Në buzë të detit, zbulohet vendi ku do të takohen Lavrov-Kuleba

Në kuadër të situatës së krijuar nga pushtimi rus në Ukrainë, ministrat e jashtëm të dy vendeve do të jenë përballë njëri tjetrit të enjten e kësaj jave në Turqi.

Mediat bëjnë me dije se ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba dhe homologu i tij rus Sergei Lavrov do të takohen për negociata “ballë për ballë” në qytetin turk Antalia, me ndërmjetësimin e ministrit të Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se më në fund është rënë dakord për një takim mes zyrtarëve të dy vendeve krahas bisedimeve që po zhvillohen nga delegacionet.

“Ministri i Jashtëm rus Lavrov dhe ministri i Jashtëm ukrainas Kuleba do të takohen në Ankara të enjten, më 10 mars”, tha Çavuşoğlu, raporton abcnews.al.

Ndër të tjera ai ka theksuar se  takimi, do të mbahet në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalia, do të jetë trepalësh.

Ndërkohë një ditë më parë, presidenti Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi një telefonatë me homologun e tij rus Vladimir Putin, në të cilën i tha liderit rus se Turqia është e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e problemit të Ukrainës me mjete paqësore sa më shpejt të jetë e mundur.

Duke mbajtur qëndrimin e saj neutral dhe të ekuilibruar, Turqia vazhdon përpjekjet e saj diplomatike për të de-përshkallëzuar konfliktin në Ukrainë, duke u kërkuar të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje.

Ndërsa Ankaraja ka kundërshtuar sanksionet ndërkombëtare të krijuara për të izoluar Moskën, ajo gjithashtu mbylli Bosforin dhe Dardanelet sipas një pakti të vitit 1936, duke e lejuar atë të parandalojë disa anije ruse të kalojnë ngushticat turke.

Ndërkaq pasditen e kësaj të hëne pritet që delegacionet nga të dy vendet do të takohen në Bjellorusi për një raund të tretë bisedimesh.

Kombet e Bashkuara  një ditë më parë kanë theksuar se nga luftimet mes dy vendeve deri më tani numri i civilëve të vdekur në të gjithë Ukrainën që kur Rusia nisi agresionin e saj më 24 shkurt është 364, duke përfshirë më shumë se 20 fëmijë.

Ndërkohë më shumë se 1.5 milion ukrainas kanë dalë jashtë vendit në vetëm 11 ditë në atë që OKB-ja tani e quan “krizën më të shpejtë të refugjatëve në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”./abcnews.al