Hallall Sejdiut
Albeu.com
Ish kryetari i Kosovës, profesor Fatmir Sejdiu, në një moment rrezikoi ta humbte edhe pozitën shtetërore, edhe atë partiake, por edhe dinjitetin njerëzor. Fakti që ai u tërhoq nga buza e greminës ku ishte nisur me deklaratat e para mediale, e ka konsoliduar demokracinë e brishtë kosovare.

Pardje, me të ardhur nga Nju Jorku, jo pak vrojtues mbetën të habitur me reagimin e parë të Sejdiut ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kryetari i deridjeshëm, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës tha konstrukte fjalish që, më shumë se mimika, flisnin për një njeri i cili dukej i shokuar me ngjarjet që po zhvilloheshin rapidisht.

Gabimet sintaksore, konceptuale dhe gramatikore, dëshmonin për një politikan i cili nuk i kishte menduar fort mirë hapat e ardhshëm, kurse mozaikun e plotësuan një reagim i çuditshëm i Xhavit Halitit (i cili befasishëm doli si kritikues i vendimit të Gjykatës), dhe një mori njerëzish afër Presidentit, që filluan të pëshpëritnin fjalë të këqija për Gjykatën dhe gjykatësin.

Rruga e tillë e mohimit, ose injorimit, të vendimit të Gjykatës, do të ishte një atak direkt ndaj rendit kushtetues dhe konfirmim i frikës më të madhe të qytetarëve: që shteti i Kosovës për disa është nënë, e për shumicën tjetër njerkë; që dikush mund ta injorojë ligjin, e dikush tjetër të hajë dënime dhe të shkelet me apo pa baza ligjore.

Me gjasë, perspektiva e tillë e një armagedoni politik e frikësoi edhe vetë ish-Kryetarin, i cili me një fjalim të matur dhe pa ikur nga tema, dha dorëheqje.

Kombinimet matematikore tutje janë gati të panumërta:

LDK mund të tërhiqet nga koalicioni, duke u thirrur në prishje të marrëveshjes paraprake, me të cilën LDK'së i takon pozita e Kryetarit, kurse PDK'së ajo e Kryeministrit.

LDK'ja mund të mbetet në koalicion, duke mos u ndikuar fort nga situata dhe ndjenjat e Sejdiut, dhe duke insistuar që të vegjetojë në Qeveri sa më gjatë që të jetë e mundur.
PDK'ja mund ta prishë Qeverinë, sepse nuk do të dëshirojë të hyjë në dialog me Serbinë pa një “bashkëpjesëmarrës” kredibil.

PDK'ja mund ta krijojë një koalicion tjetër pa LDK'në, dhe ta vazhdojë qeverisjen deri në afatin e fundit ligjor.

Secili prej këtyre opsioneve pastaj zbërthehet edhe në më shumë variante të zgjedhjeve të pashmangshme brenda nëntorit, zgjedhjeve në mars, maj, ose me afatin ligjor - në nëntor.
AAK'ja në kuloare flet për bojkot të zgjedhjeve, edhe pse një bojkot i tillë nuk dihet se kujt do t'i konvenonte më shumë. Është e qartë se AAK'ja është krejtësisht e hendikepuar pa Haradinajn, ndërsa Blerim Shala do të jetë në ballë të fushatës nëse partia vendos të garojë.

Pëshpëritet se Behgjet Pacolli mund të emërohet Kryetar i Kosovës për periudhën e ardhshme, por besoj se ky është më shumë inercion i thashethemeve të Qeverisë “Zanzibar”, sesa një opsion real për AKR'në. Nuk do të ishte e udhës që kjo parti të hynte në marrëveshje me PDK'në, tash kur jemi në vigjilje të zgjedhjeve.

Kështu, vendimi përfundimtar me gjasë do t'i mbetet Kryeministrit Hashim Thaçi. Ai është skeptik ndaj dialogut me Serbinë dhe s'do mend se pas dridhjeve verore të skandaleve korruptive, Thaçi ka marrë situatën në dorë. Çështja e Fatmir Limajt mbetet ende pezull, dhe me gjasë do t'i rëndojë edhe më shumë marrëdhëniet ndërnjerëzore në mes akterëve kryesorë në PDK, por kjo parti edhe më herët ka treguar se qëndron bashkë kur është në defanzivë, prandaj nuk pres që cilido nga liderët e partisë të bëjë problem të madh në përpilim eventual të listave zgjedhore.

Dy akterët e rinj në skenë, Lëvizja VETEVENDOSJE! dhe posaçërisht Shpend Ahmeti, me gjasë kanë tepër pak kohë për organizim të mirëfilltë mbarëkosovar. Pragu prej 5% vështirë se do të luajë, prandaj mundësia e ndryshimit të blloqeve tashmë të etabluara të votuesve zvogëlohet me çdo ditë të re që gdhin.

Ish kryetarit Sejdiu mund t'i falënderohemi për shërbimet ndaj atdheut dhe aktin përfundimtar, për të cilin morri lëvdata nga vendi dhe rajoni. Sidomos serbët, që e kanë Tadicin e vet të gjithëpranishëm në shumë funksione dhe pozita, e shikojnë me çudi politikanin kosovar i cili nuk u nxor nga pushteti me zor, por me një akt demokratik që shton goxha çimento politike në themelet e demokracisë sonë.

Për këtë, Sejdiut ia bëjmë hallall. (express)
Shtuar më 28/09/2010, ora 14:46
Tage: petrit selimi

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori