Zaret u hodhën..., AKSH egziston
Albeu.com
nga Tomorr TOPLICAMë 3 tetor 2007, në Lajmet Qendrore të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), u paraqitën filmime të shkurtuara nga një Reportazh shumë më i gjatë i daljes në skenën politiko-ushtarake shqiptare të Armatës Kombëtare Shqiptare (AKSH).Lajmi shumë shpejt mori dhenë. Disa reaguan, disa heshtën. Disa u gëzuan, disa u tmerruan. Disa u befasuan, disa u shqetësuan. Disa u aktivizuan, disa u neutralizuan. Disa u trimëruan, disa u frikësuan.

Reaguan kundër, por në mënyrë konstruktive, ashtu siç ua don interesi momental dhe ashtu siç ua kërkon pozita pushtetare që mbajnë: Kryetari i Kosovës – Fatmir Sejdiu, Kryeparlamentari Kolë Berisha, Kryeministri Agim Çeku, Ministri i Brendshëm Blerim Kuçi dhe ndonjë tjetër që unë ende nuk e kam dëgjuar apo parë në televizion. Këto reaguan kundër, por reaguan me takt dhe me demagogji njëkohësisht.

Reagoi edhe një partiçkë e vogël e Kosovës, që veten e quan Lëvizja Kombëtare për ”Çlirimin” e Kosovës (LKÇK), e cila reagoi me një ton sa nënçmues aq edhe mospërfillës, duke e konsideruar si diçka ”të parëndësishme” daljen publike të pjesëtarëve të Armatës Kombëtare Shqiptare.

Reagoi edhe KFOR-i, duke u zotuar se do ta mbrojë “stabilitetin dhe paqën” në Kosovë dhe se nuk ka nevojë për forca tjera ushtarake në Kosovë përveç tij.

Deri tani bilanci i reagimit apo mosreagimit të pushtetarëve e politikanëve shqiptarë në Shqipërinë e Robëruar është ky: Pozita e Prishtinës u deklarua kundër. Opozita e Prishtinës heshti, ose e injoroi faktin. Pozita dhe opozita shqiptare e Shkupit heshti ose e injoroi ngjarjen. Heshtën edhe liderët shqiptarë të Kosovës Lindore dhe të Malësisë së Madhe.

Në Shqipërinë e Lirë (londineze) reagoi Kryeministri i Shqipërisë. Reagoi kundër AKSH-së, duke i quajtur ushtarët, luftëtarët e lirisë e të bashkimit kombëtarë, çlirimtarët e Shqipërisë Etnike hiç më pak se "aventurierë"!

Ish-Kryeministri ”socialist” i Shqipërisë, Pandeli Majko, reagoi kundër dhe reagoi shumë ashpër, antishqiptarisht e në mënyrë ofenduese, duke i quajtur pjesëtarët e AKSH-së, ushtarët e Shqipërisë Etnike - "njerëz me thasë në kokë"!

Për të tjera reagime në Tiranë nuk ka njohtime, por kjo nuk prish punë. Mjaftojnë këto reagime që të konkludojmë se reagimet anti-AKSH ishin më të forta në Tiranë se në Prishtinë apo gjetiu.

Reagime të ndryshme sigurisht që do të ketë edhe në të ardhmen dhe vazhdimisht. Do të ketë reagime pro et contra (për dhe kundër) nga pushtetarë e jo pushtetarë, nga plotikanë e jo politikanë, nga intelektualë e krijues të ndryshëm, nga njerëz të thjeshtë e nga njerëz të ndërlikuar, nga miq e armiq të kombit tonë, por reagimi kryesor, relevant dhe vendimtar është dhe do të jetë reagimi dhe qëndrimi i popullit shqiptar ndaj AKSH-së, qëndrimi I kombit shqiptar ndaj vetvetes dhe ndaj lirisë e bashkimit të Shqipërisë Etnike.

Kombi shqiptar do të jetë ai që do ta vulosë të ardhmen e tij, të Atdheut të tij dhe fatin e AKSH-së. Të tjerat s’kanë rëndësi. AKSH nuk duhet të merret shumë me reagimet e pushtuesve sllavo-grekë dhe lakejve të tyre shqipfolës, antikombëtarë, antishqiptarë e mercenarë. Përgjigjja më e mirë ndaj tyre është vazhdimi i luftës çlirimtare, është bashkimi i popullit, është fitorja mbi robërinë, është liria e Shqipërisë Etnike. Me qentë që lehin gardhiqeve dhe me ujqërit që ulërijnë në dritë të Hënës AKSH-ja nuk duhet të merret aspak, sepse harxhon kohë dhe energji panevojë. Në luftë e sipër ata do të dërrmohen e asgjësohen vetvetiu.

*****
Populli shqiptar i Kosovës ende nuk ka reaguar. Ai vetëm hesht dhe në heshtje e përkrah AKSH-në dhe i gëzohet jo vetëm daljes së saj publike, por edhe forcimit dhe rritjes së vazhdueshme të saj. Populli hesht, ai është si vullkani para shpërthimit. Populli do ta thotë fjalën e tij i fundit, por këtë herë do ta thotë rrast fjalën dhe vullnetin e tij për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar të Shqipërisë Etnike.

Të njëjtin qëndrim, të përkrahjes në heshtje të AKSH-së, ka edhe populli shqiptar në Shqipërinë londineze, në Iliridë, në Kosovën Lindore, në Malësi të Madhe e anembanë Shqipërisë Etnike dhe në Diasporë.

Jo rastësisht rapsodi popullor këndoi e këndon vazhdimisht: “…sërish vjen Marsi e sërish vjen Stina…”, sepse urtësia e intuita popullore e di dhe e ndjen se liria nuk erdhi me ardhjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut në Kosovë. Populli e di se amaneti i Adem Legjendarit dhe shokëve të tij ende nuk ka shkuar në vend, ende nuk është realizuar, sepse Kosova jo vetëm që nuk është e bashkuar me Shqipërinë, jo vetëm që nuk është shtet i pavarur, por çka është më tragjike, ajo ende është pjesë e Serbisë, e ndarë, me plagë të vjetra e të reja dhe e qeverisur në emër të saj nga UNMIK-u!

*****
Daljes së AKSH-së në skenë iu frikësuan liderët, qeveritarët, pushtetarët dhe politikanët anacionalë të të gjitha ngjyrave. Ata që folën dhe ata që heshtën. Pse vallë?

Sepse nuk e kanë ndërgjegjen e pastër. Sepse nuk kanë ndjenja dhe vetëdije kombëtare shqiptare. Sepse janë kundër bashkimit kombëtar, janë kundër vullnetit dhe vetëvendosjes së popullit, janë kundër bërjes së Shqipërisë Etnike! Dhe mbi të gjitha, ata reaguan instiktivisht, pa menduar, pa analizë, nga frika, sepse nuk e kanë popullin me vete. Se po ta kishin mbështetjen e popullit, atëherë nuk do të kishin nevojë aspak që të merren me AKSH-në, por do ta injoronin daljen e saj publike dhe do t'ia lenin policisë që të merret me atë çështje. Por jo, ata reaguan shpejtë dhe reaguan shumë ashpër e të frikësuar, duke e shndërruar paraqitjen e AKSH-së në një problem ”destabilizues”, ”kërcënues”, në një çështje politike dhe ushtarake.

*****
Zaret u hodhën…, thotë një fjalë, më në fund AKSH-ja doli nga ”interneti”, siç shpreheshin deri dje gojëkëqinjtë, dhe u paraqit në dritë të Hënës. Nesër do të dalë edhe në dritë të Diellit, kurse pasnesër do të shndërisë në dritë të Lirisë dhe të Shqipërisë Etnike. Zaret u hodhën…,AKSH doli nga irealiteti në realitet, ajo ekziston.

Zaret u hodhën, ”loja” filloi, kthim prapa nuk ka. Pas kësaj paraqitjeje publike AKSH nuk mund të hy përsëri në ”internet”, por do të qëndrojë aty ku e ka vendin, aty ku ka qenë gjithmonë, që nga formimi i saj – në gjirin e popullit liridashës e atdhetar shqiptar. Do të qëndrojë në ballë të popullit për liri, vetëvendosje e bashkim kombëtar të Shqipërisë Etnike.

Zaret u hodhën, AKSH foli, AKSH u duk. Por vallë, ç’ishte kjo e folme dhe kjo e dukme? Improvizim apo Realitet?

Improvizimi është trillim, sajim, shpikje aty për aty për të dalë nga situata e papritshme. Improvizimi është gjindshmëri, aftësi, veprim i paplanifikuar që më parë, por që bëhet aty për aty për të dalë nga kriza momentale.

Improvizime, zakonisht, bëjnë aktorët në skenën e teatrit, të cilët kur harrojnë tekstin e dramës, dialogun apo monologun, ata aty për aty, pa u hetuar nga publiku, me mjeshtëri dhe pa belbëzuar, vazhdojnë aktrimin duke improvizuar, duke sajuar tekst të ri të vetin, por që i përshtatet motivit të aktit të dramës, tragjedisë apo komedisë që luhet në skenë.

Improvizimi është zotësi dhe aftësi krijuese e aktorit, politikanit, liderit, oratorit, ligjëruesit dhe të gjithë njerëzve, kur bëhet në kohën dhe në çastin e duhur, për të dalë nga situate e palakmueshme, e paparashikueshme. Improvizimi është njëfarë Plani B i të gjithë veprimtarëve artistik, politik e ushtarak.

Improvizimi është domosdoshmëri, por nuk është frytdhënës nëse shndërrohet në shprehi, sepse improvizimi nuk është art, nuk është politikë dhe nuk është plan strategjik ushtarak. Me improvizime konstante nuk bëhet art, nuk bëhet politikë, nuk bëhet luftë dhe as nuk fitohet liria.

I mbetet AKSH-së që ta vërtetojë në të ardhmen e afërt se paraqitja e saj nuk ishte improvizim por realitet. Se nuk ishte demagogji por defilim real atdhetar, luftarak e çlirimtar.

Vetëm koha dhe populli do ta vërtetojnë nëse dalja në publik e AKSH-së ishte Improvizim apo Realitet.

Megjithatë, zaret u hodhën…, këtej e tutje më nuk do të ketë gjumë mbi dafina, shpirtrat u trazuan, këmbanat ushtuan, ora filloi tik-takun e saj historik drejt Shqipërisë Etnike.
Shtuar më 08/10/2007, ora 21:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori