Hagë, rinis sot gjyqi ndaj Ratko Mlladic
Rinis sot në Gjykatën e Hagës gjykimi për krime lufte ndaj ish-liderit ushtarak të serbëve në Bosnjë, Ratko Mlladiç. Prokurorët e Gjykatës së Hagës pritet të thërrasin sot dëshmitarët e parë.

I pari që do të dëshmojë në gjyq do të jetë Elvedin Pasiç. Ky i fundit pritet të rrëfejë para gjykatës se si i ka shpëtuar ekzekutimit të 150 njerëzve nga ushtarët serbë të Bosnjës më 1992.

Dëshmia e Pasiçit pritet të pasohet nga ajo e këshilltarit të Kombeve të Bashkuara, Dejvid Harlend, i cili do të përqëndrohet në rrethimin e Sarajevës nga viti 1993 deri në vitin 1995.

Dëshmitari i tretë pritet të jetë gjenerali Sir Riçard Danat, ish komandant i forcave të armatosura të Mbretërsisë së Bashkuar, i cili do të dëshmojë mbi çështjet e komandës dhe kontrolleve ushtarake.

Mlladiç, i cili është arrestuar në Serbi në majin e 2011-ës pas 16 vjetësh në arrati, akuzohet për genocid dhe krime të tjera lufte, si dhe për orkestrimin e masakrës së Srebrenicës ku u vranë 8 mijë burra dhe djem myslimanë. 70-vjeçari është figura e fundit që po gjykohet për krimet e kësaj lufte. /albeu.com/
Shtuar më 09/07/2012, ora 09:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori