnë veprat tuaja, të cilët dinë çka punoni.” (El-Infitar: 10-12).

“Njeriu ka përcjellës (engjëjt), para tij dhe pas tij, - e mbikëqyrin atë me urdhërin e All-llahut.” (Er-Ra’d: 11).

“Vallë, a mendojnë ata se Ne nuk dëgjojmë çka flasin ata tinëzisht dhe haptas në mes tyre? Përkundrazi, na dëgjojmë, e të dërguarit Tanë (engjëjt), që janë pranë tyre, shënojnë.” (Ez-Zuhruf: 80).

Disa mufessirë, duke kometuar këtë ajet, thonë se ata janë nga dy engjëj nga ana e djathtë dhe e majtë e njeriut, të cilët i shënojnë të gjitha veprat e tij. Ai që rri në anën e djathtë i shkruan veprat e mira, kurse ai që rri në anën e majtë i shkruan veprat e këqija. Ndërsa dy të tjerët e mbrojnë dhe e ushqejnë atë, njëri është para tij e tjetri mbrapa tij, kështu që çdo njeri gjendet ndërmjet katër engjëjve.

Imam Muslimi dhe imam Ahmedi transmetojnë nga ‘Abdull-llah bin Mes’udi r.a. se ka thënë: “Pejgamberi i All-llahut ka thënë: “Për çdonjërin është caktuar përcjellësi i tij nga xhinnët dhe përcjellësi i tij nga engjëjt.” Atëherë as’habët pyetën: “A edhe për ty, o Pejgamber i All-llahut?” “Po, edhe për mua, por mua All-llahu më ka ndihmuar kundër tij (xhinnit - djajit), andaj mu ka dorëzuar tërësisht dhe më udhëzonë vetëm në të mirë.”, tha Pejgamberi s.a.v.s.”

Gjithashtu i besojmë edhe engjëllit të vdekjes, i cili është i obliguar për marrjen e shpirtrave:

“Thuaj: “Do t’jua merr shpirtin engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj të ktheheni te Zoti juaj.” (Es-Sexhde: 11).

Kur’ani nuk e ka përmendur emrin e tij, e as që ai përmendet në hadithe autentike, por në disa transmetime nga gjeneratat e para të myslimanëve thuhet se emri i tij është Azrail, e All-llahu e di më së miri.

Dhe i besojmë bartësve të Arshit, për të cilët All-llahu xh.sh. na flet në Kur’an:

“Dhe engjëjt do të rrinë anëve të qiellit, kurse atë ditë - tetë (grupe engjëj) do ta mbajnë Arshin e Zotit tënd.” (El-Hakka: 17).

Së bashku me ta do të jetë edhe Israfili, i cili do të fryjë në Sur (bri).

Gjithashtu u besojmë edhe engjëjve të obliguar për Xhehennem - All-llahu xh.sh. na ruajt nga ai! - torturues (zebanitë) në krye të dymbëdhjetë engjëjve. All-llahu xh.sh. thotë:

“Dhe, ata që gjenden në zjarr, do t’u thonë rojtarëve të skëterrës: “Luteni Zotin tuaj që të na lehtësojë vuajtjet, (madje) qoftë edhe për një ditë!” (El-Mu’min: 49).

“O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lëndë djegëse të të cilit do të jenë njerëzit dhe gurët, dhe të cilin do ta mbikëqyrin engjëjt e fuqishëm dhe të ashpër, të cilët nuk u kundërshtojnë urdhrave të All-llahut dhe të cilët punojnë për atë që urdhërohen.” (Et-Tahrim: 6).

“Mbi të vigjilojnë nëntëmbëdhjetë. Na kemi bërë rojtarë të zjarrit engjëj dhe kemi caktuar numrin e tyre, vetëm për t’i provuar jobesimtarët.”(El-Muddeththir: 30-31)

I besojmë edhe engjëjt të obliguar për pallatet dhe kopshtiet e Xhennetit, të cilët janë të ngarkuar t’i gostisin dhe të kujdesen për banorët e tyre, duke u përgatitur rroba, ushqim, pije të llojllojshme dhe gjëra të tjera, çfarë syri i njeriut kurrë nuk ka parë dhe veshi kurrë nuk ka dëgjuar, e as që kanë mundur t’u bien ndërmend gjëra të tilla

Roli dhe rëndësia e besimit në engjëj në jetën e njeriut

Thamë se e tërë ajo që na ka informuar All-llahu xh.sh. nga gjërat e gajbit (të padukshme, të panjohura) paraqet mençuri të madhe dhe janë tejet të vlefshme për ne. Prandaj All-llahu xh.sh., nga mëshira e madhe e Tij ndaj nesh, na ka informuar për këto krijesa fisnike, dhe besimi në to është një pjesë e besimit në gajb, besim ky që i përshkruhet besimtarëve të sinqertë. All-llahu xh.sh. thotë:

“Elif, Lam, Mim. Ky libër, në të cilin nuk ka dyshim aspak, është udhëzim për të devotshmit, të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne.” (El-Bekare: 1-3).

Besimi në engjëj ka pasoja të mëdha në jetën e njeriut, nga të cilat janë:

- Qëndrueshmëria në rrugën e All-llahut xh.sh., ngase ai i cili me plotë zemër e ndien ekzististimin e engjëjve - ushtarët e All-llahut xh.sh., dhe beson se ata përcjellin çdo lëvizje dhe çdo fjalë të tij, dhe se janë të pranishëm në çdo situatë të tij, do të turpërohet nga All-llahu xh.sh. dhe nga ushtarët e tij, e nuk do ti kundërvihet urdhrit të Tij e as që do të jetë i padëgjueshëm ndaj Tij, as haptazi as fshehurazi. Sepse si mund t’i lejojë vetes diç të tillë duke qenë i vetëdijshëm se të gjitha shihen, kundrohen dhe shënohen.

- Durueshmëria dhe vazhdimi i xhihadit pa pikëllim, por duke ndier kënaqësi dhe qetësi. Këto domethënie janë fuqimisht të lidhura me besimin në engjëj dhe në atë që na ka informuar All-llahu xh.sh. përkitazi me ta. Prandaj, njeriu (besimtari) kur të gjendet në shoqërinë e atyre të cilët e kanë devijuar rrugën e drejtë, me të cilët sundon xhahilijeti dhe bëhet i huaj në atdheun e vet, ndër të afërmit të vet dhe ndër popullin e vet, i përqeshur, i nënçmuar dhe i penguar në përulshmërinë e tij ndaj All-llahut xh.sh. dhe në qëndrueshmërinë në rrugën e Tij, nga ana e tyre, në gjendje të tillë besimtari i gjen vetes shokun dhe mikun, i cili e përcjellë, e shoqëron, i jep zemër, e nxitë të jetë i durueshëm dhe i ndihmon të marshojë rrugës së All-llahut xh.sh. Sepse, ushtria e All-llahut xh.sh. është me të, e adhuron All-llahun siç e adhurojnë edhe ata, aspiron kah Krijuesi i qiejve dhe i Tokës sikurse edhe ata dhe i inkurajojnë hapat e tij dhe e ndihmojnë atë, duke ia përkujtuar të mirat që e presin tek Zoti i tij. Pra, ai nuk është i vetmuar në rrugë, por udhëton i shoqëruar në varganin e madh së bashku me shumë krijesa të All-llahut xh.sh., me engjëjt fisnik - të dërguarit e All-llahut xh.sh., - me qiejt dhe me Tokën. Pra, ai ka shumë shoqëri dhe mbështetje më të madhe sesa të tjerët. Kjo ndjenjë e sinqertë e bënë atë të durueshëm dhe të qetë, kështu që pengesat e njerëzve vetëm ia përforcojnë qëndrueshmërinë në xhihad.

Shih, o vëlla i dashur, se sa shumë na ka shpërblyer All-llahu xh.sh. me krijimin e engjëjve dhe me besimin në ta, që paraqet ndikim të madh në zemrat tona, në veprat tona dhe në korrektësinë e jetës sonë në këtë botë. E, imani në engjëj është njëkohësisht edhe vërtetimi i fjalëve të All-llahut xh.sh. dhe fjalëve të Pejgamberit të Tij besnik.



Autori Dr. Muhammed Naim Jasin (Vazhdon)
Shtuar më 27/08/2011, ora 11:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori