Agjërimi dhe lënia e duhanit
Muaji i madhëruar i Ramazanit, përveç misionit që mbart në drejtim të ngritjes dhe përsosjes shpirtërore të individit, ka edhe një rol praktik, sepse mund të konsiderohet një rast i volitshëm për të hequr dorë nga disa zakone të përditshme që janë kthyer në vese.

Parë në këtë prizëm, Ramazani është një revolucion për ndreqjen e të gjitha sferave të jetës së njeriut, një shans i çmuar për sistemimin e jetës dhe shpëtimin e saj nga kaosi. Njëkohësisht ai është një test praktik që e mëson muslimanin të përmirësojë sjelljen dhe mendimet e tij, të rishikojë disa prej zakoneve të përditshme, të forcojë vullnetin dhe të ndiejë mbikëqyrjen e Zotit në çdo veprim që bën.

Pirja e duhanit i shkakton dëme të pallogaritshme shëndetit dhe pasurisë së njeriut. Kërkimet shkencore kane provuar se ekziston një lidhje e ngushtë midis duhanit dhe shumë sëmundjeve të rrezikshme, si: kanceri i mushkërive, kanceri i gojës, kanceri i fytit, sëmundjet kardio-vaskulare etj. Sipas statistikave, numërohen me miliona viktimat e përvitshme të duhanit në botë, mosha e të cilëve luhatet nga 34 deri në 65 vjeç. Madje, edhe fetusi në barkun e nënës nuk ka shpëtuar nga duhani.

Atëherë, si mund të hiqet dorë nga duhani? Për të lënë duhanin, duhet të ndiqen hapat e mëposhtëm:

1- Të vendosësh në vetvete prerazi që të heqësh dorë nga duhani, sepse kjo është – siç shprehet Allahu – “një nga çështjet që kërkojnë vendosmëri”.
2- Të caktosh kohën e lënies së duhanit dhe kjo duhet të jetë në rastin më të parë, duke mos i lejuar vetes mundësinë për ta shtyrë atë çast, sepse kjo mund të ndikojë negativisht në personalitetin dhe në vendimin tënd.
3- T’i kërkosh ndihmë Allahut përmes lutjes së sinqertë drejtuar Atij, që të japë forcë dhe sukses në realizimin e këtij misioni. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Po kërkove ndihmë (për diçka), kërkoi ndihmë Allahut”.
4- Gjithmonë mundohu t’i sjellësh në mendje rreziqet e duhanit dhe pasojat e tij të dëmshme. Ki parasysh se Allahu do të të pyesë për shëndetin, jetën dhe pasurinë tënde.
5- Mundohu të gjesh ndonjë shok midis duhanpirësve (ndonjë të afërm, shok apo koleg), që të dy së bashku ta ndihmoni njëri-tjetrin në lënien e duhanit; sepse kjo gjë do të ta shtojë këmbënguljen, siç thotë edhe fjala e urtë “Bashkimi bën fuqinë”. Në këtë kontekst Allahu i Madhëruar thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe devotshmëri dhe mos e ndihmoni në mëkate dhe armiqësi”, kurse Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush udhëheq drejt një të mire, ka shpërblimin njëlloj si ai që e ka bërë atë të mirë”.
6- Ruaju nga shokët që të pengojnë nga lënia e duhanit dhe kujto thënien e Profetit (a.s.) “Njeriu merr fenë e shokut të vet, prandaj kujdes kur zgjidhni shoqërinë”.
7- Njoftoji personat tek të cilët ke besim për vendimin tënd, sepse ata do të jenë burim mbështetje për ty me lejen e Allahut.
8- Vendos që të hollat që ndaje për duhan, t’i japësh për të ndihmuar të varfrit, jetimët dhe nevojtarët. Allahu i Madhëruar thotë: “Çfarëdo të mire që bëni për veten tuaj, do ta gjeni tek Allahu në formën e një shpërblimi më të mirë e më të madh”.
9- Për të mbështetur vendimin tënd, shfrytëzo agjërimin.
10- Natyrisht që brenda teje do të zhvillohet një betejë e përditshme për t’iu kthyer duhanit, por atëherë kujto thënien e Allahut: “Dhe nëse të vjen një ngacmim nga shejtani, atëherë kërkoi mbrojtje Allahut”.
11- Sill ndër mend se ndodhesh në muajin e agjërimit dhe se kjo do të thotë të heqësh dorë nga gjërat e këqija, ndër të cilat është edhe duhani.
12- Nëse ndodhesh në një situatë stresuese, të cilat janë burimi më i madh i duhanpirjes, mundohu të gjesh rrugë të logjikshme dhe të ligjshme për të dalë nga këto situata, sepse duhani nuk e ndihmon trurin për zgjidhjen e asnjë problemi. Kujto ajetin “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë një rrugëdalje”.
13- Kujto se fuqia e vullnetit për t’i bërë ballë epsheve gjatë Ramazanit është një ndihmë shumë e madhe për të hequr dorë nga duhani dhe për të lehtësuar pasojat e tij. Kërko ndihmë me namaz dhe durim dhe mos e lër të të ikë nga dora shansi i Ramazanit.
14- Pasi të lësh duhanin, do të përballesh me pagjumësi, lodhje, nervozizëm dhe tharje të gojës. Këto janë të natyrshme në fillim, sepse trupi akoma është i lidhur me nikotinën. Mundohu të qetësohesh dhe mos e lodh veten në këtë periudhë. Mos pi kafe, çaj apo pije me gaz, që përmbajnë kafeinë mbas iftarit. Provo ushtrimet e relaksimit dhe të qetësimit shpirtëror. Bëj një banje të nxehtë para gjumit. Po qe nevoja, kërko këshillën e mjekut dhe, për të përballuar këto vështirësi, kërko ndihmën e këtyre gjërave që mund të të forcojnë: lidhja e mirë me Allahun, devotshmëria, adhurimi, mbështetja familjare dhe vullneti i fuqishëm.
15- Largohu nga vendet në të cilat pihet duhani.
16- Nëse je nga ata që e quajnë duhanin të lejuar, atëherë, përse nuk bën “bismilah” para se ta pish? Përse nuk thua “elhamdulilah” pasi e pi? Nëse duhani është një begati prej Zotit, përse e shkel cigaren me këmbë kur e mbaron së piri? Përse s’e pi atë në sy të prindërve apo eprorëve të tu? Përse nuk ia mëson atë fëmijëve të tu?
Merr një vendim të prerë dhe dije se Allahu do të të ndihmojë në këtë vepër!
(Përktheu Alban Kodra)
Shtuar më 05/08/2011, ora 16:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori